Home Gjeo-Ekonomia Klithma e trishtë e një Guvernatori të tradhëtuar! Nga Dr. Enriko Ceko

Klithma e trishtë e një Guvernatori të tradhëtuar! Nga Dr. Enriko Ceko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i tradhëtuar nga ata që e sollën në detyrë, klithi me trishtim për gjendjen ekonomike të Shqipërisë në Konferencën “Politika monetare dhe integrimi evropian”, që u zhvillua në datën 1 Nëntor 2018.

Guvernatori Sejko ka ardhur në detyrë, duke zëvendësuar të mëparshmin Fullani, që nuk e mbylli mandatin e tij të dytë për shkak të skandalit të kartmonedhave 5.000 lekëshe të vjedhura.

Procedura e përzgjedhjes së Guvernatorit u qartësua me ndërhyrjen e Presidentit Nishani që propozoi Z. Sejko në këtë detyrë. Parlamenti votoi këtë përzgjedhje, dhe, ky votim ngarkon me përgjegjësi si pozitën ashtu dhe opozitën që të ndikojnë në harmonizimin e politikave fiskale (që i harton Ministria e Financave) me ato monetare (që i harton Banka e Shqipërisë) dhe në harmonizimin e politikave të zhvillimit të qendrueshëm dhe reformave institucionale dhe axhustimeve strukturore me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë për të patur rritje ekonomike, inflacion nën kontroll dhe punësim në një shkallë sa më të lartë, që janë edhe tre objektivat e politikës monetare.

Në fakt, duket se politikat fiskale të ndjekura nga ana e qeverisë shqiptare nuk është se janë në harmoni me politikat monetare të Bankës së Shqipërisë dhe strategjia e zhvillimit të qendrueshëm e trumbetuar me pompozitet nga ana e drejtuesve të lartë të shtetit, nuk është se ka sjellë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në jetesën e qytetarëve të thjeshtë dhe në përmirësimin e cilësisë së saj.

Edhe pse Guvernatori bëri artoparlantin e qeverisë, duke cituar statistikat zyrtare për rritjen ekonomike, eksportet, nivelet e investimeve të huaja direkte, normën e papunësisë, etj, ai theksoi se “shkalla e ulët e zhvillimit të tregjeve financiare, fenomeni i rritjes së kredive me probleme dhe niveli i lartë i huamarrjes në valutë, kanë frenuar përcjelljen e plotë të stimulit monetar në ekonomi.”

Guvernatori u shpreh se “sfidat përpara ekonomive globale do të jenë gjithnjë e më komplekse, duke nënkuptuar nevojën e një vendimmarrje sa më të informuar, kurajoze dhe në linjë me hapin e kohës”, që në fakt i mungon Shqiperisë. Është më se e vërtetë se në Shqipëri vendimmarrja në pothuajse tërë periudhën e ekzistencës së shtetit, ka qenë atribut i kreut të shtetit, nën presionin e mungesës së informacionit cilësor.

Klithma e trishtë e Guvenratorit Sejko u bë mjaft e dukshme kur ai tha se “e ardhmja karakterizohet nga shumë të panjohura, ndërkohë që nga të gjithë politikëbërësit kërkohet gjetja e opsioneve të vlefshme dhe mëse të nevojshme për të lehtësuar vendimmarrjen e një Banke Qendrore, jo vetëm nga këndvështrimi i mirëmenaxhimit të politikës monetare, por edhe nga këndvështrimi i stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve dhe ekonomisë nga goditjet ekonomike e financiare”.

Ajo që shqetëson shqiptarët me dy pare mend në kokë janë pyetjet e madhe: “A janë të aftë politikëbërësit shqiptare në të tëra nivelet që të gjejnë opsione të vlefshme dhe mëse të nevojshme për lehtësimin e vendim marrjes jo vetëm të Bankës së Shqipërisë, por në vendim marrjen në përgjithësi të institucioneve tona? A janë në gjendje politikëbërësit shqiptarë që të garantojnë stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve dhe ekonomisë nga goditjet ekonomike dhe financiare?

Unë mendoj se jo. Sipas pikëpamjes time, politikëbërësit shqiptarë, në të tëra nivelet, janë ndër individët më të paaftë të strukturave politike, administrative dhe sociale në vend.

Guvernatori Sejko theksoi se “nevoja për bashkërendim të politikave brendshme, si dhe rritja e bashkëpunimit dhe ndërveprimit midis tregjeve dhe autoriteteve, është evidente, dhe se duhet t’i hapet rrugë ristrukturimit të plotë të arkitekturës së rregullimit e monitorimit të sektorit financiar, të krijohen mekanizma funksionalë të shkëmbimit të informacionit dhe të koordinimit midis agjencive rregullatore, si dhe t’i hapet rrugë reformave konkrete të zhvillimit të sistemit financiar, veçanërisht në fushën e tregjeve të kapitalit dhe të sistemeve të pagesave”.

Ekonomia shqiptare, edhe pse e vogël, me ato vështirësi që ka, është mjaft problematike për manaxhimin e politikës monetare, shtuar këtu faktin se nuk ka model ekonomik dhe se rritja ekonomike bazohet kryesisht te borxhi afatshkurtër.

Nga ana tjetër, hapsirat e politikës monetare ngushtohen dhe kosto e ndërhyrjes me politika monetare rritet sepse normat natyrore të interesit paraqiten në rënie, ka ngadalësim të produktivitetit dhe i ritmit të inovacionit, trende të pafavorshme demografike, etj. në vendet e zhvilluara; apo dhe riciklimi i kursimeve nga vendet në zhvillim drejt atyre të zhvilluara. Kjo rënie sjell reduktimin e hapësirave për politika monetare stimuluese konvencionale në të ardhmen.

Parë në këndvështrimin pozitivist, Guvernatori Sejko e ka të qartë se politika monetare duhet të ketë objektiva sa më të qarta, ajo është e kufizuar dhe efektet e saj zvetënohen në përiudhën afatgjatë dhe ka efektivitet të kufizuar në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Kufizimi shtohet edhe më shumë në rastin e krizave financiare dhe në kushtet e rritjes së riskut të sistemit financiar. Por, thirrja e tij serioze, që këtyre kufizimeve t’u përballemi me plotësim dhe koordinim të politikës monetare me politika të tjera të administrimit ekonomik, duket si thirrje në eter, sepse “politika monetare, e vetme, nuk disponon instrumentet e duhura për të gjeneruar një përshpejtim të qëndrueshëm të ritmit të rritjes në afatin e gjatë dhe se ky kufizim nënvizon faktin se politika monetare nuk është dhe nuk mund të jetë zëvendësues i reformave strukturore”, që për hir të së vërtetës nuk kanë qenë të prekshme në hapsirën ekonomike e financiare në vend.

Pra, mungesa e një modeli ekonomik, kombinuar me mungesën e reformave institucionale dhe axhustimeve strukturore janë dështime të politikëbërjes shqiptare. Banka e Shqipërisë, në mungesë të tyre, mbetet si peshku pa ujë. Ajo ka në dorë vetëm ndërhyrjet në normën e interest dhe tregun e parasë, veprime që janë të mangëta përballë gjendjes së ekonomisë shqiptare në asfiksim.

I tradhëtuar, Guvernatori Sejko bëri të qartë përpara specialistëve të fushës dhe publikut se dështimi i klasës politike shqiptare mund të çojë në kriza ekonomike dhe financiare, që në fund të fundit rëndojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në kurriz të qytetarëve dhe se politika monetare e ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë, nuk mjafton për të mbrojtur ekonominë në përgjithësi dhe kursimet e qytetarëve në veçanti.

Klithma e trishtë e Guvernatorit të tradhëtuar është një këmbanë alarmi se sistemi ka rënë dhe se klasa politike në vend është e dështuar.

Share: