Home KRYESORE Federata e Kosovës akuza të forta FSHF-së: Po punoni pas krahëve

Federata e Kosovës akuza të forta FSHF-së: Po punoni pas krahëve

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) shprehen të pa kënaqur me veprimet e FSHF­së dhe këtë herë në fokus është futbollisti Ylber Ramadani.

Mediat kosovare thonë se trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Redi Jupi, i ka bërë një ftesë mesfushorit të Partiznait – që ka luajtur me të rinjtë U­21 në Kosovë. Por veprimi i tij duket se nuk është pritur mirë nga menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala. Gazeta “Express” ka publikuar një reagim të zyrtarit të Kosovës në të cilin shprehet i habitur me kërkesën ndaj mesfushorit, për faktin se ai është në planet e trajnerit Albert Bunjaki.

“Vërtetë jemi çuditur jashtëzakonisht shumë nga ky veprim, duke pasur parasysh rrethanat e reja të dy Kombëtareve. Ne e kemi kuptuar vetëm nga mediat që përzgjedhësi i Shqipërisë U­21 e ka ftuar Ramadanin, një lojtar që tërë jetën e tij ka qenë i lidhur me futbollin e Kosovës, duke filluar me klubet e shumta të Kosovës, e për të vazhduar me reprezentacionet U­19 dhe U­21. Ajo që mund të konfirmoj është se, Ylber Ramadani është në listën e zgjeruar të përzgjedhësit Bunjaki që është dërguar në UEFA, në të cilën Kosova llogarit në ndeshjet kualifikuese për botërorin ‘Rusi 2018’. Kjo nuk duhet të nënkuptohet si ftesë e menjëhershme për të, por është pjesë e projektit të përzgjedhësit Bunjaki”,­tha menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala për “Gazeta Express”.

Share: