Home KRYESORE Aborti në Turqi: Pothuajse i pamundur!

Aborti në Turqi: Pothuajse i pamundur!

Nga Burcu Karakaş

Në Turqi aborti është legal. Megjithatë gratë që duan të ndërpresin shtatzaninë përballen me shumë pengesa. Vëzhguesit thonë se pengesat e bëjnë abortin De-facto-të ndaluar. Kjo ka të bëjë edhe me presidentin Erdogan.

“Në fakt unë kujtoja se do të vija në ndonjë spital. Por jo. Në vend të një spitali shkova në një apartament në katin e dytë të një ndërtese trekatëshe. Një burrë me një cigare në dorë më hapi derën. Unë u futa në një banesë që kishte dhomë ndenjeje dhe kuzhinë. Banja që ndodhej në të ashtuquajtur dhomë gjumi, ishte kthyer në një dhomë për të bërë abortet. Tavolina ku bëhej ndërhyrja ishte e pistë dhe plot me gjak.”

Kur Gül tregon për lagjen Alibeyköy të Stambollit, ku ajo donte të bënte një abort, i kujtohet i gjithë tmerri. Ajo kishte përfunduar në një klinikë ilegale abortesh, të cilat shpesh ndodhen në apartamente të adoptuara. Në një kohë kur abortet në Turqi janë të lejuara. Ligji thotë: “Deri në fund të javës së dhjetë të shtatzanisë, me dëshirën e nënës mund të kryhet aborti, nëse nuk ekzistojnë probleme për shëndetin e saj”. Në raste përjashtimi abortet mund të kryhen deri në javën e 20 të shtatzanisë. Por realiteti është ndryshe.

Ndalohen nga spitalet

Deutsche Welle pyeti në disa spitale, por asnjë nga ato nuk donte të fliste duke dhënë vetëm informacione të pakta. Abortet kryhen kur bëhen përjashtime, u tha për shembull në në spital në Rize, në Detin e Zi. Argumentim zyrtar për këtë nuk ekziston: “Ne thjesht nuk bëjmë aborte”. Edhe në spitalin shtetëror në Nevsehir, abortet bëheshin vetëm në rastet e veçanta,  “të dëmtimit të shëndetit”, gjë që përcaktohet nga mjeku. Një spital privat nëGaziantep, në Turqinë lindore, shpjegon hapur: “Nuk na lejohet të bëjmë aborte. Ministria na e ka ndaluar.” Ministria e Shëndetit nuk e pranon një gjë të tillë dhe tregon ligjin.

Nursen ka punuar 30 vjet si infermiere. “Në spitalet shtetërore bëhen gjithnjë e më pak aborte. Disa thonë se gratë mund të shkojnë atje për abort, por spitalet i lënë grave takime që janë disa javë më vonë. Spitalet që bëjnë aborte mund të vendosen në presion. Bëhen përpjekje që të pengohen abortet, duke ndryshuar detyrat brenda spitalit dhe duke kontrolluar librin e llogarive.”

Infermierja Nursen, që ka dalë ndërkohë në pension, tregon për një rast të ndodhur në një spital shtetëror në pjesën aziatike të Stambollit. “Një grua e pamartuar shtatzënë erdhi në spital me mendimin që të abortonte. Kryeinfermierja dhe mjeku përgjegjës shkuan më pas në shtëpinë e saj dhe i mbushën mendjen ta lindte fëmijën. Gjë që ajo edhe e bëri.”

Në stacionin e lindjeve të një spitali shtetëror punon prej dy vitesh edhe G. Ajo thotë se për abortet ato i dërgojnë gratë në spitale private. “Tek ne gratë nuk bëjnë dot abort. Mund ta bëjnë vetëm nëse njohin dikë që punon në spital.”

 

Çështje parash

Sipas një studimi të Universitetit Kadir Has, spitalet shtetërore refuzojnë në 53 nga 81 provincat e Turqisë të bëjnë aborte vetëm me dëshirën e nënës. Në rajonet e Mesdheut dhe në Detin e Zi asnjë spital nuk bën aborte. Në gjithë Turqinë vetëm 7,8 përqind e 431 spitaleve lejojnë aborte. 11,8 përqind e spitaleve nuk kryejnë aborte në princip.

Docentja e Universitetit Mary Lou O´Neil kritikon këtë praktikë të Turqisë: “Nëse gratë nuk abortojnë dot kur duan, atëherë kjo është shkelje e të drejtës së tyre. Gra me pak para e kanë edhe më të vështirë me kufizimet e shtetit”.

Kostot e një aborti janë të ndryshme. Në një klinikë private Deutsche Welles iu tha se një abort deri në javën e gjashtë kushon 900 lira dhe çdo javë plus kushton 100 lira më shumë. Abort mbas javës së dhjetë kushton 1600 lira turke, rreth 270 euro.

Një mami e një spitali shtetëror në Stamboll, thotë që shteti nuk i merr përsipër kostot kur aborti bëhet me dëshirën e nënës. “Puna e mjekëve vlerësohet sipas një sistemi me pikë, por kjo nuk i sjell ndonjë përfitim spitalit. Prandaj thuhet është më mirë të mos bësh aborte.” Mjekët mund të bëjnë aborte vetëm kur shtatzania dëmton nënën ose fëmijën. Përndryshe gratë dërgohen në spitale dhe institucione të tjera.

 

“Gratë janë zënë ngushtë”

Şule Dursun punon në Fondacionin për shëndetin familjar dhe planifikimin. Sipas mendimit të saj, kufizimet e shumta për gratë kanë arsye politike: “Pas këtij ndalimi faktik të aborteve fshihet paniku që ekziston se popullsia nuk po rritet më.” Në programet sqaruese ajo takon gjithnjë e më shumë gra që nuk janë të qarta për metodat e mbrojtjes, edhe sepse spitalet nuk merren me një gjë të tillë: “Atmosfera po bëhet gjithnjë e më shumë konservatore dhe kjo pasqyrohet edhe në sistemin e shëndetësisë. Nuk ekzistojnë informacione dhe njëkohësishtt ndalohet faktikisht aborti. Gratë janë vënë si në darë”, thotë Dursun.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan pati deklaruar më 2008 se çdo grua duhet të bëjë të paktën tre fëmijë. Qëndrimin e tij ndaj abortit ai e bëri të qartë më 2012 kur tha: “Për mua aborti është vrasje”. Plani i tij i zhvillimit me dhjetë pika, parashikon rritje të popullsisë gradualisht. / DW

Share: