– Libri i njëmbëdhjetë i autores në gjuhën italiane
Një tjetër sukses për poeten dhe shkrimtaren shqiptare Irma Kurti. Sapo doli nga shtypi libri i saj i ri me poezi i titulluar: “Il sole ha emigrato” (Dielli ka emigruar), botuar nga Edizioni Convalle. Ai ndjek botimet e tjera në gjuhën italiane, pas romaneve, përmbledhjeve me tregime e poezi.
Parathënia është shkruar nga kritiku dhe poeti italian Lorenzo Spurio, i cili kohë më parë ka kryer një studim për krijimtarinë e poetes shqiptare titulluar: “Kur fiket një histori- poetika e Irma Kurtit”.
Në të, ndër të tjera shkruhet: “Përqasjet komunikuese, motivet për reflektim dhe tematikat që dallojnë natyrën poetike të Irma Kurtit i gjen me shumicë edhe në përmbledhjen e re me poezi: “Dielli ka emigruar”, titulli i të cilit nxjerr menjëherë në pah arsyet e largimit dhe të errësirës, mungesës dhe boshllëkut.
Termi “emigron” është zgjedhur me kujdes nga poetja për të nënkuptuar jo vetëm natyrën e dyfishtë të saj si grua shqiptare të naturalizuar në italiane, por mbi të gjitha sentimentin e vetmisë dhe pikëllimit, të mungesës së ndriçimeve të një moshe të pasur dhe plot dritë të jetuar në shoqërinë e prindërve të dashur, të cilëve u është dedikuar vëllimi.”.
Irma Kurti është fituese e dhjetëra çmimeve prestigjoze në konkurse letrare ndërkombëtare në Itali e në Zvicrën Italiane. Ajo ka botuar shtatëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe dhe tre në anglisht.