Home KRYESORE 200 VIP-at e 2015-s, ekonomia në udhëkryq

200 VIP-at e 2015-s, ekonomia në udhëkryq

Sipërmarrje nafte, që xhirojnë shumë para, por pak investime e punësim, biznese tregtuese e distributorë, që po vuajnë krizën e konsumit, kompani të reja, që brenda një viti qarkullojnë miliarda e vitin tjetër “zhduken” si me magji, aktivitete lojërash fati, që u “ndrin” atyre vetë fati, koncesionarë, që kanë marrë “dhuratë” një monopol apo një aktivitet të sigurt, që gjeneron fitime të larta… Është kjo pasqyra e pjesës më të madhe të 200 kompanive me qarkullim më të lartë të të ardhurave në vitin 2015, që në fakt reflekton panoramën e të gjithë ekonomisë shqiptare, që nuk po ndryshon prej vitesh: një ekonomi e orientuar nga konsumi, që nuk prodhon pothuajse asgjë, pa një vizion të qartë se ku do të shkojë në të ardhmen dhe asnjë ngacmim të dukshëm nga ndonjë politikë shtetërore për ta orientuar diku. Mungojnë bizneset e reja prodhuese e përpunuese, që do të zëvendësonin sektorët që po shkojnë drejt maturimit (si ndërtimi), apo ato që po vuajnë krizën e konsumit, ku ka shumë shitës e pak blerës.
Në listën e 200 më të mëdhenjve për vitin 2015 mbizotërojnë kompanitë me aktivitet tregtar, që në pjesën më të madhe janë financues direkt të importeve, me 43 të tilla, të ndjekura nga bizneset e naftës që arrijnë në 24. Ndërtimi vijon të mbijetojë, i varur tashmë më së shumti nga investimet publike dhe projektet e reja të gazsjellësit e hidrocentraleve (me 17 kompani të tilla në listë). Vërtet te 200 më të mëdhenjtë ka 19 sipërmarrje në industrinë përpunuese e prodhuese, por më e madhja prej tyre, Kurum, është tashmë në proces falimentimi, ndërsa të tjerat janë kryesisht në prodhimin e çimentos, apo të materialeve të ndërtimit. Numërohen me gishta eksportuesit, si Donianna, Fital, apo industria përpunuese, si EHW, Kombinati i Mishit, Bloja, Shoqëria Anonime Mielli, Birra Tirana, Coca Cola, apo Coral, në përpunimin e peshkut, që është një hyrje e re.
Në total, 200 sipërmarrjet më të mëdha në vend kanë deklaruar të ardhura prej 910 miliardë lekësh, apo rreth 6.5 miliardë euro. Kjo shumë është sa rreth 65% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndaj performanca e këtyre kompanive ka rëndësi tepër të madhe për të vlerësuar ecurinë ekonomike të vendit.

Xhiro e VIP-ave
Në total, 200 sipërmarrjet më të mëdha në vend kanë deklaruar të ardhura prej 910 miliardë lekësh, apo rreth 6.5 miliardë euro. Kjo shumë është sa rreth 65% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndaj performanca e këtyre kompanive ka rëndësi tepër të madhe për të vlerësuar ecurinë ekonomike të vendit.

Ç’është më e keqja, në qarkullimin e parasë në vend dominojnë pikërisht kompanitë e naftës, që kanë deklaruar rreth 1.5 miliardë euro të ardhura, apo rreth 22% të totalit të xhiros së 200 VIP-ave. Segmenti i dytë është ai i aktiviteteve tregtare dhe importuese, me 1.1 miliardë euro të ardhura, që kryesisht është financues i importeve, duke nxjerrë paranë jashtë vendi. Të dy këta janë sektorë që xhirojnë sasi të mëdha parash, por që kanë pak ndikim në punësim dhe sidomos tregtia nuk “shquhet” për investime, që janë parësore në hapjen e vendeve të reja të punës.
Energjia është sektori i tretë, me të ardhura më të mëdha dhe që pritet të ketë tendencë rritëse, teksa në të ardhmen pritet t’i shtohen operatorë të rinj prodhues të energjisë, ku përfshihen Ashta.sha (austriakët e Verbund) dhe Devolli HP (norvegjezët e Statkraft) është ende në fazën e fundit të ndërtimit të HEC-it të parë të Banjës (nga tre gjithsej në ndërtim). Edhe liberalizimi i tregut të energjisë do të nxisë hyrjen e më shumë tregtuesve të energjisë.
Bankat dhe telekomunikacionet janë dy sektorë të qëndrueshëm dhe të mirëstrukturuar në pikturën e përgjithshme të ekonomisë, ndonëse me problematikat e tyre brenda çdo sektori.
Në listën e 200 të mëdhenjve janë renditur për herë të parë edhe agjencitë e udhëtimit, jo si rrjedhojë e rritjes reale të xhiros, por për shkak të ndryshimit të mënyrës së faturimit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të TVSH-së, ku përfshihen dhe biletat, jo vetëm komisionet, siç ndodhte më parë. Edhe INSTAT ka raportuar rritje dyshifrore të shifrës së afarizmit të agjencive të udhëtimit në statistikat e saj, por që më shumë se realitetin e rritjes së këtij segmenti, tregon ndryshimin në mënyrën e kontabilizimit. (më parë raportonin si xhiro, komisionin e vetë agjencisë, kurse tani totalin e volumit të faturimit të biletave edhe për linjat e avionit, që kanë aktivitetin të bazuar jashtë vendit).

10 KOMPANITË MË TË MËDHA

1. Kastrati SH.A.
Pasi ka “flirtuar” për vite me radhë me vendin e parë, kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, Kastrati SH.A. është renditur e para në 2015-n, ndonëse faturimi i saj shënoi rënie të ndjeshme, si pasojë e uljes së çmimit të naftës në treg. Kompania raportoi 51.4 miliardë lekë të ardhura, me një tkurrje prej 23% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga bilanci i saj. Si gjithnjë, Luigj Aliaj, drejtues në këtë shoqëri, nuk është entuziast. Ai pohon se, sidomos për shoqëritë e naftës, të ardhurat nuk tregojnë asgjë, pasi janë të varura nga çmimi i karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa në 2014-n, çmimet e larta çuan në rritjen e ndjeshme të xhiros, në 2015-n ndodhi e kundërta.

2. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike
Dy vitet e fundit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka shënuar ristrukturim të thellë, pasi iu rimor çekëve të CEZ, që pas privatizimit të dështuar e lanë në një situatë kolapsi financiar, të zhytur në borxhe e me humbje të mëdha. Në 2015-n, kompania ka përmirësuar ndjeshëm performancën, duke deklaruar rritje të të ardhurave me 8% në 51 miliardë lekë dhe fitim para taksave prej 18 miliardë lekësh, për t’u renditur në kompaninë e dytë më të madhe në vend. “Rezultatet e aksioneve të ndërmarra gjatë vitit 2015 i kaluan të gjitha pritshmëritë, ku që në 3 mujorin e parë 2015 shoqëria arriti për herë të parë të ketë një rezultat financiar pozitiv, që prej krijimit të saj në vitin 2007”, thotë z.Ardian Çela, administrator i OSHEE.

3. Bankers Petroleum
Teksa ka qenë për tre vjet radhazi kompania më e madhe në vend, në 2015-n, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion Patos Marinzën, Bankers Petroleum ka zbritur nga piedestali. Kompania ka parë rënie të ndjeshme të të ardhurave me 46%, në 36 miliardë lekë, sipas deklarimeve në bilancin e saj. Koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare, ku çmimet e naftës ranë nën 30 dollarë për fuçi në 2015-n ishte arsyeja kryesore e kësaj performance. 2015-a nuk ka qenë një vit i qetë për Bankers, as në marrëdhëniet me tatimet, që i bllokuan llogaritë në nëntor të vitit të kaluar, pasi AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) nuk i ka njohur Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime të vitit 2011. Në bazë të raportit, Tatimet iniciuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që Bankers u detyrohej tatimeve, por pasi u pajtua një auditues ndërkombëtar, ky i fundit i dha të drejtë Bankers. Në bilancin e vitit 2015, Kompania ka riparaqitur me ulje dhe të ardhurat e 2014-s, nga 67 miliardë lekë në rreth 61 miliardë lekë. Kompania ka mbyllur aktualisht negociatat për t’u shitur te kinezët e Geo Jade Petroleum, të cilët duket të kenë marrë edhe aprovimet e nevojshme në vendin e tyre, për të përfunduar këtë transaksion dhe për të regjistruar më në fund kompaninë në emër të tyre. Ndërkaq, pothuajse njëkohësisht me fitoren ndaj Tatimeve, Bankers ka firmosur edhe një marrëveshje me kompaninë që po merr në administrim asetet e ARMO-s në marrëveshje me kreditorët e saj, së cilës do t’i shesë 65% të prodhimit.
“Vitet e fundit kanë qenë sfidues për shkak të rënies së çmimeve të naftës”, thotë zv/Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum Albania”, Rob Carss. Ai shton se “Bankers” ka pasur një ecuri të mirë në 2015 dhe në 2016-ën, ka ruajtur stabilitetin financiar duke frenuar aktivitetin e tij me qëllim balancimin e shpenzimeve me flukset e të ardhurave.

4. Kurum International
Ndonëse tashmë është në proces falimentimi, prodhuesi i çelikut Kurum International renditet në vendin e pestë në 10 kompanitë më të mëdha për 2015-n. Kurum International (që përfshin aktivitetin e prodhimit të çelikut dhe të hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe HEC Ulëz e Shkopet) raportoi të ardhura prej 21.5 miliardë lekësh, me një rënie prej 13% me bazë vjetore. Kompania pa një përkeqësim të ndjeshëm të performancës, duke deklaruar një humbje prej 4.5 miliardë lekësh, nga fitimet prej 308 milionë lekësh vitin e mëparshëm. Në shkurt 2016, Kurum shpalli falimentin, duke cilësuar si faktorët kryesorë, sipas raportit në bilanc, rënien e sektorit të ndërtimit në vend, përkeqësimin e shpejtë të situatës në tregjet botërore të industrisë (tregjet e hekurit për ndërtim), situatën problematike të mëmës, ku Kurum San ve Dis Tic AS, si dhe Kurum Holding AS kanë vështirësi të mëdha në likuiditete dhe janë në proces për aplikim në gjykatat e Turqisë për faliment në formën e riorganizimit dhe strukturimit, si dhe mosrinovimin e linjës së kreditit nga bankat në Shqipëri. Ndërsa Kurum është në proces ristrukturimi, një tjetër sipërmarrje Albametal, që ka marrë një pjesë të aktivitetit të Kurum, është shfaqur në listën e më të mëdhenjve.

5. Korporata

Elektroenergjetike Shqiptare (KESH)
2015-a ka qenë viti i kompanive shtetërore të energjisë. Edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila tashmë administron vetëm asetet e kaskadës së hidrocentraleve në lumin Drin, ka përmirësuar ndjeshëm performancën. Të ardhurat e saj u rritën me 25% në 20 miliardë lekë, duke e futur atë në 10 më të mëdhatë. Edhe rezultatet financiare u përmirësuan ndjeshëm, nga humbja prej 22.1 miliardë lekësh në 2014-n, në një fitim prej 1.4 miliardë lekësh në vitin 2015.

6. Europetrol Durrës Albania
Europetrol Durrës Albania, operatori i dytë më i madh i tregtimit të naftës në vend, ka vijuar të jetë në 10 më të mëdhenjtë. Kompania pa një rënie të të ardhurave me 5%, si dhe simotrat e tjera të fushës së hidrokarbureve, në 18.6 miliardë lekë.

7. Banka Kombëtare Tregtare
Banka Kombëtare Tregtare, prej disa vitesh është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat. Qarkullimi i saj vjetor, sipas raportimit në bilanc, ishte rreth 144 milionë dollarë (banka ka zgjedhur të raportojë bilancin në dollarë, pasi kapitali i saj zotërohet tërësisht nga investitorë ndërkombëtarë). Bazuar në kursin e këmbimit të fundit të vitit (1USD = 125.79 USD), të ardhurat e BKT ishin rreth 18 miliardë lekë në 2015-n. Banka ka një aktivitet të qëndrueshëm, ndërsa niveli i kredive të saj me probleme, është ndër më të ulëtit në sistem. “Viti 2015 ishte i veçantë, pasi shënoi 90-vjetorin tonë dhe ishte i suksesshëm për BKT-në në disa aspekte”, ka pohuar Flet z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare . “Së pari, BKT ka vazhduar të konsolidojë pozitën e saj si banka më e madhe në Shqipëri në totalin e aktiveve, depozitave, kredive me pakicë, fitim neto dhe të përfitueshmërisë, si dhe arritjen e statusit numër 1 në totalin e kredive. Pjesa jonë e përgjithshme e tregut dhe fitimi neto arritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, me 25.9% dhe 50 milionë dollarë, respektivisht. Së dyti, ne me sukses ulëm raportin tonë të kredive me probleme (bazuar në IFRS) në 5.9%, një nivel i cili është pothuajse sa një e treta e NPL-së të të gjithë sistemit bankar. Së treti, kemi zgjeruar numrin e degëve tona në 90. Nga ana tjetër, ne jemi shumë krenarë për punën mbresëlënëse të BKT-së në Kosovë në vitin 2015; Dega ka rritur fitimin e saj dhe pagoi taksën e korporatave për herë të parë që nga fillimi i saj në vitin 2007”, pohoi drejtori i BKT.

8. Genklaudis SH.A.
Genklaudis SH.A. është këtë vit operatori i tretë më i madh i naftës në vend, duke ia kaluar Everest Oil, që në 2015-n ka dalë nga lista e 10 më të mëdhenjve (në 2014-n ishte i shtati). Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 18 miliardë lekësh, me një rënie 3% me bazë vjetore.

9. Info Telecom
Info Telecom e krijuar 2009-n, shënoi rritjen e parë të fortë në 2013-n, me një qarkullim vjetor nga 3.6 në 14.4 miliardë lekë. Në 2015-n, qarkullimi i saj vjetor ka arritur në 17.5 miliardë lekë, me rritje vjetore 11%, sipas bilancit të saj dhe punëson rreth 30 punonjës në fund të vitit 2015. Ajo ka marrë licencën nga AKEP për të ofruar shërbimet e telefonisë fikse publike, tranzitit kombëtar, tranzitit ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, përmes përdorimit të rrjetit të saj publik për shërbime elektronike dhe planit numerik të caktuar nga AKEP dhe megjithëse rezulton me xhiron më të lartë nga të gjithë subjektet e licencuara nga ky institucion, çuditërisht, për të nuk ka asnjë referencë në raportimet periodike të AKEP në Parlament për aktivitetin e sektorit të telekomunikacioneve. Në fakt, më shumë se një aktivitet klasik në fushën e telekomunikacionit, kompania duket të jetë e specializuar në fushën e shërbimeve të tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare tek operatorë realë të telefonisë në vend dhe në vendet fqinje. Ajo ka siguruar 78.6 milionë lekë të ardhura nga shërbimet e komunikimeve elektronike publike në Republikën e Shqipërisë, 8.8 miliardë lekë nga eksportet e shërbimeve dhe 8.6 miliardë lekë të ardhura të tjera (kundërparti për blerje me autofaturë), sipas deklarimeve në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Në 2015-n, Info Telecom ka arritur të ketë një xhiro vjetore më të lartë dhe se operatorët më të mëdhenj që ofrojnë shërbimin e telefonisë celulare Vodafone dhe Telecom Albania, duke dalë në vendin a parë ndërmjet subjekteve që ofrojnë shërbime telefonie.

10. Vodafone Albania
Vodafone Albania, operatori më i madh i telefonisë celulare në vend është renditur në vendin e 10, nga i 12-i që ishte një vit më parë. Por tashmë rezulton operatori i dytë i sektorit të telekomunikacionit në vend, i spostuar këtu prej Info Telecom. Kompania ka deklaruar në bilanc të ardhura totale (përfshirë të ardhurat e tjera nga interesat apo shitja e aparateve telefonikë) prej 15.8 miliardë lekësh, me një rënie prej 2% me bazë vjetore, pra rreth 1.6 miliardë lekë më pak se InfoTelecom.

SEKTORI I NAFTËS, NË RIKONFIGURIM

Nafta ka vijuar të jetë sektori me lëvizje të mëdha, mbyllje të kompanive, rritje apo rënie stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke tërhequr gjithnjë aktorë të rinj, ndonëse ka norma fitimi shumë të ulëta, sidomos tregtimi me shumicë. Kastrati SH.A., Europetrol Durrës Albania dheGenklaudis janë tre operatorët më të mëdhenj të tregtimit të shumicës.
Everest Oil, që vitin e kaluar ishte tregtuesi i tretë më i madh, ka parë rënie të ndjeshme të të ardhurave, me 64%, në vetëm 6.9 miliardë lekë, duke qenë kompania me tkurrjen më të madhe në këtë segment. Aktorët e tregut pohojnë se ka pasur rikonfigurim të këtij sektori, i ndikuar nga rënia e çmimeve të naftës. Disa shoqëri, që më parë furnizoheshin nga Everest Oil, tashmë kanë kaluar si importues direkt për llogari të tyre. Krahas Kastrati, Bolv Oil, Europetrol Durrës Albania, kanë depozitat e tyre në Porto Romano edhe Genklaudis, Gulf (Sun Petroleum) edhe Alpet (A.K.F Petroleum). Kjo dukuri është theksuar në 2016-n. Kompanitë, për të përballuar krizën dhe rënien e çmimeve, në vend që të ristrukturoheshin në logjistikë u zgjeruan dhe më shumë në importet direkte. Aktorët e tregut pohojnë se parashikohet që ky fenomen të zgjasë dy vjet, por tregu vlerësohet që nuk ka më shumë hapësira se për tre importues, duke përfshirë dhe rieksportet drejt Kosovës. Tregu i shumicës është pa fitim, pakica është ajo që të jep kthyeshmëri më të lartë. Nga të dhënat e bilanceve në vite, operatorët e shumicës nuk deklarojnë më shumë se 1-1.5% normë fitimi, ndërsa te pakica rritet në rreth 5-10%.
Pjesa më e madhe e kompanive të naftës kanë parë rënie të të ardhurave në 2015-n. Në total, xhiro e 24 shoqërive të naftës (shumicë e pakicë) që renditen mes 200 të mëdhenjve, përfshirë Bankers Petroleum, ka rënë me 26%.
Nga tregtuesit e naftës, tkurrjen më të lartë, përveç Everest, e kanë raportuar Klodi SH.A. (-54%) dhe 2 A & 2E (-58%).
Bolv Oil deklaroi rënie të të ardhurave me 17% në 5.9 miliardë lekë.
Në rënie të ndjeshme kanë qenë dhe kompanitë nënkontraktore të Bankers Petroleum, CROSCO Naftni servisi d.o.o- dega e Tiranës (-46%), Simmons Edeco Limited, Shqipëri (-35%).
Prodhuesi tjetër, me kapital shtetëror, Albpetrol, ka vuajtur dhe ai nga çmimet e ulëta, duke reduktuar të ardhurat me 75% në 3.2 miliardë lekë.
Eroil sh.a., një operator, i tregtimit me shumicë të naftës, i hapur në 2013-n, që u rrit me shpejtësi për të qarkulluar 5.3 miliardë lekë në 2014-n, një vit më pas raportoi të ardhura prej vetëm 844 milionë lekësh, duke u spostuar shumë poshtë në listën e më të mëdhenjve. Edhe Standart Oil sh.a., një tjetër hapje në fund të 2013-s me rritje të fortë në 2014-n (rreth 3 miliardë lekë të ardhura) ka rënë ndjeshëm, duke raportuar rreth 790 milionë lekë qarkullim vjetor dhe duke dalë nga lista e më të mëdhenjve.
Kanë qenë të pakta shoqëritë e naftës, që kanë njohur rritje. Zgjerimin më të lartë e ka shënuar Gega CENTER GKG, që ka raportuar dyfishim të të ardhurave. Kjo shoqëri ka qenë aktive në zgjerimin e rrjetit të pakicave, ndërsa ka marrë dhe pikat e ish-Taçi (IT) Oil.
Sun Petroleum Albania Trading, distributore produktesh nafte me rrjet retail, që operon nën brandin e Gulf Oil në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, e krijuar në tetor 2013, ka parë rritje të shpejtë, duke arritur një qarkullim vjetor prej 3.45 miliardë lekësh në 2014-n për t’u rritur edhe më tej me 39% në 2015-n, duke deklaruar 4.8 miliardë lekë të ardhura.
A.K.F. Petroleum, kompania sh.p.k që kryen tregtimin me pakicë të markës Alpet, ka parë rritje të të ardhurave me 10%, në gati 1.6 miliardë lekë.
Nuk kanë munguar as hyrjet e reja, ndonëse jo me ritmet e “shfrenuara” të 2013-2014.
Bolunmez Petrol është hapur në fund të vitit 2013, si shoqëri aksionere me aktivitet në tregtimin e hidrokarbureve, me zyra në Shëngjin dhe aksioner Mehmet Murat Bolunmez. Kompania ka parë një rritje të të ardhurave në 1.6 miliardë lekë në 2015-n, nga 330 milionë lekë në 2014-n.
Ndër daljet nga tregu veçohet kompania Kuarta. Ajo u hap në vitin 2012, si tregtuesi me pakicë i shoqërisë IT Oil, që mori aktivitetin e Taçi Oil, pasi Rezart Taçit, që shiti 85% të aksioneve të ARMO-s tek azerët, iu ndalua në kontratë aktiviteti i tregtimit të naftës. Në vitin 2015, Kuarta ka deklaruar një xhiro prej 1.4 miliardë lekësh, duke u renditur ende ndër 200 më të mëdhatë, për të pezulluar më pas aktivitetin në mes të 2016-s, ndërsa që në vitin 2014 kishte filluar mbylljen e pikave të tregtimit me pakicë të naftës, sipas deklarimeve në QKB. Në këtë mënyrë është mbyllur përfundimisht epoka e Taçi Oil International, dikur një nga më të mëdhenjtë e naftës, që arriti të renditej i treti në vitin 2010 me një xhiro rreth 100 milionë dollarë.
Rafineria e naftës ARMO në 2015-n pothuajse nuk ka funksionuar. Ndërsa në 2014-n raportoi një xhiro paraprake prej 3 miliardë lekësh, në 2015 nuk ka të dhëna për aktivitetin e saj, ndërsa bilanci i fundit i dorëzuar është ai i 2013-s. Megjithatë, dy nënkontraktorët e kompanisë, që shfrytëzuan Ballshin dhe Fierin, Deveron Oil Albania dhe TPD-Trading Petrol & Drilling, kanë raportuar të ardhura përkatësisht 11.9 dhe 11.3 miliardë lekë, duke u renditur te 20 sipërmarrjet më të mëdha sipas xhiros. Në shtator 2016 u bë publik lajmi se Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, duke premtuar vënien në punë të saj.

TELEKOMUNIKACIONET NDALIN RËNIEN

Tregu i telefonisë së lëvizshme ka ndalur rënien në 2015-n, pas dy viteve radhazi me tkurrje. Sipas të dhënave të raportuara nga kompanitë tek Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të ardhurat totale të operatorëve celularë ishin rreth 33.2 miliardë lekë në 2015-n (240 mln euro), me një rritje me bazë vjetore prej rreth 3%. Në 2013-2014, tregu kishte rënë mesatarisht me 12% në vit. Në llogaritjet e AKEP nuk përfshihet Info Telecom, që në fakt rezulton tashmë operatori më i madh i telekomunikacioneve në vend, sipas qarkullimit vjetor.
Vodafone vijon të mbetet operatori më i madh në tregun e telefonisë celulare, me të ardhura vjetore totale 15.8 miliardë lekë, duke zënë 47% të tregut të telefonisë celulare.
Të ardhurat totale të Telekom Albania (ish-AMC) arritën në 13.46 miliardë lekë në 2015-n, me një rritje prej 4% me bazë vjetore. Që prej vitit 2009, Telecom Albania kishte parë një rënie të vazhdueshme të të ardhurave, ndërsa pjesa e tregut ka zbritur në 34.2%, nga 48% në 2008-n. Në mes të vitit të kaluar, Telekom Albania (ish-AMC) ndryshoi identitetin, pas bashkimit me rrjetin gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom.
Në total, kompania Albtelecom, duke përfshirë dhe telefoninë fikse, kishte një qarkullim vjetor prej 10.2 miliardë lekësh, me një tkurrje vjetore prej 6%. Nga kjo shumë, të ardhurat e Albtelecom Mobile ishin 4 miliardë lekë (29 mln euro) në 2015-n, me rritje prej 2.2% në raport me vitin e kaluar.
Plus Communication, pa një rritje të ndjeshme të të ardhurave, me 20%, për të arritur në 2.2 miliardë lekë (16 mln euro).
Abcom është një tjetër operator i madh në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet). Për 2015-n kompania shënoi rritje të ndjeshme të të ardhurave me 59% në 2.4 miliardë lekë, sipas të dhënave nga tatimet. Kompania, që është në pronësi të fondit të Investimeve Bedminster Capital (pronar edhe i Spitalit Amerikan) ka qenë aktive në konsolidimin e tregut të kabllorëve, duke blerë operatorë kabllorë lokalë, por ndërkaq po aq të shpeshta kanë qenë edhe lajmet për interes për shitje tek operatorë të tjerë të fushës së telekomunikacioneve, por pa ndonjë konkretizim real.

DISTRIBUTORËT, TË KAPUR NË KRIZËN E KONSUMIT DHE RRITJES SË AKCIZËS SË CIGAREVE

Distributorët janë grupi tjetër i sipërmarrjeve që mbizotërojnë në renditjen e 100 më të mëdhenjve. Të përqendruara në segmentin FMCG (mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga raftet) ato janë mjaft të ndjeshme ndaj prirjeve të konsumatorëve për të shpenzuar.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur ata shënuan pothuajse të gjithë rritje dyshifrore, 2015-a ka qenë një vit i dobët. Operatorët më të mëdhenj kanë parë rënie të xhiros, ose rritje të ulët, ndërsa dhe fitimet janë tkurrur.
Distributori më i madh këtë vit ishte AGNA, me një qarkullim vjetor prej 12 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 4%.
Inter Distribution Service (pjesë e grupit INFOSOFT), ka parë një rënie të xhiros me 14% në 11.9 miliardë lekë. Grigor Joti, CEO i INFOSOFT, thotë se arsyeja kryesore lidhet me rritjen e akcizës në janar 2015, që frenoi importet e cigareve. Situata është përmirësuar këtë vit (2016), ku rritja e aktivitetit të kompanisë është të paktën 10%. Joti thotë se një tjetër faktor që i godet ata janë dhe importet paralele, që vijnë nga burime spontane. Megjithatë, Joti thotë që kompania nuk ka ndier rënie konsumi, pasi ata i “qëndrojnë në kokë punës”.
Importet e duhanit ranë me 14.5% në vitin 2015, sipas INSTAT, nga një efekt i kombinuar i rritjes së akcizës, por edhe nga zbatimi më rigoroz i ligjit kundër duhanit, duke i hequr tregut të paktën 8 milionë euro. Cigaret zënë një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të distributorëve, ndaj kjo tkurrje është reflektuar pothuajse tek të gjithë.

Marketing & Distribution, distributori i tretë më i madh në vend ka raportuar një rënie të të ardhurave me 15% në 11.2 miliardë lekë, sipas të dhënave nga tatimet (kompania nuk ka dorëzuar bilanc në QKB).
Alfa sh.a., kompania tjetër e grupit AGNA, kishte të ardhura prej 8.6 miliardë lekësh. Alfa sh.a., sipas burimeve të saj zyrtare është “bottling company” zyrtare e Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; Prodhuese e ujit Glina, dhe ujit mineral natyral Spring; Distributore e birrave Heineken, Amstel; e produkteve alkoolike të kompanisë DIAGEO, e verërave Tsantali dhe lëngjeve të frutave Vivid.
Rënie të thellë kanë deklaruar Tobacco Holding Group dheInterlogistic, përkatësisht me 27% dhe 15%.
Philip Morris Albania i ka rezistuar trendit rënës, duke deklaruar zgjerim të qarkullimit vjetor me 11.6%.
Rritje kanë raportuar dhe Elka SA dhe Albanian Distribution & Development, përkatësisht me 22% dhe 10%.
Euronuovo, që në 2014-n kishte të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, ka dalë nga tregu, pasi është blerë në mes të 2015-s nga Euro Investment Group. Kjo e fundit nuk rezulton në listën e më të mëdhenjve në 2015.
Kompanitë e distribucionit në përgjithësi kanë raportuar gjithmonë marzhe të ulëta fitimi, që luhaten në rreth 2%.

TREGTIA ME PAKICË

Ndër bizneset e tregtimit me pakicë, Neptun ka shënuar rënie me 16% të të ardhurave, në 5.8 miliardë lekë, pas rritjes së shpejtë prej 32% që shënoi në 2014-n, e ndikuar dhe Kampionati Botëror i Futbollit i zhvilluar në mes të 2014-s, teksa këto lloj eventesh kanë si efekt anësor një rritje të shitjeve të televizorëve. Samir Mane, president i grupit Balfin, që ka në pronësi Neptun, pohon se rënia e të ardhurave lidhet me rënien e eksporteve ndërkombëtare, si pasojë e luhatjeve të herëpashershme që pësojnë tregjet, ndërsa Neptun në tregun vendas është rritur në xhiro me 14%.
Dyqani më i madh i veshjeve në Shqipëri ka arritur që të jetë brenda pak kohësh ITX ALBANIA, në pronësi të grupit Zara Holding B.V. Në vitin e dytë të plotë të aktivitetit, të ardhurat e tij ishin 1.93 miliardë lekë (rreth 14 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 61% në raport me 2014-n. Grupi Zara rezultoi me fitime të kënaqshme prej rreth 520 milionë lekësh para taksave, me një normë fitimi bruto prej 27%.
LC WAIKIKI Retail AL sh.p.k është operatori i dytë më i madh i tregtimit të veshjeve në Shqipëri, duke ia lënë në 2015-n Zara-s vendin e parë (vitin e kaluar ishte ajo në vend të parë). Sipas të dhënave nga tatimet, qarkullimi i saj vjetor në 2015-n ishte 1.63 miliardë lekë (rreth 12 milionë euro) me një rritje prej 22% me bazë vjetore. Fitimi para taksave ishte 337 milionë lekë, me një normë fitimi prej 21%.
Rossmann-Lala, rrjeti gjerman i marketeve, ka vijuar me ecurinë pozitive, duke rritur të ardhurat me 16% në 1.6 miliardë lekë.
Megatek ka raportuar rritje me 20% në 1.5 miliardë lekë.

GARA E SUPERMARKETEVE

Rrjeti i supermarketeve Conad Albania ka pasur një vit tjetër pozitiv. Qarkullimi vjetor iConad Albania u rrit me 9%, në 2.8 miliardë lekë, duke u bërë zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend.
Almark, që në mars 2015 mori menaxhimin e rrjetit Carrefour, raportoi të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh. Në 2014-n, CMB Albania, që menaxhonte aktivitetin e Carrefour, kishte të ardhura po prej 2.1 miliardë lekësh dhe humbje të mëdha prej 1.1 miliardë lekësh. CMB Albania, që tashmë e ka ndryshuar emrin në Qendra e Distribucionit Ushqimor, vijon t’u ketë detyrime të mëdha të papaguara furnitorëve dhe lista e sekuestrove konservative në ekstraktin e saj është mjaft e gjatë. Edhe Almark raportoi humbje prej 375 milionë lekësh në 2015-n, kryesisht pasi mori përsipër humbjet e CMB Albania. Në 2016-n, Almark e “braktisi” Carrefour dhe ka marrë të drejtën e rrjetit të supermarketit Spar, që është efektiv nga shtatori 2016.
Eco Market Food, pas rritjes së shpejtë në 2014-n, ka raportuar rënie të të ardhurave nga 1.6 miliardë lekë, në 1.3 miliardë lekë, duke dalë nga lista e 200 të mëdhenjve.
Tirana Cash & Carry (tregtuesi me shumicë i Big Market) është një hyrje e re në listën e më të mëdhenjve, pas rritjes me 35% në 2015-n, duke raportuar të ardhura prej 1.4 miliardë lekësh.
Big Market është dhe ai një prej zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në vend, por nuk figuron në listën e më të mëdhenjve, pasi i deklaron të ardhurat për çdo subjekt të veçantë në vete. Në një vlerësim total, kompania ka realizuar mbi 2 miliardë lekë të ardhura nga shitjet gjatë 2015-s.

SHËRBIMET E TJERA

Digitalb, ofruesi i platformës me pagesë televizive, ka parë një rritje prej 4% të aktivitetit, në 5.7 miliardë lekë.
Top Channelka vijuar dhe për 2015-n të jetë televizioni më i madh në vend nga të ardhurat, me një qarkullim vjetor prej 1.6 miliardë lekësh, pothuajse njësoj me 2014-n.
Infosoft System ka rritur ndjeshëm të ardhurat me 56% në 2.9 miliardë lekë. Burime nga kompania pohuan se pas disa viteve të qeta, 2015-a ka qenë i mbarë për kompaninë që ka fituar disa projekte, si në sektorin shtetëror, ashtu dhe atë privat.
Alitalia – Societa Aerea Italiana S.p.A, e krijuar si degë e shoqërisë së huaj në 17/12/2014 ka deklaruar të ardhura prej 3.1 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga tatimet, duke përfituar nga dalja nga tregu e Belle Air në fund të 2013-s, që la bosh 50% të tregut total të fluturimeve. Alitalia – Societa Aerea Italiana S.p.A, ka për objekt kryesor transportin e personave dhe sendeve në Itali e vende të tjera. Krijimi i saj erdhi pasi shoqëria tjetër Alitalia-Compagnia Aerea Italiana S.p.A është në likuidim e sipër. Alitalia ka një histori të gjatë mbylljeje dhe hapjeje aktiviteti në vitet e fundit. Kompania e mëparshme Alitalia-Compagnia Aerea Italiana S.p.A, e krijuar në 2010 ka kaluar si shoqëri në likuidim e sipër në mes të vitit 2016.

TREGTIMI PROBLEMATIK I ENERGJISË (TREGU SEKONDAR)

Nga tregtuesit e energjisë, një sektor që po zhvillohej me shpejtësi vitet e fundit, GEN-I, që deri në 2014-n ishte kompania më e madhe në këtë segment, ka raportuar rënie të ardhurash me 48% në 5.2 miliardë lekë. Kompania është ankuar vazhdimisht vitin e fundit tek Autoriteti i Konkurrencës për pabarazi në tenderë. GEN-I ka akuzuar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike se ka informuar dy kompanitë e tjera konkurrente, EFT dhe GSA, për vlerën e ofertave të GEN-I, me qëllim nxjerrjen nga tregu të kësaj të fundit. Autoriteti i Konkurrencës ka gjetur nga hetimet se tregu i importit të energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjet rezulton shumë i përqendruar.
GSA ka kaluar në operatorin më të madh të tregtimit të energjisë, ndonëse të ardhurat e tij kanë rënë me 15% në 7.4 miliardë lekë.
EFT Albania ka rritur qarkullimin vjetor me 8% në 1.7 miliardë lekë.
Tregtimi sekondar i energjisë pritet të zhvillohet më tej, teksa bizneset që furnizohen nga linja 35 kilovolt (që janë rreth 80) duhet të dalin në treg të lirë deri në fund të këtij viti dhe vitin tjetër duhet të dalin të gjitha sipërmarrjet që furnizohen nga linja 20 kilovolt. Lista e tregtuesve që po licencohen nga Enti Rregullator i Energjisë po shtohet çdo ditë.

KONCESIONET NË LULËZIM

Tirana International Airport, kompania që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, ka deklaruar të ardhura rreth 4.9 miliardë lekë (35 milionë euro) në vitin 2015, me rritje prej 15% me bazë vjetore. Me shpenzimet në total, që u rritën 6.1%, koncesionari i Rinasit arriti që të zgjeronte fitimet para taksave në gati 2 miliardë lekë, (14.3 milionë euro), nga 1.5 miliardë lekë (rreth 11 milionë euro) në 2014-n. Në vitin 2014, TIA pa një rënie të të ardhurave prej 30% në 4.2 miliardë lekë.
ALEAT, që ka me koncesion prodhimin e dokumenteve të shqiptarëve, ka rritur të ardhurat me 72% në 6.6 miliardë lekë, ndërkohë që dhe fitimet u trefishuan në 1.6 miliardë lekë.

NDËRTIMI MERR VETEN, SI RRJEDHOJË E PROJEKTEVE PUBLIKE, TAP DHE DEVOLLIT

Kompanitë e infrastrukturës kanë raportuar rritje të ndjeshme të të ardhurave në vitin 2015. Ramë Geci, ndërtues, pohon se arsyet kryesore që kanë ndikuar, janë ndërtimi i 5-6 ujësjellësve të mëdhenj, rrugët që po shtrohen në kuadër të projektit të gazsjellësit TAP dhe punimet e infrastrukturës për HEC-et e Devollit, si dhe kthimi i detyrimeve të prapambetura nga qeveria, që është faturuar në 2015-n.
Kompania më e madhe e ndërtimit për vitin 2015 ishte turkjaLIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET,e angazhuar në punimet për HEC-in e Devollit, që ka trefishuar të ardhurat në 8.2 miliardë lekë.
TREMA ENGINEERING 2 dhe ALB-STAR kanë parë gjithashtu rritje të ndjeshme të të ardhurave, përkatësisht me 100% (punë publike) dhe 73% (punë publike, por edhe kontrata me privatin). Gener 2 (që punon edhe si nënkontraktor i TAP) është zgjeruar me rreth 35%, në 4.9 miliardë lekë.

Një tjetër nënkontaktor i TAP, që ka parë dyfishim të të ardhurave në ardhurave në 2015, në 2.5 miliardë lekë është Agi Kons (që merret kryesisht me shpronësimet).
Nga kompanitë e ndërtimit të banesave rezidenciale, Rafaelo 2002ka kaluar si më e madhja në Shqipëri, pas rritjes 3.4 herë të xhiros, në 4.5 miliardë lekë. Në mes të vitit 2015, Rafaelo 2002 përthithi shoqërinë e ndërtimit “Ani” sh.p.k. Kjo e fundit në 2014-n kishte të ardhura prej 4.4 miliardë lekësh, duke u renditur e 46-a.
Sipërmarrje të tjera ndërtimi me rritje të lartë në 2015-n ishinTirana International Development(pothuajse katërfishim të aktivitetit në 1.8 miliardë lekë), Erjoni, qarkullimi i të cilit u zgjerua me 34% në 1.5 miliardë lekë, që janë dhe hyrje të reja në renditjen e 200 të mëdhenjve. Në rritje të fortë ishin edhe Kontakt shpk, nga 626 milionë lekë në rreth 1.4 miliardë lekë, së bashku me Homeplan me shumëfishim të aktivitetit, nga 19 milionë lekë në rreth 1.4 miliardë lekë. Kontakt sh.p.k. dhe Homeplan janë pjesë e të njëjtit grup.
Për prodhuesit e çimentos, 2015-a nuk ka qenë një vit i mbarë.Fushë Krujë Cement Factory ka raportuar të ardhura prej rreth 8 miliardë lekësh, me një rënie prej 12% me bazë vjetore. Antea Cement është tkurrur me 16% në 5.8 miliardë lekë.
Vetëm Elbasan Cement Factory ka deklaruar rritje të ardhurash me 21% në 2.1 miliardë lekë.

INDUSTRIA PËRPUNUESE DHE EKSPORTUESIT

Në një ekonomi që pothuajse nuk prodhon asgjë, ndërmarrjet eksportuese, – që janë të rëndësishme për mbushjen e gropës së deficitit tregtar dhe atij të llogarisë korente – dhe ato përpunuese numërohen me gishta.
Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh, është shumë i varur nga çmimet e naftës, Kurum, prodhuesi i çelikut ka dalë nga tregu, duke e lënë hyrjen e valutës në vend kryesisht “në dorë” të kompanive fason.
Eksportuesi i kromit, Albchrome, ka rezultuar me ecuri pozitive, pavarësisht koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare, duke u zgjeruar me 25% në 7.2 miliardë lekë.
Donianna dhe Fital janë dy prodhuesit më të mëdhenj të këpucëve në vend. E para ka ruajtur të njëjtat të ardhura në 1.9 miliardë lekë, ndërsa Fital është zgjeruar ndjeshëm me 32% në 1.57 miliardë lekë.
Coral, me aktivitete në prodhimin, përpunimin dhe eksportin e peshkut ka deklaruar rritje të lartë të ardhurash me 32%, në 1.6 miliardë lekë.
Në industrinë përpunuese ushqimore, Coca Cola është sipërmarrja më e madhe, me rritje 5.4%, në 3.1 miliardë lekë. Më pas renditenKombinati i Mishit, Birra Tirana dhe EHW, me një zgjerim vjetor përkatësisht prej 13%, 32% dhe 11.5%.
Edhe përpunuesi i drithërave, Bloja, ka dyfishuar të ardhurat në 3.7 miliardë lekë.

CALL CENTER, RRITJE E NGADALTË

Deri në 2013-n, kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center panë një rritje të ndjeshme dyshifrore. Biznesi lulëzoi disa vjet më parë, kur sipërmarrjet italiane transferuan këtë shërbim në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë. Këto kompani u bënë një burim i mirë punësimi, sidomos për brezin e ri, megjithëse konsiderohet si punë e një cilësie të ulët, që paguajnë relativisht pak.
Por, në 2014-2015, rritja është ngadalësuar.
Albacall ishte për të dytin vit radhazi operatori më i madh call center në vend. Ajo u zgjerua me 4% në 2.9 miliardë lekë (në 2014-n ishte rritur 35% dhe në 2013 me 60%).
Intercom Data Service (IDS) ka rimarrë veten pas rënies me 6% të të ardhurave në 2014-n. Qarkullimi vjetor i kompanisë ishte 2.7 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 9%.
Rritje më të lartë ka shënuar Albania Marketing Service(Teleperformance) me 23% në 2.1 miliardë lekë.
Shtimi i konkurrencës, si rrjedhojë e numrit të madh të kompanive që po hapen në këtë treg, por dhe maturimi i tij (gjetja e klientëve të rinj po bëhet e vështirë) vlerësohet se ka ndikuar në ngadalësimin e të mëdhenjve.

LOJËRAVE TË FATIT VAZHDON T’U NDRIJË FATI

Ndonëse 2015-a ka qenë një vit pa kampionate të rëndësishme botërore, apo europiane, kompanitë e lojërave të fatit kanë arritur të mbajnë nivele të larta të ardhurash. Në total, qarkullimi i pesë operatorëve kryesorë në këtë sektor, Top Bast, Apex-Al, Astra Albania sh.a., Adriatic Game, Top Start ishte rreth 72 milionë euro, pothuajse i njëjti nivel si në 2014-n.
Operatori më i madh në këtë segment këtë vit ka kaluar Top Bast, që ka arritur të ruajë ritme të larta rritjeje, me 22%, në rreth 2.3 miliardë lekë.
Të ardhura pothuajse të njëjtat në rreth 2.3 miliardë lekë ka raportuar dhe APEX-AL, që pas tkurrjes me rreth 3.5% ka kaluar në kompaninë e dytë më të madhe të aktiviteteve të lojërave të fatit në vend.
Astra Albania është operatori i tretë më i madh në tre, me të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh dhe tkurrje prej 6% me bazë vjetore.
Adriatik Game dhe Top Start kanë deklaruar rënie të qarkullimit vjetor përkatësisht me 9.6% dhe 4.4%.

SHKOLLAT VIP

Janë dy institucione arsimore që përfshihen në renditjen e 100 kompanive më të mëdha sipas qarkullimit vjetor.
Kolegji Turk Turgut Ozal Education është shkolla më e madhe private në vend, sipas të ardhurave. Qarkullimi i saj vjetor ishte rreth 1.65 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme me rreth 16% në raport me vitin e mëparshëm.
UFO është institucioni i dytë arsimor më i madh në vend, me të ardhura prej 1.6 miliardë lekë për 2015-n. Edhe UFO ka parë një rritje të fortë të të ardhurave me bazë vjetore me rreth 13%.

BANKAT, NJË TJETËR VIT I QETË

Sistemi bankar kaloi një tjetër vit të dobët. Rritja e aktiveve ishte minimale, kredia ra me ritmet më të larta që prej një dekade, depozitat u zgjeruan me nivelin më të dobët në 25 vjet, fitimi ishte i përqendruar në pak banka. Bankierët fajësojnë ekonominë e dobët, mungesën e kërkesës për hua, ngarkesën e madhe me borxhe të bizneseve, mjedisin e pasigurt të brendshëm dhe ndërkombëtar etj. Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.32 trilionë lekë dhe ndonëse nuk e kaloi pragun e 10 miliardë eurove në fund të 2015-s, përsëri arriti të zgjerohet duke shënuar rritje me 1.9%, apo me 24 miliardë lekë, në krahasim me dhjetorin 2014, sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat e Shoqatës së Bankave, të raportuara sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, tregojnë rënie të ndjeshme të fitimeve, nga 12.2 miliardë lekë në 2014-n, në 4.9 miliardë lekë në 2015-n.
Banka më e madhe në vend nga qarkullimi vjetor është BKT, me rreth 18 miliardë lekë (144 milionë dollarë), përfshirë këtu dhe aktivitetin e Kosovës, që zë rreth 13% të të ardhurave.
Banka e dytë është Raiffeisen, me të ardhura 15.5 miliardë lekë (-6%) në 2015-n. “Për Raiffeisen Bank, 2015 ka qenë një vit pozitiv. Ne mbetemi një nga bankat më të mëdha në vend dhe një kontribuues i madh në ekonominë shqiptare”, pohon z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank.
Banka e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat është Credins, me një rritje prej 9%, në 10.2 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara nga tatimet. “Banka pati tregues në rritje qoftë në depozita, qoftë në kredi, duke treguar një tendencë në ulje për kredi korporata dhe një orientim të kujdesshëm drejt kredive për SME dhe agrobiznes”, thotë z. Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank.
Intesa Sanpaolo është banka e katërt më e madhe në vend nga të ardhurat, që arritën në gati 7.2 miliardë lekë, me rënie 8%, sipas tatimeve.
E pesta është Banka Alpha, me 4.2 miliardë lekë të ardhura në 2015-n.
Societe Generale është banka e gjashtë më e madhe në sistem, sipas të ardhurave në 2015-n, në një nivel prej 4.1 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga tatimet. “Ne kemi rritur në mënyrë të konsiderueshme portofolin tonë të huave si tek individët ashtu dhe korporatat, kemi rritur pjesën tonë të tregut në të dy segmentet, duke arritur pak më shumë se 8% të tregut për huat. Ne kemi qenë shumë aktivë gjithashtu në rritjen e bazës së klientëve dhe në aktivitetin në tërësi. Cilësia e portofolit tonë të huave mbetet me një standard shumë të lartë, me një nivel të ulët të NLP-ve, prej 8.5%”, tha z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale.
E shtata është Tirana Bank, me 3.3 miliardë lekë të ardhura. “Tirana Bank, gjatë vitit 2015, ruajti pozicionin e saj në tregun bankar, me tregues të shëndoshë të likuiditetit dhe të kapitalit, në përputhje me objektivin strategjik për optimizim të prezencës në treg”, pohon z Dritan Mustafa, drejtor i Tirana Bank.
Union Bank ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 3 miliardë lekësh. “Rritja jonë në depozita-kredi-aktive tejkaloi të gjitha objektivat e vëna në fillimvit dhe ne tani jemi banka nr.8 në sistem. Edhe fitimi ynë, që është shumë i përafërt me të dyja standardet kontabiliste, ka qenë mbi objektivin e vënë vjetor”, thotë Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank.
NBG Albania ka parë rënie të të ardhurave me 7.8%, në 2.1 miliardë lekë. Të tria bankat greke kanë parë rënie të të ardhurave në 2015-n.
Më pas renditet Banka Amerikane e Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital), me 1.8 miliardë lekë të ardhura, sipas deklarimeve në bilanc.
Në listën e 200 më të mëdhenjve është dhe Veneto Banka, me të ardhura 1.6 miliardë lekë dhe zgjerim 6.5%.

SIGURIMET, ME RRITJE DYSHIFRORE

Kompanitë e sigurimeve kanë raportuar rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2015-n, sipas të dhënave të tatimeve, duke reflektuar rritjen e primit të sigurueshëm të automjeteve, që përbën dhe pjesën më të madhe të të hyrave të tyre.
Shoqëria më e madhe e sigurimeve është Sigal Uniqa Group Austria, me 3.8 miliardë lekë të ardhura dhe rritje vjetore 15%.
I dyti më i madh në 2015-n ishte Sigma Interalbanian Vienna Insurance, me rritje 77% në 1.9 miliardë lekë, që erdhi edhe si rrjedhojë e bashkimit të Sigma dhe Interalbanian në fund të vitit 2014.
Eurosig SHA pa gjithashtu rritje të ndjeshme të të ardhurave me 70% në 2 miliardë lekë.
Intersig Vienna Insurance Group është operatori i katërt më i madh, me një qarkullim vjetor prej 1.42 miliardë lekësh dhe zgjerim vjetor 18%.

BIZNESI I SPITALEVE PRIVATE NË RRITJE, POR ME HUMBJE TË MËDHA

Biznesi i spitaleve private në Shqipëri ka njohur rritje dyshifrore të të ardhurave edhe në vitin 2015.
Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, 6 spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan, Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg/ TIR), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian kanë qarkulluar në total rreth 7.2 miliardë lekë, apo rreth 52 milionë euro, me një rritje prej gati 21% në raport me 2014-n. Rritja e të ardhurave të spitaleve private është përshpejtuar në raport me vitin e mëparshëm, kur ishte 18%.
Spitali më i madh privat në vend është American Hospital, me një xhiro prej gati 3.8 miliardë lekësh në 2015-n, sipas të dhënave të raportuara në bilanc, me një rritje prej 16% me bazë vjetore. Burimi kryesor i të ardhurave të këtij spitali janë ndërhyrjet kirurgjikale, me 31% të totalit, apo 1.2 miliardë lekë. Nga shërbimi i hemodializës (që rimbursohet nga shteti), të ardhurat ishin 705 milionë lekë, më pas janë shërbimet ambulatore, laboratorike dhe të kardiologjisë.
I dyti më i madh në vend është Hygeia, me një qarkullim vjetor prej 2.5 miliardë lekësh dhe zgjerim 29%. Rreth 83% e të ardhurave të tij vijnë nga shërbimet e ofruara dhe pjesa tjetër nga shitja e medikamenteve dhe materialeve.
Salus, spitali i tretë më i madh privat në vend, ka vijuar rritjen e shpejtë. Pas zgjerimit me 80% në 2014-n, në 2015-n të ardhurat u rritën me 40%, për të arritur në rreth 525 milionë lekë.
Spitali Gjerman ka rritur të ardhurat me 30% në 216 milionë lekë.
Klinika Gjermane e Syrit dhe Spitali Europian, kanë shënuar rënie përkatësisht me 2 dhe 10%, pas rritjes së fortë të vitit të mëparshëm.
Ndonëse rriten me ritme dyshifrore çdo vit, spitalet e mëdha rezultojnë me humbje.
Spitali Amerikan rezulton me humbje të mëdha prej 133 milionë lekësh, që sipas burimeve të kompanisë, vjen kryesisht si pasojë e fazës së hershme të biznesit dhe veçanërisht për filialin e tij në Kosovë. Veprimtaria e Grupit në Shqipëri është me fitim dhe gjeneron flukse monetare pozitive.
Spitali Hygeia ka përgjysmuar humbjet në 542 milionë lekë në 2015-n. Humbjet e mëdha dhe huat duket se kanë shqetësuar shoqërinë mëmë greke. “Pamundësia e shoqërisë në përmbushjen e marrëveshjes së huas dhe nevojave financiare, humbjet e përsëritura nga operacionet, si dhe pozita negative e kapitalit punues mund të hedhin dyshime në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi. Aftësia e shoqërisë për të përmbushur detyrimet dhe për të vazhduar në vijimësi varet nga fondet e marra nga shoqëria mëmë”, thuhet në raportin e bilancit 2015, ku shoqëria mëmë është angazhuar për mbështetje të paktën edhe për një vit. Hygeia raporton në bilanc dy kredi nga 10 milionë euro secila, me BERZH dhe Bankën e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim, të marra në 2010 dhe që duhet të fillonte pagimin e principalit nga shtatori 2015. Por, spitali është në negociata për shtyrjen edhe me dy vjet të pagesës së principalit, pasi nuk ka mundësi të paguajë.
Edhe Spitali Salus ka rezultuar me një humbje prej 99 milionë lekësh në 2015-n, nga 132 milionë lekë në 2014-n.

NDËRMARRJET E REJA QË U KATAPULTUAN NË LISTËN E VIP-ave

–Albametal është një sipërmarrje e re në fushën e prodhimit të metaleve, që ka deklaruar 2.9 miliardë lekë të ardhura në 2015-n, duke u renditur e 74-a mes më të mëdhenjve. Kompania rezulton të ketë zëvendësuar aktivitetin e prodhuesit të çelikut Kurum. Pak ditë para se Kurum të shpallte falimentin, më 19 shkurt të këtij viti, në QKR është regjistruar një kontratë pengu lidhur midis Barrëdhënësit Albametal sh.p.k. dhe Kurum International sh.a, me Barrëdhënës/Pengdhënësi z. Hasmet Bedii Kurum, me objekt: Krijimi i pengut dhe i barrës siguruese. Sipas aktit të vënies së pengut, barrëmarrës janë shoqëria Albametal, me administrator Miodrag Jankovic dhe Kurum International, përfaqësuar nga Yusif Sezai Kurum. Albametal ka seli po në Elbasan dhe sipas të dhënave në QKR, kompania është krijuar në tetor të vitit 2014 dhe ka si objekt prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit. Aksioner i 100% të kapitalit është NOVOMETAL DOO VETERNIK. Në gusht të këtij viti kompania u shndërrua në sh.a.
–LUKU-2013, e krijuar në nëntor të vitit 2013, ka arritur të renditet ndër VIP-at e 2015-s, duke raportuar një qarkullim vjetor prej 2.65 miliardë lekë. Kompania ka aktivitet në tregtimin e skrapit. Megjithatë, aktiviteti i kompanisë ka zgjatur vetëm pak kohë. Në janar 2016, shoqëria ka pezulluar aktivitetin në QKR.
-Almark, e krijuar në prill 2015, 100% në pronësi të grupit të njohur shqiptar Balfin, mori në atë periudhë menaxhimin e rrjetit të supermarketeve Carrefour, teksa CMB Albania, që deri në atë kohë në pronësi kishte rrjetin e shitjes me pakicë, pohoi zyrtarisht se aktiviteti i shitjeve me pakicë nuk do të ishte më pjesë e portofolit të biznesit të saj në Shqipëri (kompania ka ndryshuar emrin në Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit). Në korrik 2016, emri i Almark u bë Spar Albania, teksa kompania, pjesë e grupit Balfin, ka marrë të drejtën e rrjetit ndërkombëtar të supermarketeve, me qendër në Holandë, Spar.
–Kim Al e krijuar në fund të vitit 2013, me objekt “Shitje mallrash të ndryshëm me shumicë dhe pakicë, eksport, import dhe gjithë aktivitetet e mundshme të tjera (skrap, agjenci turistike, prodhime bujqësore), në vitin e dytë të aktivitetit ka rritur të ardhurat nga 88 milionë lekë në 2014-n, në 1.8 miliardë lekë në 2015-n, megjithëse rezulton me fitime minimale prej 2 milionë lekësh. Kompania ka ndryshuar disa herë aksionerë, dhe aktualisht aksionere e saj, sipas lëvizjeve në QKB është një vajzë 20-vjeçare (datëlindja 1996).
–Bolunmez Petrol është hapur në fund të vitit 2013, si shoqëri aksionere me aktivitet në tregtimin e hidrokarbureve, me zyra në Shëngjin dhe aksioner Mehmet Murat Bolunmez. Kompania ka parë një rritje të të ardhurave në 1.6 miliardë lekë në 2015-n nga 330 milionë lekë në 2014.

NGJITJET E MËDHA

Ka disa kompani që kanë regjistruar rritje të ndjeshme të xhiros në 2015-n, duke u renditur te më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor.

Globus Travel është një hyrje e re te VIP-at në vitin 2015, kompania ka parë një rritje të ndjeshme të xhiros, nga 51 milionë lekë, në 2.2 miliardë lekë. Por më shumë se zgjerim i aktivitetit, ky kërcim i xhiros lidhet me mënyrën e re të raportimit të agjencive të udhëtimit, pas ndryshimit të ligjit 92/2014 të TVSH-së të ardhurat përfaqësojnë vlerën totale të shitjeve të biletave e shërbimeve të ngjashme, në ndryshim nga periudhat paraardhëse, ku të ardhurat përfaqësonin komisionet e përfituara nga shitja e biletave dhe shërbimeve. Ky ndryshim në raportim, i ka shtuar automatikisht kompanisë një xhiro prej 2.1 miliardë lekësh, ndërsa komisionet nga shitja e biletave ishin rreth 62 milionë lekë, duke i bërë praktikisht të pakrahasueshëm dy vitet.

E njëjta tendencë është konstatuar dhe për operatorin tjetër turistik,Albtours D, që ka parë rritje të lartë të të ardhurave nga 156 milionë lekë, në 1.8 miliardë lekë, pikërisht për shkak të ndryshimit të formës së raportimit të të ardhurave. Albanian Experience është një tjetër operator udhëtimesh dhe turistik me rritje nga 641 milionë lekë në 1.4 miliardë lekë.

Homeplan është një tjetër hyrje e re në 200 VIP-at, që ndonëse e krijuar në 2008-n, vetëm në vitin 2015 ka arritur të rrisë ndjeshëm qarkullimin vjetor nga 19 milionë lekë, në 1.4 miliardë lekë. Kompania ka aktivitet në fushën e ndërtimit dhe projektimeve, sipas ekstraktit në QKR. Edhe kompania tjetër e të njëjtit grup Kontakt, është rritur ndjeshëm për të hyrë te 200 VIP-at, duke deklaruar të ardhura prej 1.4 miliardë lekë.

Tirana International Development (TID), kompani ndërtimi, ka parë gjithashtu rritje të ndjeshme të të ardhurave, nga 401 milionë lekë në 2014-n, në 1.8 miliardë lekë në vitin 2015.

DALJET DHE RËNIET E MËDHA

–Beralb, me aktivitet në fushën minerare dhe një nga eksportuesit kryesorë, ka pezulluar aktivitetin në vitin 2015 si rrjedhojë e koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare të çmimeve të mineraleve. Në 2013-n, ajo kishte një qarkullim vjetor prej 4.5 miliardë lekësh, që u përgjysmua në 2014-n, për të dalë fare nga tregu një vit më pas. Furnitorët e saj po kërkojnë ndërkohë përmes sekuestrove konservative pagimin e faturave nga kjo shoqëri.
–Kurum, që shpalli procesin e falimentit në shkurt 2015, është një tjetër dalje e madhe e një kompanie të rëndësishme eksportuese.
–Izvor 99, që ka qenë prej shumë vitesh në listën e më të mëdhenjve, ka dalë nga 200-shja, pasi ka përgjysmuar të ardhurat në 2015-n. Kompania ka aktivitet në transport dhe tregtim të bitumit, karburanteve, lubrifikanteve të ndryshëm.
-Shoqëria anonime greke AKTOR, që po ndërton rrugën Tiranë-Elbasan, ka raportuar rënie të ndjeshme të të ardhurave nga rreth 3 miliardë lekë në 2013-n dhe 2.2 miliardë lekë në 2014-n, në 730 milionë lekë në vitin 2015. Kompania ka ndërprerë shpesh punën vitin e kaluar për shkak të konflikteve me qeverinë lidhur me kompensimin për shembjen e ndodhur në një pjesë të rrugës.
–Lici, me aktivitet në fushën e tregtimit të produkteve blegtorale, ndonëse e krijuar që në vitin 2003, ka parë rritjen e madhe në 2015-n, duke deklaruar një qarkullim vjetor prej 2.8 miliardë lekësh, nga 41 milionë lekë vitin e mëparshëm. Por, në korrik 2017, kompania rezulton të ketë pezulluar aktivitetin, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

BIZNESE QË NGRIHEN E BIEN BRENDA NJË VITI

Në listën e 200 më të mëdhenjve në vite kemi konstatuar shumë raste biznesesh që “mbijnë nga hiçi” dhe rriten brenda një viti, duke qarkulluar me miliona euro. Po ashtu siç rriten, ashtu dhe “zhduken” nga tregu një apo dy vjet më pas, duke pezulluar aktivitetin. Kompanitë e tregtimit të naftës janë tipike për rritjen e shpejtë dhe mbylljen po të shpejtë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është kthyer sërish në modë, thonë aktorët e tregut të naftës.

Edhe bizneset e tregtimit konstatohet se hyjnë dhe dalin nga tregu brenda një periudhe të shkurtër kohore. Mira Distribution, një kompani e hapur në mes të vitit 2012 dhe që u rrit me shpejtësi, për të arritur në një qarkullim vjetor prej 4.8 miliardë lekësh në 2014-n (e 44-a në listën e VIP-ave atë vit) me një shtatëfishim të xhiros në raport me një vit më parë, e ka humbur me shpejtësi shkëlqimin e saj. Kompania është pezulluar në qershor të vitit 2015. Luku 2013 është gjithashtu një sipërmarrje që e pati kulmin në 2015-n dhe u mbyll në 2016-n./Lapsi.al

Share: