Si asnjëherë më parë studentët e Vlorës e kanë vënë kryeministrin Rama në vështirësi duke i përmendur shtëpinë në Surrel dhe jetën e luksit. Në fillim një student i tha si e bleve shtëpinë në Surrel e më pas një vajzë i dha “ju bëni jetë luksi, ndërsa populli është në vështirësi ekononike”.
Rama i cilësoi këto gënjeshtra që janë artikuluar nga opozita. Unë s’jetoj në luks, tha Kryeministri, ndërsa shtëpinë e kam të deklaruar në çdo detaj.
“Unë nuk kam deklaruar se kam vetëm 2 mijë euro në bankë, kjo është gënjeshtër. Unë kam qenë emigrant dhe si emigrant, si të gjithë kam bërë edhe unë pjesën time të sakrificave në emigracion. E dyta, shtëpinë jo vetëm që është e deklaruar në cdo detaj, por edhe taksat i ka të gjitha të regjistruara. Mos u bëj si Saliu të keqen vëllai”.
Jeta e luksit
Rama: “Çdo ministër dhe kryeministri e ka të ndaluar të bëjë pushime jashtë vendi, meqë më fole për udhëtimet turistike. Është hera e parë në historinë e një shteti që dhuratat, që merr, nuk i merr kryeministri, por regjistrohen dhe ruhen në Kryeministri. Kur të iki nga kryeministria, kush do të vijë do të shikojë që aty kanë kaluar njerëz, kanë lënë dhurata dhe ato i përkasin popullit shqiptar”.
“Unë nuk bëj udhëtime turistike dhe në rastet kur udhëtoj për arsye të jetës time si artist, shpenzimet i paguaj vetë dhe jo shteti. Unë nuk lejoj në luks, ti mund të qeshësh sa të duash, kam një shtëpi në një vend, ku janë ndërtuar 400 mijë në 20 e ca vite dhe mbi të gjitha kush më njeh e di mirë se nuk jetoj për të fituar, por fitoj për të jetuar. Në këtë punë nuk jam për të bërë pasuri, por për të dhënë atë që mund të jap, që fëmijët e mi nesër të kenë një vend më të mirë, se do të kishin nëse nuk do të isha unë këtu dhe këtë do ta bëj. Shqipëria ka varfëri patjetër” deklaroi kryeministri./opinion.al