Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, kanë pasur një bisedë të tensionuar telefonike, gjatë të cilës Macron e ka kritikuar shefin e Shtëpisë së Bardhë për politikat që po ndjek, raporton CNN.
Biseda është zhvilluar të enjten e kaluar, e njëjta ditë kur SHBA-të njoftuan vendosjen e tarifave për aluminin dhe çelikun që importohen nga Bashkimi Europian, Meksika dhe Kanadaja.
“Shkoi shumë keq. Ishte e tmerrshme”, i ka thënë një burim CNN-it në lidhje me bisedën.
“Macron mendoi se mund t’i thoshte atë që mendonte, duke u nisur nga marrëdhënia e tyre.
Por Trump nuk duron dot ta kritikojnë”, ka shtuar burimi.
Ndërkohë, në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, telefonata Trump-Macron përshkruhet si një diskutim për tregtinë dhe emigracionin.
“Të dy liderët diskutuan mbi problemin e emigracionit nga Libia dhe mundësinë e zgjidhjes.
Presidenti Trump theksoi nevojën për të ribalancuar tregtinë me Europën”, thuhet në deklaratë.
Macron dhe Trump u shfaqën shumë miqësorë në vizitën që presidenti francez zhvilloi disa javë më parë në Shtëpinë e Bardhë.
Macron i ka thënë BBC-së se marrëdhënia e tij me Trump është “shumë direkte”, ndërsa njerëzit e afërt të tij thonë se ai e konsideron veten “zëri i Trump-it në Europë”.
Por katër ditë më parë, pallati Elysée e komentoi vendimin e SHBA-ve për tarifat si jo të paligjshëm, por të gabuar në shumë këndvështrime.
“Është i gabuar sepse prish balancat, duke shkaktuar fragmentarizim dhe nacionalizëm ekonomik”, thuhej në deklaratën zyrtare.
360grade.al