Home I pakategorizuar Edhe sot, ose je socialist, ose demokrat, ose LSI-st…

Edhe sot, ose je socialist, ose demokrat, ose LSI-st…

Nga Jonida Salku

Për çka më vjen më shumë keq është fakti që në këtë vend dhe në këtë popull, as rrotull meje, nuk gjej kurrkënd që jetë, s’po them mendje intelektuale se koncept i panjohur ky, por të paktën një mendje sportive, fleksibël, një kore truri me rrudha muskuloze, që përveç dy ekstremeve të gjithçkaje, të shohë edhe pikat e mesme që shtrihen përgjatë segmentit që lidh ekstremet. Nuk as shpresë të lindë një i tillë…

Pra, përfundimisht, populli shqiptar, secili populltar tek e tek, pa përgjithësim hiç, do ta ketë kurdoherë gati të ngrehur atë: gishtin tregues, për të të thënë se je se s’bën antishqiptar nëse kritikon shqiptarët dhe nuk shan grekët e serbët dhe je se s’bën atdhetar nëse djeg flamujt e këtyre dy të fundit dhe e bën shqiponjën dykaptinëshe tatuazh. Rrugë të mesme s’ka! Nuk mund të jesh kritik logjik.

Do të të thonë se je katunare nëse këpucët e tua nuk shkojnë me xhaketën apo nëse ta k’ënda mëngjeseve të mos trukohesh dhe je fashioniste qytetare nëse vesh taka 20-pondëshe në trotuaret me pllaka të thyera dhe makiazhi yt xixëllon një javë larg. Nuk mund të jesh thjesht një njeri që dëshiron të ndjehet rehat…

Po, do të të thonë se je komunist nëse dëshiron ta ngacmosh cipën e popullit me publikimin e ndonjë fotoje me konotacion humoristik të Xhaxhi Enverit dhe do të të mësojnë se Xhaxhi na paska qenë diktator. Jo ore jo! Aq diktator sa diktati i tij i represon këto mendje edhe sot dhe i kultivon brenda guackës së mbyllur të tjerë diktate, mospranime, represione, frustrime, fikje televizori kur flet Nexhmija.

Nëse bashkohesh me këtë populltarin që të thotë komunist, atëherë po që je demokrat. Rrugë të mesme s’ka! Nuk mund të jesh njeri neutral që do të gjesh veten tek një mendim logjik kritik, apo edhe politik. E kësisoj janë trashëguar deri në këtë ditë të freskët “intelektuale” këto stigma e etiketa. Edhe sot, ose je socialist, ose demokrat, ose LSI-st. Me patjetër! S’ke zgjidhje tjetër. Edhe fike televizorin kur flet Nexhmija!!!…..

Share: