Pas Gjykatave dhe Prokurorive, gjatë këtij viti mund të kemi dhe boshatisjen e Parlamentit dhe kupolës së administratës. Paralajmërimi vjen nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja. Gjatë një interviste për Klan Plus sipas të cilit, ai thotë se me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të nisë dhe spastrimi i politikës.
“ Byroja kombëtare e hetimit do të ngrihet 2 muaj pas ngritjes së KLP-së. Janë institucione të posaçme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë. Këtu nuk ka dallim. Pa dallim. Do ketë spastrim të të gjithë niveleve të politikës, administratës së lartë nga elementët e korruptuar. Pa dallim. Për këtë e kemi ngritur Spakun. Duroni!”, thotë Manja për Klan Plus.
Ndërsa parlamentarët kanë marrë pushimet, Vettingu po vazhdon punën me filtrimin e kandidatëve për KLGJ e KLP. Me s’kualifikimin e një pjese të tyre, kryesisht për shkak se nuk justifikojnë pasuritë, pas shtatorit mund të kemi një rihapje gare për kandidatë të tjerë.
“Në momentin që KPK do të përfundojë procesin e Vettimit me të gjithë kandidatët për KLP e KLGJ, listat përkatëse me ata që e kalojnë, do t’i vihen në dispozicion Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Në rast se do të ketë vakanca sipas niveleve, ligji e ka përcaktuar rishpalljen e garës.”
Pretendimet për favorizim politik të gjyqtarëve apo prokurorëve të caktuar, Ulsi Manja i sheh të pa baza.
“KPK as më shumë e as më pak po zbaton kushtetutën dhe ligjin. natyrisht janë autonomë në vendimarrjen që marrin”, sqaron kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja
Të hënën është radha e Medi Bicit nga Gjykata e Lartë për t’u përballur me vettingun. Nga trupa e cunguar e kësaj gjykate sprovën deri më tani e kanë kaluar vetëm kryetari Xhezair Zaganjori dhe Ardian Dvorani./ Klan Plus