Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u zhduk gjithë ditën e 1 prillit që shënoi 4 vite të marrëveshjes me Edi Ramën. Vetëm në orën 19.20 të mbrëmjes u shpërnda nga zyra e shtypit e kryetarit të LSI-së një deklaratë e bërë me strukturat në Kuçovë.
“Të gjitha forcat politike në vend duhet të krijojnë klimën e duhur për zgjedhje të qeta, për të votuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë dhe kjo kërkon vullnet dhe dialog politik, mirëkuptim dhe përgjegjshmëri. Të gjitha forcat politike duhet të shprehin vullnetin maksimal për çështjen e dekriminalizimit, LSI është tepër e vendosur për të respektuar këtë proces”, – tha Meta.
Duke komentuar çadrën e protestës së opozitës, Meta thotë se ky nuk është një fenomen i ri dhe pranon se pothuajse në të gjitha zgjedhjet ka pasur probleme dhe klimë tensioni.
“Çadra nuk është një fenomen i ri në Shqipëri, ka lindur që nga viti ‘94 dhe në përgjithësi në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri kemi pasur procese zgjedhore të deformuara, me probleme dhe me klimë tensioni. Të gjithë shqiptarët meritojnë të shprehin vullnetin e tyre me votë të lirë dhe për të mos penguar zgjedhjet kërkohet një dialog politik mes të gjitha partive. Çdo vonesë na çon në një drejtim të paditur, ndërkohë që i vetmi drejtim i vendit tonë është integrimi drejt BE-së”, – u shpreh kreu i Kuvendit gjatë një takimi me të rinjtë e LRI në Kuçovë.
Ai tha se të rinjtë e të rejat e LRI-së së Kuçovës dhe gjithë Shqipërisë do të jenë e ardhmja e politikës, e një politike ndryshe nga politika e deritanishme që është zhytur në egoizëm dhe arrogancë. Për kë ta kishte Meta këtë të fundit? Nuk do shumë mend për ta kuptuar./lapsi.al