Home KRYESORE Ben Blushi me platforme ne Kongresin e PS-se

Ben Blushi me platforme ne Kongresin e PS-se

Deputeti Ben Blushi deklaroi se, do të paraqitet me një platformë të tijën politike në Kongresin e Partisë Socialiste, që do të mbahet më 19 mars, duke lënë të hapur kështu kandidimin për kryetar përballë Edi Ramës.

Ben Blushi në një prononcim ekskluziv për Top Channel me gazetarin Muhamed Veliu, Blushi theksoi se megjithatë e rëndësishme është që në parti të ketë një proces zgjedhor demokratik.

TCH: A do të garoni për postin e kryetarit të partisë, përballë Edi Ramës?

Ben Blushi: Nuk është kjo çështja. Çështja është nëse ka, apo jo, zgjedhje. Duhet të pyesni Edi Ramën dhe duhet ta japë këtë përgjigje besoj. Pse i pengon zgjedhjet për kryetarin e partisë? Kjo është dilema e madhe e këtij Kongresi. Pra, a do të ketë, apo jo, zgjedhje për kryetarin e partisë? Sigurisht që duhet të ketë, sepse mandat 7-vjeçar nuk ka kryetar partie që të ketë. Është e pamundur, e padrejtë, e papërligjur, jashtë çdo tradite tonën dhe europiane, që një kryetar partie të ketë një mandat të përhershëm. Nëse shkohet për këtë në Kongres, unë nuk mund ta pranoj. Në ditën që do të ketë zgjedhje, do të them nëse do të kandidoj apo jo.

TCH: Nëse do të ketë garë, ju jeni i gatshëm për të kandiduar?

Ben Blushi: Besoj se ka arsye, që të ketë më shumë se një kandidat në këtë Kongres. Jo vetëm për t’i dhënë kuptim garës, por sepse Partia Socialiste ka nevojë për një platformë alternative, sesi të qeveriset më mirë; çfarë qëndrimi duhet të mbajë partia; koalicioni që ka, apo që duhet të ndërtojë, si dhe shumë çështje të tjera që janë në diskutim, të cilave Partia Socialiste pa kolegjialitet nuk po u jep përgjigjet e duhura.

TCH: A do të jeni ju njëri prej atyre në garë?

Ben Blushi: Ditën që do të ketë zgjedhje, do ta them me patjetër. Duhet të vendosim që të kemi zgjedhje njëherë. S’mund të ketë parti pa zgjedhje. Ditën që do të ketë zgjedhje, do të vendos se çfarë do të bëj. Por, pse nuk e pyesni Edi Ramën se, përse i pengon zgjedhjet në parti? Kush është arsyeja që i pengon?

TCH: Ka disa aludime, që po përgatiteni për ngritjen e një partie të re. Sa e vërtetë është kjo?

Ben Blushi: Unë jam në një parti, jam pjesë e një partie politike që nga viti ’97, shpresoj që ajo të bëhet më e mirë dhe po përpiqem që ajo të përmirësohet, sepse besoj që ka mundësi të përmirësohet. Kam një pyetje për të gjithë: A mund të ketë një vend demokratik, nëse partitë e veta nuk janë demokratike? A mund të jetë Anglia, për shembull, apo vendet e Europës në përgjithësi, vende demokratike, nëse partitë e tyre nuk bëjnë zgjedhje, janë monokratike, nuk përfaqësohen të gjithë ata që mendojnë ndryshe, nuk ka zgjedhje, s’ka kolegjialitet? Imagjinoni për shembull në Britaninë e Madhe, sikur laburistët të mos kishin zgjedhje dhe t’i jepnin kryetarit mandat të përhershëm? Kjo është ajo fatkeqësi, që po ndodh sot në Shqipëri. Prandaj të gjithë problemet që kemi sot, kriminalizimin, financimet e dyshimta, mungesën e kolegjialitetit, vendime jashtë statutit e që bien ndesh me programin… Sidomos në rastin tonë kjo po theksohet, nuk po qeveriset si një parti e majtë. Këto pra, gjithmonë e më shumë bëhen prè apo vendime të një njeriu. Unë jam kundër kësaj praktike dhe po shkojmë në Kongres për ta refuzuar këtë vullnet.

TCH: A do të keni një platformë tuajën në Kongres?

Ben Blushi: Sigurisht që po. Është e sigurtë që do të kem, ose do të mbështes një platformë.

Share: