Home KRYESORE Kryeministria pergenjeshtron lajmin per qender te ish-militantëve të ISIS-it në Shqipëri

Kryeministria pergenjeshtron lajmin per qender te ish-militantëve të ISIS-it në Shqipëri

Nga Kryeministria.al

Duke venë re se disa lajme të rreme me karakter provokues dhe politike, spekulojnë haptazi mbi një gjoja qendër për grumbullimin e ish-militantëve të ISIS-it në Shqipëri, këshilltari i Sigurisë i Kryeministrit, Sander Lleshi, bën me dije se nuk ekziston asnjë lloj ideje, kërkese, plani apo mundësie për diçka të tillë.

Këto opinione që i referohen një fraze të përdorur nga Kryeministri Borissov, janë krejt pa lidhje me subjektin të cilit shefi i qeverisë bullgare iu referua në prononcimin e tij.

Bëhet thjesht fjalë për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, që ishte edhe organizatorja e konferencës ndërkombëtare të para pak ditëve, ku mori pjese edhe Kryeministri i Bullgarisë.

Shqipëria ka propozuar kthimin e kësaj qendre në një qendër rajonale, për të kryer analiza, vlerësime, studime, shkëmbim informacioni, si edhe programe të përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por kjo qendër as nuk është, as nuk mund të jetë dhe as nuk i ka shkuar kurrkujt në mendje që të kthehet në një repart grumbullimi të ish-militantëve të ISIS-it. Jo vetëm sepse askush dhe asnjëherë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, po edhe sepse kjo fantazi nuk ka asgjëkund lidhje me misionin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe me projektin tonë për rajonalizimin e saj.

Share: