Nga Albert P. Nikolla
Poeti i madh rus J. Brodskij thoshte se “Poezia nuk është art, madje nuk është as degëzim i artit. Ajo është diçka më tepër. Nëse fjala është ajo që na dallon nga speciet e tjera, atëherë poezia – ose veprimi gjuhësor më i arrirë – është qëllim antropologjik. (Josif Brodskij. “Conversazioni”).
Edhe Klodeta Dibra është e lidhur fort me konceptin gati metafizik të fjalës: “Edhe unë fola…”! Është gati si një frikë që vjen prej ndjesisë artistike që fjala të dalë prej shpirtit por, njëherazi të krijojë art, të krijojë të Bukurën. Përndryshe më mirë “të mos flasim”! Por K. Dibra merr guximin e flet e për mendimin tim fjala e saj nuk ngelet pezull, e pafolè por gjen të Bukurën dhe na e transmeton me këtë vëllimth të ëmbël si fjala e bukur e strukur brenda tij! Por fjala është e brishtë dhe si e tillë ka nevojë për ngrohtësi! Si të sillemi me fjalën e cila ka magjinë ka brenda saj? Ja si na përgjigjet një poezi e Dibrës:
E fjalën me puhizën e fjalëve qarko,
Që flatrat të rrahin në erë.
Asnjëherë fort mos e shtërngo,
Se flatrat i bën pavlerë!
Besoj se përkujdesja ndaj fjalës është premisa zanafillore e një pende të bukur poetike e ky vëllimth e dëshmon këtë përkujdesje prej poezisë e parë deri në vargun e fundit. Kur e lexoja e rilexoja, nuk pashë fjalë pa folé! Paradoks i madh eshtë poezia, edhe atëherë kur shpreh forcë e pasion, prapë është e brishtë!
Përmasë mjaft interesante e vëllimit me poezi të K. Dibrës është ajo kërkimit të së vërtetës. E së vërtetës që tejkalon “të vërtetën e zakonshme” e që kërkon të shkojë tek e Vërteta e madhe, te thelbi i ekzistencës sonë. E vërteta është vështirë! Në rrugën e saj ka shpesh pengesa, maska, ndaj edhe urrejtja ndaj maskave është e natyrshme për një person të dashuruar me të vërtetën.
Sikur botën ta rrotulloja ndryshe,
sikur veten ta bëja fetus,
sikur…
Sepse nuk ka sikur,
ka vetëm, maska.
Nuk kam më “sikur”, domethënë edhe dyshimi me njëfarë shprese që ndoshta jo çdo gjë është bërë prè e hipokrizisë, rrëzohet përballë maskave. Një poezi mjaft interesante pasi gënjeshtra përballë së vërtetës ka përsëri nevojë për maskë që ia mbulon fytyrën! Është interesante një shprehje kulturore antropologjike për të përkufizuar gënjeshtarin: është i “pafytyrë“, pra ka nevojë për maskë!
Çështja e marrdhënies ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtres është një ndër kulmet më interesante te ngrehinës poetike të K. Dibrës. Poezia e saj është në armiqësi të vazhdueshme me gënjeshtrën. Ajo kërkon përherë një të vërtetë esenciale pa “maska”. Është mjaft interesante po të sjellim në mbamendje mënyrën se si grekët e quanin të vërtetën: Aletheia! Po ta përkthenim në shqip fjalën “Aletheia”, do na duheshin më shumë se një fjalë për ta shprehur: e vërtetë, e rishfaqur, e pastër e që dëshmon një situatë ku nuk mund të fshihesh! Të mjerët ne kur shkojmë drejt aventurës së ngritjes së gënjeshtrës në vlerë. Këtu poetja është e pamëshirshme në gjykimin e saj:
Sa poshtë ranë!
Si albatrosë me krahë të plagosur,
Nga shigjeta të palara,
Me helm a me shafran.
Sa poshtë ranë…..
Se gënjeshtrën vlerë e bënë e mirësi nuk lanë!
Pse më trondit kjo poezi? Rikthehem përsëri të poeti i madh Brodskij! Ai pohon se arti dhe poezia në veçanti, edhe atëherë kur shprehin një problem moral, para se të përballin një çështje etike, ato (poezia dhe arti) duhet të përballin një çështje estetike. Ja pse kjo poezi e Dibrës është e bukur dhe etike njëherësh! “Se gënjeshtrën vlerë e bënë e mirësi nuk lanë”! Kemi tri fjalë të kryqëzuara aq bukur dhe me aq domethënie etike: “gënjeshtër” – cila ka marrë turravrapin dhe e para del në skenën e trishtë shqiptare; “vlerë” – gënjeshtra nuk mjaftohet me dhunën dhe me fitoren e saj. Jo! Ajo kërkon më shumë se kaq, kërkon të ngrihet në vlerë! Në po atë varg gjejmë edhe pamundësinë simbolike dhe iluzionin të kthimit të gënjeshtrës në vlerë pasi aty gjejmë fjalën “mirësi”! Ja pse kjo është një poezi e madhe! Brodskij thotë se një poezi është e arrirë atëherë kur ndërthur të Bukurën me të Mirën! Kërkimi i “Aletheia-s” bëhët gati-gati obsesion në faqet e këtij vëllimthi. Duket se autorja e përjeton dhimbshëm pushtimin që gënjeshtra i ka bërë botës që na rrethon. Ajo arrin deri aty sa ndërton një poezi të bukur për ndërgjegjen si e vetmja instancë ku gënjeshtra mund të pushojë se ekzistuari.
Kur kurmin thyejmë nën peshën e nënndërgjegjes,
Ndërgjegjes ndihmë i kërkojmë,
Që barrën jetime ta lëmë.
Brodskij pohon se nga këndvështrimi antropologjik “njeriu është pikësëpari një qënie estetike e në një moment të dytë, qënie etike”. Kjo gjë ndodh edhe në poezitë e Dibrës! Poezitë janë të bukura para se të përqasin çështje morale si dikotomia mes gënjeshtres dhe të vërtetës.
Dikotomitë janë shumë të pranishme në poezitë e Dibrës. Autorja arrin të na dhurojë poezi vërtetë të bukura por që njëherazi kanë brenda mendim, mesazh dhe e vënë lexuesin para dilemës morale duke e lënë atë përherë të lirë në zgjedhjen e tij. I takon leuesit të vendosë!
Nata me ditën motra janë.
E motra – motrën askund nuk e shet.
Njëra dritën mbledh mënjanë.
Tjetra me sqimë terrin përzgjedh.
E mira dhe e keqja, drita dhe terri, e bukura dhe shëmtuara aty rrinë të lidhura pazgjidhshmërisht duke vulosur fatin e shoshoqes dhe vargjet e K. Dibrës lodrojnë bukur në këto dikotomi.
Vëllimi përmban edhe copëza të shkurtra reflektimesh dhe përkthime nga autorë të huaj. Besoj se është gjetje mjaft interesante kjo përfshirje pasi nisur nga vetë titulli, autorja ka nevojë që ta dëgjojë edhe dikush përtej kufijve, të vendosë vargjet e saj përkrah vargjeve që e kanë marrë bekimin e së Bukurës.
Koha, si gjyqtare e rreptë do të vërtetojë nëse K. Dibra do të “flasë përsëri”, por po i lejoj vetes një profeci të vogël: duket se ai burim fjalësh, ajo muzë e fshehtë brenda autores nuk tkurret shpejt. Ndoshta prapë do të “flasë”!
Duke qenë se në këtë përsiatje kam kërkuar të ndërthur disa reflektime që të ishin estetike, etike dhe antropologjike, po sjell ndër mend një thënie të bukur të Veriut të Shqipërisë. Kur dikush fliste bukur, lëvdata për të ishte: fjala në tokë nuk i bjen. Dhe Klodeta Dibra foli përnjimend e “fjala në tokë nuk i rà”!/Mapo