Mazhoranca ka vendosur ta rishqyrtojë ligjin për importin e mbetjeve.
Kreu i Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Eduart Shalsi nëpërmjet një letre kërkon nga shoqëria civile dhe jo vetëm që të paraqesin propozimet e tyre deri më datë 25 janar të vitit të ardhshëm.
“Duke qenë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë publike ndaj këtij projektligj do të dëshironim të përfitonim nga mundësia e dhënë për rishqyrtim, për të përthithur propozime konkrete për përmirësim të ligjit nga gjithë grupimet e interesuara, parti politike, ligjvënës të veçantë, shoqata mjedisore, shoqata të biznesit, përfaqësues të medias, ekspertë, apo qytetarë të interesuar”, shkruan në letër Shalsi.
“Lutemi që propozimet Tuaja të paraqiten me shkrim në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, jo më vonë se data 25 janar 2017. Më pas Komisioni do të ftojë në një seancë të posaçme dëgjimore të gjithë grupimet e interesuara për një diskutim të mëtejshëm mbi bazën e propozimeve konkrete”, thuhet më tej.
Ligji i mbetjeve është kthyer për rishqyrtim nga ana e Presidentit të Republikës Bujar Nishani.