Në një artikull të fundit të saj, revista gjermane “Der Spiegel” thekson se Greqia muajin e ardhshëm do të fillojë të kërkojë nga Gjermania 280 miliardë euro të reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore, shumë që përkon thuajse me borxhin kolosal grek.
Lajmi publikohet vetëm disa ditë para vizitës së presidentit gjerman Frank Valter Stainmajer në Athinë dhe takimeve te tij homologun grek dhe kryeministrin Aleksis Tsipras.
Siç thekson revista, për sa kohë që Greqia ishte e ndërvarur nga mbështetja e BE-së, Aleksis Tsipras shmangte kërkimin e kompensimeve të luftës, ndërsa disa javë pasi Athina përfundoi programin e tretë të ndihmave, qeveria greke fillon një fushatë me pretendime për këto reparacione.
Raportin që do të shkojë për ratifikim në parlament, Greqia e ka pasur gati prej vitit 2016 ,por e mbante të mbyllur në sirtar për sa kohë ajo merrte ndihmë nga vendet e BE, ku pjesën e luanit e jepte Gjermania. Aty thuhet se Greqia ka të drejtë të kërkojë 269.5 mld euro kompensime nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe një kredi që Gjermania i ka marrë asaj në kohën e pushtimit prej 10.3 mld euro.
Gjithashtu, sipas raportit Greqia do të çojë çështjen edhe në gjykatat gjermane, në Këshillin Europian dhe në OKB, megjithëse, siç dihet, Berlini ka ripërsëritur shumë herë se çështja është e zgjidhur dhe se nuk ka asnjë borxh ndaj Greqisë.
Revista gjermane vlerëson gjithashtu se çështja e dëmshpërblimeve të Luftës së Dytë Botërore do të jetë pjesë e axhendës të takimeve të presidentit gjerman në Athinë, i cili midis të tjerash në programin e tij do të vizitojë vendin ku nazistët kanë pasur kampin e tyre të përqendrimit në lagjen greke Hajdhari të kryeqytetit.
l.h/ dita