Home KRYESORE Kreu i OSBE: Zgjedhjet në Dibër treguan nevojshmerine e një reformë zgjedhore!...

Kreu i OSBE: Zgjedhjet në Dibër treguan nevojshmerine e një reformë zgjedhore! e plotë

Kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, mori pjesë sot në konferencën vjetore dhe takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Zyrtarëve Evropianë për Zgjedhjet (ACEEO), që po zhvillohet në Tiranë.

Ndër të tjera, ai tha se zgjedhjet e pjesshme më të fundit për kryetar bashkie në Shqipëri treguan edhe një herë se sa e nevojshme është që të ndërmerret një reformë zgjedhore e plotë, e cila do të garantonte, ndër të tjera, çpolitizimin e administratës zgjedhore dhe një barazi gjinore domethënëse në përfaqësimin politik dhe në komisionet zgjedhore.

“Zgjedhjet janë, sigurisht, baza e demokracisë. Në kuadër të qasjes gjithëpërfshirëse të OSBE-së ndaj sigurisë, proceset zgjedhore konsiderohen kyç për stabilitetin e çdo vendi. Kjo është një çështje e sigurisë si edhe një çështje teorike. Respektimi i të drejtave civile dhe politike të zgjedhësve dhe kandidatëve, administrimi i paanshëm i zgjedhjeve, aksesi i barabartë dhe mbulimi i ekuilibruar nga media, listat e sakta të zgjedhësve, numërimi dhe llogaritja e ndershme e rezultateve, pjesëmarrja e barabartë e grave në proceset zgjedhore, si dhe krijimi i mjedisi të lirë dhe të ndershëm për mbajtjen e fushatave zgjedhore, janë ndër parimet kyçe që synojmë të gjithë”, tha ai.

Sipas tij, “OSBE-ja dhe Zyra jonë për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ofron asistencë për zhvillimin dhe zbatimin e legjislacionit zgjedhor. Vëzhgimet, vlerësimet dhe rekomandimet tona lidhur me zgjedhjet kanë siguruar bazat për reformat zgjedhore në shumë shtete pjesëmarrëse të OSBE-së – duke përfshirë edhe Shqipërinë, dhe kjo është baza mbi të cilën ka punuar OSBE-ja në këtë vend. Këto janë partneritete afatgjata rreth vlerave themelore dhe, si gjithmonë, jam i lumtur dhe krenar që Prezenca e OSBE-së ishte në gjendje të ofrojë mbështetje financiare dhe mbështetje të tjetër lloji në realizimin e veprimtarisë së kësaj jave. Ne i kemi asistuar autoritetet shqiptare për më shumë se një dekadë për përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe për mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Wilton shtoi se, “Raportet e OSBE/ODIHR-it kanë theksuar, në mënyrë konsistente, se duhet rritur paanshmëria e komisioneve zgjedhore; se si kuadri ligjor nuk ofron transparencë të mjaftueshme lidhur me raportimin mbi financimin e fushatave; se punonjësit e sektorit publik vihen nën presion që të marrin pjesë në fushata apo të votojnë në një mënyrë të caktuar; se komisionet zgjedhore duhet të jenë edhe më të paanshme; dhe se si vijojnë pretendimet për blerje votash. Shqipëria, me shpresë, është gati duke filluar një reformë zgjedhore substanciale, bazuar te rekomandimet për dy zgjedhjet e fundit – rekomandime të hartuara si nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ashtu edhe nga ata vendorë. Ka konsensus të plotë për këtë. E megjithatë, zgjedhjet e pjesshme më të fundit për kryetar bashkie në Shqipëri – mbajtur më pak se dy javë më parë – treguan edhe një herë se sa e nevojshme është që të ndërmerret një reformë zgjedhore e plotë, e cila do të garantonte, ndër të tjera, çpolitizimin e administratës zgjedhore dhe një barazi gjinore domethënëse në përfaqësimin politik dhe në komisionet zgjedhore”.

“Prezenca e OSBE-së është e angazhuar që t’i asistojë autoritetet shqiptare të ndërmarrin një reformë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me angazhimet e përbashkëta ndërkombëtare. Gjithashtu, theksojmë se kjo reformë duhet të bëhet në kohë, në mënyrë që ligji të mund të zbatohet siç duhet para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm”, tha Wilton.

“Përfitoj nga rasti që më jep kjo veprimtari e shkëlqyer gjithëpërfshirëse, t’ju siguroj se Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë t’i mbështesë partnerët tanë në institucionet shqiptare në përpjekjet e tyre për të ofruar zgjedhje që përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare, si dhe kërkesat e qytetarëve”, përfundoi ai.

Share: