Modeli i famshëm italian i burgjeve “41 bis” do të aplikohet edhe në vendin tonë. Lajmi u bë i ditur sot nga ministrja e Drejtësisë gjatë një konferencë ku merrte pjesë dhe prokurori i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho. Këtij regjimi shterngues do i nënshtrohen 270 të dënuar ose që janë në proces gjykimi, që dyshohet se mbajnë kontaktet me botën e krimit jashtë hekurave.
Për ministren Gjonaj regjimi i ri i sigurisë në burgje, sipas modelit italian 41 Bis, “është një hap më tej në konsoldimin e luftës kundër krimit të organuizuar, hap që do të shoqërohet nga iniciativa të tjera siç është paketa antikrim, e cila do të prezantohet shumë shpejt dhe që ka si synim ndryshime legjislative dhe ndërhyrje thelbësore në kuadrin ligjor aktual, përfshirë edhe reformimin e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.
Këto inciativa do të ecin paralelisht edhe me zbatimin e Reformës në Drejtësi,e cila sipas Ministres së Drejtësisë tashmë është rrugën e duhur dhe po jep frytet e para.
Prokurori i antimafias e cilësoi ligjin “41 bis”, si shumë të rëndësishëm. “Ky instrument ligjor është shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, duke qenë se kufizon mundësitë për të komunikuar me jashtë, veçanërisht për pjesëtarët e organizatave kriminale, që mund të vazhdojnë nga brenda burgut të drejtojnë aktivitetet e bandave të tyre kriminale, të japin udhëzime dhe të menaxhojnë aktivitetet e tyre të paligjshme”, ka theksuar De Raho.
Çfarë është “41 bis”
Për herë të parë të parë në Itali termi “41-bis” është prezantuar në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovani Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostrës, Toto Rina në nëntor të 2017-ës, “41-bis” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje.
Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.
Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish. /Ri-De/opinion.al