Home Gjeo-Ekonomia Konferenca ndërkombëtare, “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”

Konferenca ndërkombëtare, “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”

Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia e lajmeve serbe, Tanjug, organizuan të mërkurën në Tiranë konferencën ndërkombëtare me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”. Ky aktivitet vjen pas konferencës me të njëjtën temë të zhvilluar më 10 korrik në Beograd.

Në sesionin e parë të konferencës, u trajtuar çështja për marrëdhëniet e sotme mes “shqiptarëve dhe serbëve, perspektivat dhe përgjegjësitë”.

Ndërsa në pjesën e dyte të konferencës ndërkombëtare “Serbët dhe Shqiptarët-Në cilin drejtim?”, panelistët përcollën mesazhin se duhet lënë pas e shkuara dhe duhen bërë përpjekje për të ardhmen e brezit të ri.

Folës kryesor i konferencës, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati evidentoi se “ka një tendencë dhe vullnet për të tejkaluar stereotipet negative që shpeshherë shoqërojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, apo shqiptarëve dhe serbëve në rajon”.

Po ashtu, sipas tij, “janë marrëdhënie dinamike me potencial të paeksploruar mirë, siç tregojnë edhe të dhënat e fundit që dëshmojnë për një frymë pozitive sa i përket zhvillimit të sektorit të turizmit, ku gjithnjë e më shumë serbë e konsiderojnë Shqipërinë si destinacion turistik”. Bushati theksoi po ashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në progres e sipër, sepse programet e mobilitetit po zbatohen duke i dhënë frymë edhe konceptit të ndërlidhjes në kuadër të Procesit të Berlinit, ku dy arteriet kryesore të programit të ndërlidhjes kanë si boshte kryesore Shqipërinë dhe Serbinë. Ministri Bushati theksoi se mes dy vendeve ka pika të përbashkëta sa i takon pakicave. Ai theksoi se “ka një pakicë serbe në qarkun e Shkodrës, sikundër ka edhe një pakicë shqiptare në Luginën e Preshevës”.

“Kur flitet për marrëdhënien shqiptaro-serbe, apo Shqipëri-Serbi është shumë e vështirë të injorohet elefanti në dhomë, Kosova”, tha Bushati. Kosova, sipas tij, ka përfaqësuesit e saj legjitim që flasin në emër dhe për interesin e Kosovës, por qëndrimi i Shqipërisë në këtë pikë është gjithashtu shumë i qartë. “Procesi i normalizimit është një proces shumë i vështirë mes Serbisë e Kosovës, që zhvillohet në ndërmjetësimin e përfaqësueses të lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Mogherini, me mbështetjen e SHBA-së, nuk është një proces që mund të zëvendësohet nga një raport i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë, por vetëm mund të përplotësohet nga një raport edhe më i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë”, tha Bushati.

“Media duhet t’i prijë ndërtimit të një miqësie të re, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis popujve tanë”, tha në fjalën e saj, drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, znj.Armela Krasniqi . Ajo evidentoi një fakt interesant lidhur me turizmin. “Përveç disa revistave të specializuara si “Turisticki Svet”, në Serbi është e pamundur të gjesh faktin se mbi 50.000 qytetarë serbë kaluan këtë vit pushimet në Shqipëri. Pikërisht kjo revistë theksonte ”duke shkelur me sukses paragjykimet, një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh serbë kanë zbuluar anën e mirë të Vendit të Shqiponjave dhe popullit të tij mikpritës. Shqipëria ia ka dalë të zërë vendin e saj në tregun global të turizmit si një destinacion i ri, i pazbuluar dhe i sigurtë, mbi të gjitha një vend autentik, oferta e të cilit është thjesht e ndryshme nga të tjerët”, theksoi Krasniqi.

Shqipëria dhe Serbia janë shumë afër njëra-tjetrës dhe historitë tona janë të ndërthurura, nuk duhet të ngelemi me kokën mbrapa. Bashkimi Europian është një e ardhme e përbashkët”, deklaroi Drejtoresha e agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, znj.Branka Djukiç. “E ardhmja na përket të dy palëve, ta kapim këtë mundësi, të diskutojmë duke pasur parasysh interesat tona si dhe të ardhmen. Dua të theksoj ashtu siç e thashë në Beograd ajo që na bashkon është dëshira e mirë dhe qëllimet e mira. Tanjug dhe ATSH janë këtu për t’u siguruar se kjo është e mundur”, nënvizoi Djukiç.

I pranishëm në konferencë, eurodeputeti, z.Hannes Swoboda, vuri në dukje si gjënë më të rëndësishme se shqiptarët dhe serbët do të marrin përgjegjësi për vete dhe për rajonin. Anëtari i Parlamentit Europian, theksoi se të dyja vendet kanë një dialog konstruktiv takimesh. “Nuk do të ekzagjeroj me atë ndeshjen e futbollit sepse mund të ndodhë në çdo vend europian dhe kjo përgjigje mund të keq përdoret për qëllime të tjera”, tha ai.

Po ashtu, Swoboda ,vendos theksin te dialogu mes Serbisë dhe Kosovës si mundësia e integrimit në BE. “Çështja e dytë është ajo e Kosovës. Të gjithë e dini mbi takimet dhe çështjet e tjera që zhvillohen. Duhet të gjejmë një zgjidhje rajonale. Nuk mund të zgjidhim një çështje ndërkohë që del një çështje tjetër, prandaj mendoj se qëndrimi rajonal është i rëndësishëm. Pra, mbi rendin e ri në rajon përballë BE-së”.zDrejtor Ekzekutiv i Fondit për Ballkanin Perëndimor, Z.Gjergj Murra evidentoi faktin se “një nga çështjet që u ngrit sot është njohja më e mirë me njëri tjetrin, kjo i mungon vendeve tona. Kjo konsiderohet si një mjet i rëndësishëm për një të ardhme më të mirë”.

Ai shpjegoi se fondi është një organizatë ndërqeveritare, që ka për qëllim forcimin e kontaktit mes njerëzve. “Kemi patur sukses, duke u bazuar në thirrjen e parë. 350 aplikime, 1300 partneritete. Ndërkohë që shifrat mbi partneritetet në projekt tregon se rajoni është gati për t’u maturuar”, tregoi Murra.

Presidenti i qendrës për studime të globalizimit në Beograd, z. Dejan Miletiç tha se “Serbia për më shumë se 25 vite u akuzua se ishte në rolin e viktimës në marrëdhëniet ndërkombëtare, por kjo ka ndryshuar tashmë, pasi Serbia nuk është më ajo e para 5 viteve, por një Serbi e tolerancës, zhvillimit dhe rrugës europiane”.“Përpjekjet për t’u bazuar tek e vërteta, për të kaluar në një mirëkupim më të lartë, janë të rëndësishme pasi ndryshe s’do t’i kuptonim problemet që kemi mes nesh”, nënvizoi Miletiç, duke shtuar se Serbia nuk është më ajo e para pesë viteve.

Presidentja e qendrës për Politikë të Jashtme në Beograd, znj. Aleksandra Joksimoviç tha se është e surprizuar pozitivisht që media është e përfshirë në këtë lloj debati. “Media është e para që duhet të lobojë për mesazhe pozitive për marrëdheniet mes Shqipërisë e Serbisë”, theksoi ajo. “Ne tashmë po përpiqemi të përmirësojmë diçka që nuk ishte për kaq vite. Kemi prezantuar 250 kompani për të gjetur rrugën e prezantimit për t’u futur në tregun e përbashkët. Po ashtu kemi dhomën e përbashkët të tregtisë. Sa i takon BE-së, që është qëllimi ynë i përbashkët, ndoshta ne s’jemi njohur në kohën e duhur, që procesi i zgjerimit po ngadalësohet dhe po lë rajonin në një zonë Limbo, të anashkaluar, ku po zhvillohen kriza e konflikte të tjera, ku Maqedonia është një shembull i gjallë i kësaj”, parashtroi Joksimoviç.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, znj.Majlinda Bregu tha se “sot bashkëpunimi rajonal nuk shihet si një kusht i vendosur nga Bashkimi Europian për të çuar përpara rajonin tonë, por si një domosdoshmëri për të zhvilluar atë që kemi aset të përbashkët”.

“Në këtë rajon jetojnë rreth 18 milionë qytetarë që e njohin shumë pak njëri- tjetrin. Ajo që më bëri përshtypje nga studimi i Tanjug është se ne dimë shumë pak për njëri-tjetrin.Në rast se nuk do të kemi një perspektivë tjetër për ta njohur njëri- tjetrin tani , ndryshe, dhe për të zhvilluar bashkëpunimin rajonal në termat e ekonomisë , ekonomia dhe marrëdhëniet njerëzore i sjellin njerëzit më afër dhe më shpejt nganjëherë edhe sesa politikanët, pavarësisht retorikave të tyre që do të donin të ndodhte”, theksoi Bregu.

Më vjen mirë, vijoi ajo, që ka edhe një vëmendje nga liderët politikë të rajonit për të kuptuar që e ardhmja e gjithë rajonit është ose e pakta duhet të jetë e gjitha drejt Bashkimit Europian.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z. Nikolin Jaka, tha se “sipërmarrja është shumë e interesuar që të ketë një integrim real të shoqërisë dhe të shtetit ku ne jemi pjesë, në një integrim real rajonal”. Jaka theksoi se “është shumë e rëndësishme që sipërmarrja shqiptare të marr sinjalet e duhura për një stabilizim të rajonit dhe për një integrim të këtij rajoni”.

Duke falënderuar ATSH dhe Tanjug për organizimin e kësaj konference jashtëzakonisht efektive edhe për sipërmarrjen private, Jaka tha se “shifrat ekonomike që u lexuan për rritjen ekonomike dhe qarkullim tregtar mes Shqipërisë dhe Serbisë janë shifra optimiste, të cilat japin hapësirë për të menduar se realisht ka filluar të lëvizë qarkullimi tregtar ekonomik, por realisht ka filluar të lëvizë edhe komunikimi dhe ulja e sipërmarrjeve të dy vendeve tona për të parë mundësitë reale se kush janë ato, për të diversifikuar më shumë ekonominë, më shumë investimet, por ndërkohë edhe më shumë qëllime strategjike siç është edhe rasti i fundit i “Telekom Serbia”, të paktën duke dëgjuar gjithmonë pjesën e lajmeve dhe jo pjesë të lajmit zyrtar akoma”.

Z.Nenad Djurdevic, këshilltar i Dhomës Tregtare të Serbisë, u ndal te ndërtimi i urave të përbashkëta mes bizneseve të rajonit, duke theksuar se bashkëpunimi mes vendeve nuk duhet ta ndalet vetëm te ekonomia por edhe në fusha të tjera.

Sipas këshilltarit të Dhomës së Tregtisë së Serbisë, hapja e Forumit të Investimeve do të jetë një pikë e përbashkët për të gjitha vendet e rajonit. “Hapja e Forumit të Investimeve, do të krijojë një dhome të përbashkët për të gjithë rajonin. Një kompani, një adresë, ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përfaqësuesit e tyre”.

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, znj.Ines Muçostepa tha se volumi tregtar i shkëmbimeve me Serbinë gjatë dy viteve të fundit është 222 milionë euro, duke pasur një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2016.

“Dy vitet e fundit kanë qenë shumë dinamikë në shkëmbimet e informacioneve në njohjen, lidhjen, vendosjen e bashkëpunimit të firmave në fusha të ndryshme si ato ushqimore, logjistike , turizëm, import dhe eksport. Eksportet drejt Serbisë u rritën me 12% krahasuar me

vitin 2016, me një vlerë prej 36 milionë euro. Gjithashtu edhe importi nga Serbia për vitin 2017 pati një rritje prej 38% me një vlerë prej 186 milionë euro”, nënvizoi Muçostepa.

Sipas Muçostepës, edhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, volumi tregtar i shkëmbimeve me Serbinë është rritur me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe shkëmbimet tregtare pothuajse në të gjitha zërat dominohen ndjeshëm nga importi.

Ish – i dërguari special i Bashkimit Europian për Kosovën, z.Wolfgang Petritsch tha se ka një përkushtim të qartë nga Brukseli, nga anëtarët e BE-së, sa i takon zgjerimit, që tregon qartë që në 2025 dy vende nga Ballkani Perëndimor do t’i bashkohen BE-së, ku Serbia është një nga ato. Pritet çelja e negociatave dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në qershor 2019”.

Duke vlerësuar organizimin e kësaj konference nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe TANJUG si një mundësi të mirë për të rritur bashkëpunimin, Petritsch theksoi se, sheh se sa e vështirë është situata në disa vende të tjera.

Petritsch shtoi se, sot situata është ndryshe nga ajo që përballeshim 20 vite më parë. “Para 20 viteve kishim dy aktorë të jashtëm që dominonin çështjen në mënyrë jo të suksesshme. Pra, kishim Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raporti i shteteve ka ndryshuar. Tani duhet parë dhe influenca ekonomike e Kinës, Rusia që luan një rol influencues, jo gjithnjë pozitiv, po ashtu kemi Turqinë me përqasjen otomane”, u shpreh ai.

Ish-ministri i Jashtëm, z.Paskal Milo tha se “nëse do flasim për prespektivën e marrëdhënieve shqiptaro-serbe duke patur parasysh të gjithë konponentët që përbëjnë shqiptarinë në planin rajonal atëherë çështjet nuk janë një por janë disa. Në aspektin politik çështja më e rëndësishme e imponuar nga historia është çështja e Kosovës”. Milo u shpreh se ,”tani të mendojmë të gjithë së bashku si do ecim në rrethana të reja duke e respektuar këtë realitet politik që ekziston dhe në këtë drejtim besoj se të gjithë kemi rënë dakort dhe mbështesim dialogun që ka filluar në Bruksel me ndërmjetësinë e Bashkimit Europian prej disa vitesh. Duke inkurajuar dialogun ne duhet të gjejmë forma dhe mënyra për ta lehtësuar procesin dhe kur them ne në rradhë të parë mediat ,shoqëria civile,shoqëria akademike pra me pak fjalë të gjitha shpresat e shoqërive respektive për të dhënë kontributin tonë” .

Koordinatorja e konventën kombëtare për Bashkimin Europian në Beograd, znj.Natasa Dreagojlovic tha se “Kosova nuk duhet të jetë një arsye për t’i bërë më të varfëra marrëdhëniet ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve”. “Mendoj se vendet tona nuk janë as më të mirë as më të këqinj se vendet e tjera por duhet të bëjmë përpjekje më të mëtejshme pasi ne jemi të dëmtuar në planin afatgjatë, për shkak të kaluarës dhe Kosova nuk duhet të jetë një arsye për ti bërë më të varfëra marrëdhëniet ndërmjet vendet tona”, -tha ajo. Dreagojlovic tha se e kaluara e dy vendeve është e njëjta pasi këto vende dalin nga sisteme totalitare. “Nëse ngelemi tek çështja e dy popujve në të kaluarën, s’do të kemi zgjidhjen konstruktive. Duhet të plotësohemi dhe të shkojmë drejt rrugës në BE. Pra, nëse deri fund të viti 2018 nuk do të zgjidhim çështjen atëherë do të ngrihet anëtarësimi. Pra, ndodhin luftra dhe në fund lufta përfundon me një marrëveshje armëpushimi si shembulli i Bosnje-Hercegovinës, apo ajo në

Maqedoni me marrëveshjen e Ohrit”, tha ndër të tjera ajo. Sipas saj, duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë për dy vendet, pra për Serbinë dhe Kosovën.

Share: