Home KRYESORE “Më 18 shkurt PD të vendosë jo për fatin e një proteste,...

“Më 18 shkurt PD të vendosë jo për fatin e një proteste, por për fillimin e një rezistence”

Nga Armando Shkullaku

Partia Demokratike po përgatitet prej ditësh për një tubim- protestë që do të zhvillohet këtë të shtunë në Tiranë. Ky manifestim i opozitës po pritet si një provë e forcës së saj dhe po shihet si një sfidë e PD pas katër vitesh plot ulje- ngritje në përballjen me mazhorancën e Edi Ramës.

Për shumë arsye, protesta e 18 shkurtit mund të konsiderohet si një sfidë për PD. Ajo vjen pas një mungese të gjatë të reagimit në rrugë, ndonëse zërat që e kanë kërkuar një gjë të tillë brenda opozitës kanë qenë të shumtë. Si e tillë, projektorët e opinionit publik janë drejtuar me një interes edhe më të madh për të parin manifestim pas “agjërimit” që Basha ka mbajtur për shumë kohë në selinë e partisë së tij.

Protesta do të jetë një shenjë gjithashtu për të testuar se në çfarë niveli ka mbërritur pakënaqësia qytetare ndaj qeverisë dhe se sa kjo pakënaqësi është në sinkron me politikën e lidershpit të opozitës. Ajo do të jetë pra edhe një sfidë numrash, ku masa e protestuesve do të interpretohet edhe si cilësi e vetë protestës.

Por më tepër se pjesmarrja, testimi i pakënaqësisë ndaj qeverisë apo efikasiteti i protestës si mjet politik, 18 shkurti është sfida e PD për të ngjallur më në fund frymëzim pas katër viteve problematike në opozitë. Dhe frymëzimi nuk matet as me numrin e protestuesve dhe as me entuziasmin e radhëve të para. Nëse PD do ta mendojë protestën e 18 shkurtit si një mjet për të afruar ditën e ardhjes së saj në pushtet, si një formë për t’a përkthyer pakënaqësinë ndaj qeverisjes në një mbështetje për të apo si një taktikë për të povokuar ndonjë reagim të pakontrolluar të qeverisë, edhe kjo ngjarje do të regjistrohet në arkivën e aksioneve opozitare pa ndonjë rezultat.

Për PD, protesta duhet të jetë mjeti drejt një qëllimi më të madh, që është rifitimi i besimit tek qytetarët, zgjimi i frymës së kundërshtimit për të krijuar një front më të madh opozitar, ku të gjitha pjesët e shoqërisë, që nuk e pranojnë qeverisjen arrogante, korruptive dhe të inkriminuar të këtyre katër viteve, të kenë zë në kapitull.

Dhe për këtë, të gjithë duan një provë. Protesta e 18 shkurtit duhet të jetë akti i parë një aksioni të gjatë që s’mund të ketë kthim mbrapa. Ajo nuk duhet konsideruar si detyra e radhës që opozita e kreu dhe më pas u rikthye në selinë e saj, e izoluar nga njerëzit dhe dukshme vetëm për kamerat e televizioneve. As si një demonstrim force që thyen monotoninë e daljeve pa ngjyrë në podiumin mediatik të selisë blu. Nuk duhet konsideruar gjithashtu as si një aksion për të trembur Edi Ramën dhe për të mbajtur gjallë zjarrin tek militantët.

Më 18 shkurt, PD ka shansin të nisë një rrugë të vështirë për të bindur njerëzit e thjeshtë që është në anën e tyre dhe jo anë e së njëjtës medalje që pushtetin e ka kthyer në qëllim dhe jo në mjet për të ndryshuar Shqipërinë. Nëse për shumë arsye, opozita nuk mundi të shkëputet nga e kaluara e saj, nuk ia doli të bindë plotësisht se është e aftë të ndërtojë një të ardhme tjetër pa qenë peng i pushtetit të kaluar, se reagimi i saj kundër qeverisë është për të njëjtat arsye si edhe reagimi qytetar, tani e ka një mundësi për ta bërë këtë.

Për këtë, 18 shkurti nuk duhet të jetë një datë në kalendarin e veprimtarive opozitare, por fillimi i një rruge, nga e cila s’mund të ketë tërheqje. PD dhe Lulzim Basha duhet të vendosin të përballen me pushtetin, jo nga selia e partisë, karriket e komisioneve parlamentare apo foltorja e Kuvendit, por aty ku e duan njerëzit, në rrugë.

Opozita flet për një qeveri që ka kapur dhe kontrollon gjithçka. Që përdor krimin dhe paratë e krimit për të mbajtur pushtetin. Që kontrollon drejtësinë dhe ka kapur mediat. Që ndan paranë publike për oligarkët e saj dhe këta e mbajnë në këmbë me anë të financimeve okulte. Që po abuzon me varfërinë e njerëzve dhe po u blen votën. Që po klonon parti klienteliste e që ka ndërtuar një makineri propagande që mbyt çdo zë opozitar. Me një pushtet të tillë, opozita nuk mund t’u kërkojë vetëm qytetarëve të përballen me të, të mos shesin votën, të qëndrojnë, të sakrifikojnë, të reagojnë. Ajo duhet të japë vetë e para provën që është me ta dhe është si ata.

Përballë një pushteti të tillë nuk mund të ketë dy reagime, një qytetar në rrugë dhe një opozitar në forume. Më 18 shkurt PD duhet të vendosë jo për fatin e një proteste, por për fillimin e një rezistence që me prova duhet të dëshmojë se është e njëhsuar me atë të qytetarëve. Çdo kthim pas, do të pillte një zhgënjim të ri dhe do ta rreshtonte PD tek ato parti që presin radhën për të ardhur në pushtet dhe jo tek ato forca që ngjallin frymëzim për të bërë ndryshime të mëdha. /mapo/

Share: