Nga Beqë Cufaj
1.
Është ditë “dialogu” dhe s’kam si të mos pyes publikisht për një mister, prej më të mëdhenjëve që Kosova përfitoi (lexo: humbi) falë dialogut.
Me 26 Dhjetor të vitit 2011 Prishtina dhe Beogradi në Bruksel nënshkruan një marrëveshje për „lëvizjen e lirë“ të qytetarëve të të dy vendeve. Kjo parashikonte që shtetasit e Kosovës të mund të futeshin në Serbi me letërnjoftime të Kosovës kurse serbët të vazhdonin të hynin po në Kosovë me letërnjoftime. U festua si sukses. Në Bruksel. Prishtinë e Beograd. Secila kryeqyendër për qejfin dhe sidomos gjuhën e saj.
Dhe pastaj filluan zig-zaget që zgjatën me javë, muaj dhe vite të tëra. Aq sa dalngadalë por sigurtë shtetasit e Kosovës guxonin të mësyenin kufirin serb për të vajtur tek mjekët dhe tregtarët tek furnizuesit. Anasjelltas, serbët nisën me të madhe të futen në Kosovë për të parë të afërmit e tyre.
Këtu përfundoi çdo gjë.
Menduam të gjithë.
Deri në vjeshtën dhe dimrin e vitit 2014 dhe sidomos fillimvitin 2015 kur në pah doli prapaskena e kësaj marrëveshjeje. (Për këtë më vonë).
2.
Në Tavolinën e bisedime ku ishin ulur Hashim Thaçi e Enver Hoxhaj, në një restorant të Prishtinës, i dërguari i Këshilltarit të Kancelares Merkel, Christoph Heußgenit, Andreas Schockenhoff (1957-2014), në verën e vitit 2014 e siguronte Hashimin e Enverin: vizat, vizat do të jenë çështje që menjëherë posa ta formoni qeverinë me LDK-në do ta kryejmë. Në dimër më së largu pranverën e vitit që vjen (2015).
Këto fjalë, këto premtime ua bëri tashmë i ndjeri Schocknhoff edhe Isa Mustafës, Lutfi Hazirit e Agim Veliut. Në një restorant tjetër.
Qeveria PDK-LDK u bë. Isa kryeministër. Hashimi zëvendës i tij. PDK-LDK. Schocknhoff vdiq. Ajo që s’u mendua të bëhej kurrë dhe ajo që para së gjithash u premtua sidomos nga Isa në njërën anë e Luta në anën tjetër- u realizua.
Pastaj dihet çfarë ngjau.
Paralelisht me Qeverinë nisi rrjedhja e madhe e popullësisë së Kosovës.
Edhe sot e kësaj dite do të mbetet një prej mistereve më të mëdha të pasluftës sesi u bë që në një hark kohor prej gjashtë mujash (Nëntor 2014/Prill 2015) vendin ta lëshojnë më shumë se 70.000 qytetarë të vendit.
Nga stacioni i Autobusëve të Prishtinës përmes Beorgadit dhe drejt në Suboticë. Me letërnjoftime. Pastaj aty me këmbë e kontrabandues në Hungari dhe prej atje në Gjermani. (Ju kujtohen fotot e famshme?). Pasojat e këtij egzodi paqësor ky vend i paguan edhe sot e kësaj dite. Ose thënë edhe më shkurt: sidomos sot e kësaj dite. Sepse Gjermania, Franca e vende si këto që kanë zgjedhje këtë vit s’e kanë hallin aq tek Krimi i orgnizuar e Demarkcioni sa tema super e ndjeshme: refugjatët. Që, poqese janë nga Ballkani duhet futur në thonjëza. Sepse janë migrantë ekonomik. Por që kishin zgjedhur rrugën e gabuar (të azilit) për të kaluar në Gjermani e Austri e Francë. Për të ikur nga qeveritë e korruptuara. Për jetë më të mirë…
Deri më tashti, pos kontrabandistëve që nuk njihen as dihen, këtë meritë, Kosova e izoluar e ka nga dialogu dhe marrëveshja për “lirinë e lëvizjes”. Deri në Serbi.
Çdo gjë tjetër mbetet mister.
Përfshirë edhe aksionet e fundit të Serbisë dhe frytin e tyre të sërishëm me takimin në Bruksel të akterëve (pak a shumë të njejtë) të njejtë që patën nënshrkuar marrëveshjen e sipërpërmendur.
Nëse takimi Thaçi-Mustafa vs. Nikoliq-Vuçiq do ta ketë një bisht?
Natyrisht.
3.
Kosova e Serbia në dritën e reflektorëve të diplomacisë botërore kur Europa është frikësuar dhe Amerika është rikonfiguruar. Këtë e din dhe ndjen Vuçiqi më mirë sesa Thaçi i cili edhe ashtu ka halle tjera.
Krejt tjera prej qytetarëve të izoluar të Kosovës! Falë “dialogut”. /Gazeta Blitz/