Home KRYESORE Vasili: Ilir Meta vendos këtë javë, a do jetë në koalicion me...

Vasili: Ilir Meta vendos këtë javë, a do jetë në koalicion me PD në zgjedhjet e 2017-ës

Gazetarja Eni Vasili me anë të një shkrimi në Gazetën Panorama, referuar emisionit të saj ku i ftuar i mbrëmjes ishte Lulzim Basha, bën me dije se kreu i opozitës i përmbushi të gjitha pritshmëritë dhe shkoi përtej tyre, pasi kërkoi dorëheqjen e ministres Nikolla për krizën e Maturës Shtetërore dhe pasi kërcënoi gjithëkënd që do të prekte votën në Dibër dhe ku akuzoi edhe njëherë qeverinë për lidhjet me drogën e krimin, ai nuk ngurroi të akuzonte politikën dhe median si autorë telenovelash turke në përgjigje të pyetjes se përse në diskutimin e tij politik nuk përdoret togfjalëshi “dyshja Rama-Meta”, në aludim të faktit se tashmë ekziston një marrëveshje e fshehtë Basha-Meta.

Vasili shkruan se politika shqiptare pëlqehet gjithmonë e më pak nga publiku i saj besimhumbur, ndërsa po të flasim për moralin, sipas saj, tema do të ishte pothuajse e pavend.

“Realisht, në dy orë intervistë Lulzim Basha e amnistoi Ilir Metën thuajse nga çdo përgjegjësi për qeverisjen katastrofike të vendit siç e quajti ai, duke e cilësuar atë thjesht si përgjegjës për mbajtjen në këmbë të qeverisë, duke i vënë në dispozicion numrat në Parlament. Basha mohoi të ketë lënë një bisedë të hapur me Ilir Metën për pakte të reja politike, por u deklarua jo i zhgënjyer nga qëndrimi i Ilir Metës për ligjin e vetingut, duke e quajtur një qëndrim natyral të një aleati në qeverisje”, shkruan Vasili.

Ajo shkruan me tej, Lulzim Basha, me një gjuhë të drunjtë thuajse elektorale, në një paragraf veshur me kushte vlerash dhe katarsis e përfshiu Ilir Metën në mundësinë e parakoalicioneve elektorale për 2017-ën.

“Ajo që kërkon Shqipëria është një koalicion vlerash. Kërkojmë të fuqizojmë pushtetin e qytetarëve dhe jo të zullumqarëve. Kjo vlen për çdo parti, duke përfshirë edhe Ilir Metën, meqenëse e përmendët”, citon Vasili nga fjala e kreut të opozitës.

Sipas saj, kjo deklaratë shënon fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke mundësuar ndryshimin edhe një herë të konfigurimeve politike, aleancave fluide, kulisave të fshehta dhe llogarive të numrave dhe votave për hambarin e çdo partie dhe koalcioni.

“Ilir Meta mbetet burri i “mikluar” i politikës”, shkruan Vasili në Panorama.

Ndërkaq, gazetarja ka aluduar se Lulzim Basha i ka lënë një derë hapur kreut të LSI-së Ilir Meta , por ende nuk dihet se a do të hyjë ai. Pavarësisht faktit, po të kujtojmë deklaratën e Berishës, ku thotë: “Bashkëpunimi i PD-së me LSI-në varet nga rezultatet elektorale dhe shumë faktorë të tjerë, por nuk mund ta mohoj që këto dy parti kanë një traditë bashkëpunimi”.

Vasili shkruan se Ilir Meta do të japë përgjigjen shumë shpejt po këtë javë nga një studio tjetër televizive. “Amerikane apo turke, një gjë është e saktë. Telenovela vazhdon…”, përfundon shkrimin ajo./Opinion.al

Share: