Home KRYESORE Ja pse Angela Merkel i tha Shqipërisë, JO në BE

Ja pse Angela Merkel i tha Shqipërisë, JO në BE

Chancellor Merkel welcomes G7 heads of states shortly before the summit's official start

Nga Reldar Dedaj

Nga takimi i znj.Merkel me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Berlin u kuptua të paktën një gjë e vetme, Gjermania e ktheu kryeministrin dhe delegacionin shqiptar, duar bosh, pa fillim negociatash, për hapat e mëtejshëm drejt BE-së.

Ajo që nuk u kuptua dhe me shumë gjasa pak do të kuptohet edhe në të ardhmen, ishte interpretimi nga Tirana, n’të dy krahët, qeverisje dhe opozitë, në lidhje me atë se çfarë u tha në takimin e Berlinit.

Duket krejtësisht ironike në pamje të parë, por si Rama dhe Basha, folën më shumë se sa vetë Merkel për atë që u tha në Berlin. Rama e vendosi gjithë theksin e tij tek vetëm një kusht, miratimi i ligjit të vettingut, ndërsa nga ana tjetër, Basha përkthente si çështje alarmante për Shqipërinë drogën, korrupsionin, krimin dhe zgjedhjet e lira në vend.

Si gjithmonë, politika shqiptare, nuk nguroi dhe kësaj radhe të kthejë deklaratën e kancelares gjermane sa përmbys aq dhe në të kundërtën e saj. A thua se aty, nuk kishte media, gazetarë, përkthyes dhe sy e veshë nga e gjithë bota.

Pavarsisht lojërave me gjermanë, sot mbetemi vendi i fundit në Europën Juglindore ish-komuniste dhe në Ballkanin Perëndimor që na mbyllet porta për në BE. Kancelarja e Gjermanisë, Merkel, që kishte luajtur deri tani rolin e kumbarës për në BE, tha “Jo…Prisni, keni për të plotësuar edhe pesë kushte të tjera”.

Deputeti i partisë së drejtuar nga klancelarja Merkel, Gunther Kirshbaum, kishte deklaruar me 25 nëntor në Tiranë, “Se grupi parlamentar i partisë që ai përfaqësonte, do t’i rekomandojë qeverisë federale të mos miratojë çeljen e negociatave, deri në përmbushjen e 7 pikave të formuluara në dokumentin e paraqitur prej tyre.

Deputeti gjerman artikuloi qartë se Shqipëria duhet të presë pranverën e vitit 2018 dhe raportin e ardhshëm të Komisionit Europian. Në atmosferën dhe diskutimet që fjalimi i deputetit gjerman la pas, vizita e Ramës në Berlin mori gjithë vëmendjen politike dhe mediatike të shqiptarëve.

Me gjuhë më diplomatike, por pa përgjigjen që shqiptarët prisnin, kancelarja Merkel edhe pse ka përmendur ndryshimet që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit, pohoi se Komisioni Europian ka identifikuar prioritetet, duke cilësuar se ato janë 5.

Në krye të listës qëndron reforma në drejtësi, por vazhdojnë të mbeten lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organuizuar dhe sigurimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, një pikë që duket se do të jetë sfida e re e politikës së vjetër.

Deklaratat e politikës gjermane, kanë shkaktuar reagime në politikën shqiptare, që duket se hapjen e negociatave po e shihte si kalin e betejes, për të fituar ose humbur pikë në zgjedhjet e ardhshme që janë shumë pranë.

Në një kohë kur e majta e ka cilësuar deputetin Kirshbaum si të painformuar dhe të ndikuar nga Partia Demokratike, kjo e fundit nuk ka ngurruar të akuzojë Kryeministrin Rama për manipulim apo sfumim të deklaratave të kancelares Merkel.

U duk se politika nxitoi të përkthejë dhe interpretojë deklaratat e diplomates gjermane që në fakt qenë të qarta, pavarësisht interpretimeve: Shqipëria nuk është gati për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Kjo ishte e tëra që iu interesonte shqiptarëve të dinë.

Politika shqiptare nga të dy krahët, pas faktit në dritë të diellit se ‘Gjermania dhe Europa thanë, JO!’, ka thurur një merimangë të tërë me fije që këputën sa aty-këtu, veç për t’i mbushur mendjen vetes se nuk është ashtu siç e thotë pikërisht Rama apo Basha, por është edhe kështu edhe ashtu, varet me çfarë syri e sheh, ndërsa për këtë e për çfarë të duash folim pas kësaj. Realisht, politika shqiptare na ka hedhur në një gropë, ku nuk mund të shikojmë Europë me sy. Kjo është çështja. Për të tjerat flasim sa të duash.

Sa i shpifur ky degjenerim gjuhësor. Ashtu siç është e shpifur vetë gjuha politike që pas dështimit thur merimangë fjalësh, kot së koti./opinion.al

Share: