Nga Enver Bytyçi
Të dielën e ardhëshme në Paris me ftesë të presidentit Macron do të mblidhen shefat më të rëndësishëm të shteteve dhe qeverive europiane e më gjerë. Ata janë ftuar për të përkujtuar nënshkrimin e mmarrëveshjes së paqes midis Francës së Gjermanisë në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Macron do të organizojë një manifestim gjigand për një ngjarje, më e dyshimta në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sa i përket pasojave që solli për botën dhe civilizimin.
Ky manifestim i bujshëm synon të dëshmojë fuqinë individuale të Macron, si dhe atë nacionale të Francës. Presidenti i dështuar francez ka nevojë të përkëdhelë sedrën dhe ambicjen nacionale të francezëve, me qëllim që të fitojë disa pikë shtesë në kredibilitetin e tij të brendshëm e të jashtëm politik. Por ai kërkon gjithashtu të sfidojë partnerët ndërkombëtarë, veçmas ata europianë e parasëgjithash Gjermaninë.
Marrëveshja e nënshkruar më 11 nëntor 1918, ora 12.55 midis Francës dhe Gjermanisë i dha fund Luftës së Parë Botërore. Ajo marrëveshje pati vetëm një impakt pozitiv – i dha fund një lufte më shumë se katër vjeçare, e cila shkaktoi rreth 10 milion vitiktima. Në të kundërt marrëveshja francezo-gjermane e 11 nëntorit 1918 mund të konsiderohet si fillimi i një katastrofe gati dhjetë fish më të tmerrshme se sa Lufta e Parë Botërore. Solli Luftën e Dytë Botërore.
Me këtë marrëveshje Franca iu imponua me kushte poshtruese Gjermanisë, ndonëse Lufta e Parë Botërore ishte një luftë ballore ushtrish, nga e cila një palë do të ishte fituese dhe pala tjetër humbëse. Fuqitë e Boshtit, përkatësisht Gjermania, Perandoria Austro-Hungareze Turqia dhe Bullgaria e humbën luftën përballë Aleancës së shteteve si Britania e Madhe, Rusia, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Humbësit, sipas marrëveshjes në fjalë dhe vendimeve të Konferencës së Versajës, do të paguanin një çmim të jashtëzakonshëm.
Historikisht Europa ishte shndërruar në shesh beteje midis shteteve të ndryshme për shumë shekuj nga rënia e Perandorisë Romake. Të njohura janë luftrat e gjysmës së parë të shekullit XVII, ku më të përmendura mbeten luftrat 30 vjeçare pas lindjes së protestantizmit të Martin Luter si dhe luftrat midis Francës dhe Suedisë, në të cilën u përfshinë dhe gjermanët. Pas këtyre luftrave, me 24 tetor të vitit 1648 u zhvillua në Osnabruck dhe në Munster një Konferencë, në të cilën u nënshkrua një marrëveshje, e cila tashmë njihet si Marrëveshja e Ëestfalisë. Kjo marrëveshje mori shumë vendime, por dy ishin parimore dhe me pasoja pozitive në dobi të paqes dhe stabilitetit në kontinent. Së pari, ajo zyrtarizoi besimin protestan si institucion fetar dhe së dyti përcaktoi rregullin sipas të cilit në një luftë, pas përfundimit të saj, duhet të trajtohen njëlloj si fituesi, ashtu dhe humbësi.
Ky parim u zbatua në të gjitha marrëveshjet e mëvonshme të paqes, aq sa në qershor 1815 humbësit të madh të betejës së Vaterlosë, Naoleon Bonapartit, iu fal jeta, megjithëse ishte shkaktari i një katastrofe europiane. Franca e mundur e Ëestaflisë, që përfitoi për shkak të parimit të drejtësisë në gjykimin ndërkombëtar në mesin e shekullit XVII bëri të kundërtën në marrëveshjen e 11 nëntorit të vitit 1918. Ajo i diktoi Gjermanisë kushte poshtruese pas Luftës së Parë Botërore, madje imponoi në Paris vendime, të cilat cënuan integritetin territorial të saj, përveç reparacioneve pafund që do paguheshin në një hark kohor prej 50 vitesh. Kjo ndodhi përkundër faktit se atë luftë e filloi Serbia e Rusia dhe se Lufta e Parë Botërore ishte pasojë e kundërshtive në projektet për Ballkanin. Projekti i humbësve, pra projekti i Austro-Hungarisë për krijimin e shteteve kombëtare në Ballkan, pas një shekulli rezultoi si projekt realist dhe i drejtë,, pavarësisht se ai projekt humbi bashkë me humbjen e luftës nga Austro-Hungaria. Me fitoren e Francës së para një shekulli, Europa humbi po ashtu një shekull në Ballkan!
Por ajo që bie në sy nga ky manifestim i Emmanuel Macron lidhet me faktin se Franca ende ushqen mendësinë e Luftës I Botërore. Presidenti i saj demonstron si sukses të vendit të tij një padrejtësi, madje në shkelje të rregullit ndërkombëtar të atëhershëm. Macron me këtë akt dëshmon karshillëk ndaj politikave të paqes dhe sigurisë europiane të sotme. Ndërkohë që ai dëshiron të frymëzohet nga ato vendime ogurzeza për padrejtësi të reja në zgjidhjen e problemeve ndërkombbëtare.
Presidenti francez ka ftuar në këtë veprimtari presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ftesa është sajuar si një akt simbolik e si përkrahje për dy presidentët për arritjen e marrëveshjes midis tyre për ndarjen e Kosovës. Por zhvillimet kësaj radhe vijnë kokëposhtë. Franca e Luftës së Parë Botërore dhe Kosova e kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë patën të njëjtin fat, u radhitën me koalicionin fitues. Kosova, pa mbështetjen e NATO-s vështirë se do ta fitonte luftën kundër Serbisë së Milosheviçit dhe Franca e para një shekulli pa mbështetjen e aleatëve si SHBA, Britania e Madhe, Italia e Rusia kurrë nuk do ta fitontë luftën me Gjermaninë e asaj kohe. Për pasojë nuk do të kishte as marrëveshje poshtëruese për Gjermaninë.
Nëse ruajmë relacionet krahasuese dhe Kosova do të duhej të sillej si Franca e 11 nëntorit 1918, atëherë Kosova duhej t’i merrte Serbisë edhe Nishin. E megjithatë, Macron ka vendosur një standard të kundërt në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Interesi i tij nuk është Kosova e shtrirë përtej kufijve të saj, madje as Kosova e sotme e pavarur e sovrane në kufijtë e saj. Interesai francez është një Kosovë e cunguar e paaftë të mbijetojë si shtet i pavarur. Prandaj Macron ka thirrur në këtë event dy protagonistët e ndarjes së Kosovës, ndërkohë që i treti, Edi Rama, ende nuk ka konfirmuar pjesmarrjen e tij.
Emmanuel Macron me këtë event përkujtimor po nxit përçarjen europiane dhe më gjerë dhe po dëshmon se i përket një estabilishmenti të vjetër konvencional të filimit të shekullit 20-të. Rikthimi i hijeve të asaj periudhe është sinjal i mjaftueshëm për të kuptuar se në Francë Marie Le Pen ka një gjë më positive se presidenti aktual Macron – ajo është me sinqertë në pikëpamjet e veta, për pasojë ka më pak mundësi që të mashtrojë dhe joshë viktimat e saj. Hashim Thaçi shkon te Macron si viktimë, ndërkohë që i duket vetja se është “hero”!
Tirane, 04.11.2018