Endrit Zela dhe Endrit Qyqja të arrestuarit si pjesë e bandës së Emiljano Shullazit u lanë në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja ka fundosur bandën. Dy prej të arrestuarve iu është konfirmuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Dy të arrestuarit nuk kanë folur para gjykatës, por përmes avokatit të tyre nuk i kanë pranuar akuzat. Dy ditë më parë, Endrit Qyqja dhe Endri Zela u prangosën sapo hynë në burg, për të zhvilluar një takim me Shullazin.
Të dy, në bashkëpunim me shtetasit Emiljano Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike.
Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasit Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike.
Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Po në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qënë të pranishëm në disa momente kur shtetasi Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare.
Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit.
Në rastet e të dyshuarve Qyqja dhe Zela, rezulton se ndërmjet tyre dhe biznesmenit nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale. Për këtë arsye, kërkimi i parave është realizuar në mënyrë të padrejtë, si edhe duke përdorur dhunën fizike dhe verbale.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet e arsyeshme, bazuar në prova, se shtetasit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Shtrëngimit me anën të kanosjes për dhënie pasurie”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 109/b, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në bazë të veprimeve proceduriale të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit Qyqja dhe Zela, të cilat janë miratuar nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda./Lapsi.al