Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është kundërpërgjigjur egër ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’connell, i cili në një intervistë në T7 ka deklaruar që qeveria e Britanisë është kategorikisht kundër idesë së presidentit për ndarje të territorit. “Kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba”, ka thënë O’connell.
Presidenti Thaçi në një postim në Twiter ka thënë se korrigjimi i kufijve do të bëhet me dialog dhe me procese paqësore. “Demarkimi/ korrigjimi i 400 km gjatësi kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë do të bëhet me dialog, do të jetë i shënuar në fjalë dhe proces paqësor. Larg nga fjalët e çmendura dhe plumbat e luftës”,- ka shkruar Thaçi.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’connell në një intervistë dhënë për Frotnal Live në T7 u deklarua kategorikisht kundër idesë për korrigjim kufijsh. Derisa ai nuk sheh dallim në mes të korrigjimit dhe ndryshimit të kufijve, thotë se gjërat e tilla nuk kryhen në mënyrë paqësore. “Kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba”, tha O’Connel.
Kjo nuk është hera e parë që Thaçi dhe O’Connell përplasen. Dhjetorin e vitit të kaluar, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar kishte reaguar ashpër pas mbledhjes së nënshkrimeve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. “Sonte, mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga lufta”, kishtë thënë O’Connell në një prononcim për mediat. Dhe duket nga gjykata speciale po ruhet shumë Thaçi. Kjo gjykatë një nga kategoria Thaçi-Haradinaj-Veseli don si kurban.
Kryeministri Haradinaj fitoi në Hagë, po kështu u shpall i lirë edhe në Francë nga akuzat për krime lufte. Por gjykata speciale në Kosovë nuk është ngritur për të arrestuar e dënuar ndonjë komandat periferik të UÇK, por një nga të tre postet kryesore të shtetit të Kosovës. President, Kryeparlamentar ose kryeministër do marrin udhën për në gjykatën speciale, pasi vetë gjykata ndonëse është ngritur juridikisht, por ka prapavijë politike ndërkombëtare. E kërkon patjetër pala serbe si kusht për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës. Nga Serbia janë arrestuar dhe dënuar që nga ish-presidenti Millosheviç e me radhë. Ndaj kjo gjykatë ka punë këtë vjeshtë në Prishtinë.
Siç thamë kryeministri e ka bërë burgun, padrejtësisht, por ama ishte. Fitoi dhe tani nuk ka njeri punë me kryeministrin. Mbeten Presidenti dhe kryeparlamentari. Të dy nga UÇK. Njerin do e marri kjo gjykatë. Për Thaçin ka patur akuza, ndonëse të padrejta. Ndaj duket se Thaçi po luan lojën serbe që të mos paraqitet para kësaj gjykate, sepse edhe vetë Vuçiç e do në tavolinë e jo në burg. Në burg ai kthehet në hero, kurse në tavolinë punon për Serbinë me lojën e “ndryshimit të kufinjve”.
Thaçi duket se po shpëton me ndihmën e Vuçiç.
Pavarësisht se kancelarja gjermane tha prerë se “jo, nuk ka ndryshim të kufinjve”, presidenti Thaçi vazhdon në lojën e tij. Dhe ka një të drejtë: Burgu është më i keq se lufta. Në burg vdes përditë, kurse në luftë vdes, por si hero. Luftën e kaloi, tani burgu nuk duhet. Ndaj Vuçiç e di mirë. Prandaj duhen “rishikuar kufiri”!
Dhe fiton Serbia.
A. Marku
360grade.al