Home KRYESORE Federata Shqiptare versus Jugosllavisë së re.

Federata Shqiptare versus Jugosllavisë së re.

Projektit serb për Jugosllavinë e re, plus Shqipëria, duhet t’i përgjigjemi me një doktrinë politike shqiptare që do të duhej konceptuar si ledh mbrojtës dhe në funksion të interesit nacional

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 10 prill – Në çdo kapërcyll krizash në kontinent e më gjerë, sllavët e jugut, sidomos serbët, edhe nëse kanë qenë bashkëfajtorë për vënien e zjarrit të luftës (siç ishte rasti me Luftën e Parë Botërore apo me luftrat e fundit që e dërguan Jugosllavinëe AVNOj-it në histori), ishin ata që përfituan më së shumti.

Aktualisht përfitues të këtij procesi dezintegrues të Jugosllavisë, si njëra prej federatave sllave më me ndikim në politikë gjatë Luftës së Ftohtë, kanë rezultuar dy ish republikat veriore të saj – Slovenia dhe Kroacia, por me idenë për Jugosllavinë e re, plus Shqipëria, Serbia pretendon të marrë pjesën e luanit.

Në një analizë timen të publikuar para dy viteve (shkurt 2015) potencoja peshën e ndryshimeve gjeopolitke dhe pasojat për Evropën Juglindore. Në këtë epokë ndryshimesh të mëdha, nënvizoja atëbotë, sidomos tashti kur fushbeteja mes konceptit perendimor mbi shtetin modern dhe atij lindor mbi shtetin me sovranitet të kufizuar (teoria e Brezhnjevit për të cilën angazhohet sot Putini), janë pikërisht kombet e Evropës Lindore dhe asaj Juglindore që ndjehen të rrezikuar. Shih për këtë, teoria mbi Shtetin-komb del sërish në skenë si struktura që garanton Shtetin dhe qytetarin, rrjedhimisht lirinë, paqen dhe sigurinë.

Arsyet janë të natyrave të ndryshme. Madje konstatimi se vetëm në shtetin-komb demokracia, në kuptimin e gjerë të fjalës, gjenë truallin më të përshtatshëm për selitjen e saj të mirëfilltë, tashmë pas kapjes së Shtetit nga mafia politike dhe bandat e krimit në Kosovë, pas egzodit pothuajse biblik të qytetarëve, që de fakto po nulifikon legjitimitetin e kësaj qeverie, merrë peshë edhe më specifike.

Në këtë rrafsh, aktualisht, vetëm mund të konstatojmë se kemi dy vite tërësisht të humbura.

Rikthimi i gjeopolitikës dhe rikonfigurimet me frymë hegjemone

Vala e re e revoltave që burim kanë pakënaqësisnë e të zemruarve, sërish i kthehet rajonit. Në këtë vorbull të krijuar nga rikthimi i gjeopolitikës dhe tendencat e hapura ruse për rikonfigurimin e Serbisë si forcë hegjemone në rajon, u shprehë me puçin e dështuar gjatë zgjedhjeve në Mal të Zi.

Tendenca të kësaj natyre vihen re edhe në Maqedoni dhe Serbi, madje aty fare hapur.

Ajo që vihej re në prag të zgjedhjeve në Serbi, të linte shijen e konkluzave të Jaltës, që na riktheheshin në historinë moderne të Evropës juglindore, me bekimin e disa qendrave polite të Europës!

Takimet e Vuçiqit në Berlin dhe Moskë, po edhe falenderimi që ai u bën drejtpërdrejt Putinit dhe Merkelit vetëm një ditë pas shpalljes së rezultateve, sikur e tumirin këtë konkluzion.

Më 27 mars, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kandidat për president në zgjedhjet presidenciale, kishte vizituar Moskën dhe po zhvillonte takime të gjata me Vladimir Putinin. Më 2 prill ai zgjidhet president. Më 6 prill bën publik projektin e tij për Jugosllavinë e re, plus Shqipria.

Marrveshjet për Ballkanin dhe rolin e Serbisë në gjeopolitikën e re, tashmë është sekret publik, kanë marrë miratimin jo vetëm të “vëllait të madhë”.

Hapja e portave të Ballkanit për Rusinë, natyrisht edhe pajtimi me këtë fakt i disa qendrave të vendosjes në Europë, i ndërlidhur me reagimet e ashpra kundër transferimit të FSK-së në Ushtri, duhet kërkuar pikërisht tek këto marrëveshje nën rrogoz.

Veprimet e Thaçit në këtë rast janë një Déjà-vu e llojit të vetë.

Basti evropian dhe vizita e Gjon Meken-it në Beograd

Nën nxitjen e pamotivueshme të motivit të inkurajimit të Serbisë për të shkuar drejt BE dhe jo drejt Rusisë, disa udhëheqës të vendeve anëtare të BE kanë vënë bastin te presidenti Aleksandër Vuçiq dhe po vlerësojnë se nën udhëheqjen e tij Serbia duhet të ketë rol drejtues apo kyç në Ballkanin Perëndimor, konstaton me të drejtë ish diplomati shqiptar, Shaban Murati.

Në këtë vorbull të ngjarjeve politike sot, më 10 prill, në Beograd vije për vizitë njëri nga senatorët ameriakn më me ndikim, Gjon Mekejn. Mediat serbe bëjnë të ditur se temat bosht rreth të cilave do të përplasen pikëpamjet në takim me kryeminsitrin në detyrë –

Aleksandër Vuçiq do të jenë: orjentimi i Serbisë në politikat e jashtme dhe qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës.

Duket se basti evropian për senatorin nuk rezulton edhe aq i besueshëm.

Kjo vizitë zhvillohet tani kur në Serbi ka një javë që protestohet kundër diktaturës që ka promovuar presidenti Aleksander Vučiq dhe eshaloni politik më reaksionar që e mbështet atë. Shenjat e një zgjimi politik, respektivisht të një revolucioni të kadifenjtë, disi ngjashëm me Ukrainën, janë të venerueshme.

Pikërisht në përpjekje për të shmangur vëmendjen e diplomacisë perendimore nga këto ndeshtrasha të brendshme, pinjolli ideologjik i Milosheviqit, ai që ka filluar tani të sillet si Tito i ri, shestonr plane për ringjalljen e Jugosllavisë së vjetër, por duke përfshirë kësaj radhe brenda edhe Shqipërinë, me pretendime për t’ ia kaluar edhe modelit të tij – Titos.

Këtë projekt ai e bëri publik në intervisëtn e tij të parë si president, dhënë portalit amerikan “Politico”, më 6 prill. Në shikim të parë, duket se nuk kemi të bëjmë me diç të re, meqë ide të ngjashme kanë gëluar në këtë pjesë të kontinentit tonë që nga fillimi i shek.XX, fillimisht me premisa progresive sociale, e pastaj gjithnjë të dizajnuara për t’i shërbyer hegjemonizmit serb. Shih për këtë, projekti në fjalë, zgjon asociacione të veçanta, sidomos te ata që e njohin mirë historinë politike të Evropës Juglindore.

Doktrina politike shqiptare si ledh mbrojtës

Beogradit dhe sponzorëve të kësaj ideje, qoftë kjo Rusia si më e interesuara për këtë projekt gjeostrategjik, qoftë Franca që kishte futur në përdorim termin Ballkani Perendimor (2000), po me të njejtat ide, Tirana dhe Prishtina do të duhej t’ i përgjigjeshin qartë dhe pa ekuivoke, me vendime konkrete që përshpejtojnë integrimin e dy Republikave tona.

Disa prej hapave që do të duhej të ndërmirreshin shpejt do të mund të ishin si vijon:

1. Heqja e doganave, krijimi i tregut të përbashkët shqiptar;
2. Integrimi i plotë i sistemit të arsimit dhe shëndetësisë;
3. Fillimi i përdorimit të valutës shqiptare (lekut), si monedhë e dytë në Kosovë;
4. Hartimi i strategjisë së përbashkët mbrojtëse etj.

Këta do të ishin disa prej hapave urgjent, që do të shpinin natyrshëm drejt krijimit të Federatës Shqiptare. Për njohësit e skenës politike shqiptare, kërkesa të kësaj natyre duken aktualisht si futurizëm politik, tepër idealiste. Natyrisht me arsye, sidomos kur e dimë se ç’klasë politike dominon skenën tonë! Sidoqoftë, presioni pozitiv i opinionit intelektual dhe i forcave të shëndosha politike, tani ka arsye objektive të shtohet.

Përderisa në njërën pjesë të Shqipërisë (mbi Drinin) shërbimet serbo-ruse, të koordinuara me aleatët e tyre tradicional, ia arritën që në krye të Republikës së Kosovës të instalojnë marionetat e tyre, ndërkaq ndërkohë, ta mbajnë tutje peng gjeneralin Haradinaj në Francë, por edhe të vazhdojnë të thurin lloj-lloj intrigash kundër VV, që shihet me të drejtë si shpresa e vetme në vend, pa lënë anash as veprimtarinë subversive antikushtetuese, duke i pregaditur shtratin e Prokrustit trupit të Kosovës; në pjesën tjetër të Shqipërisë, në atë nën Dri, po pretendohet të ushtrohet grusht-shteti i llojit ose rikthimi i anarkisë së vitit 1997!

Fijet e këtyre agjenturave, përmes rezistencës së politikanëve të korruptuar dhe me ndihmën e mafias rajonale, po i rezistojnë projektit për ngritjen e Shtetit të së drejtës, që do të kalonte nëpër rubikonin e Vetingut, që do t’ i hapte rrugë bërjes reale të Shqipërisë.

Nëse në një bllok, nën çadër e jashtë saj, po mblidhet krejt llumi i këtij Vendi, është e drejtë legjitime dhe obligim moral ndaj Atdheut, të mobilizohen edhe idealistët kudo ku janë.

Idealistët që ndërkohë me të drejtë ndjehen të shqetësuar, e kanë të qartë se politika shqiptare ka nevojë për zhvillimin e një metode të re të të menduarit, respektivisht për një doktrinë politike si ledh mbrojtës, që do të mundësonte njohjen e tendencave politike globale, duke i vënë ato në funksion të interesit nacional.

Nëse anglosaksonët pas Luftës së Dytë Botërore ishin përqendruar në ndërtimin e kësaj medote të të menduarit politik, duke marrë në konsideratë aspektet dhe interesat gjeostrategjike, ndërkaq francezët krahas përqendrimit në selitjen e mendimit mbi interesin hapësinor, kishin kultivuar, përmes shkencave sociale dhe politike, komponentën filozofike dhe ideologjike, shqiptarët për realizimin e projektit të Federatës Shqiptare dhe zgjerimin e influencës në rajon, kanë nevojë për kombinim të që të dy shkollave të lartëtheksuara, duke i shtuar kësaj konceptin ushtarak të të menduarit.

Ky concept, Federatën Shqiptare do ta bënte më me peshë në syrin e aleatëve tanë gjeopolitik, para së gjithash SHBA-ve. Në këtë rast, Aleancës sonë gjeopolitke (NATO-s) në vend se t’i japim refugjatë, qytetarë që ikin nga mjerimi, nga Republika në dështim, si po bëjmë tashti, do t’ i afronim partneritet serioz, meqë do të ishim një Republikë e zhvilluar dhe me mirëqenie për qytetarë, rrjedhimisht asaj, pra Aleancës, do t’ i jipnim gjeneralë e ushtarë.

Federatën Shqiptare duhet shikuar tashti pas publikimit të projektit të Vuçiqit si hap urgjent, një lloj versus-i për Jugosllavinë e re.

Federatën Shqiptare duhet e do ta bëjmë ne shqiptarët tok, ne idealistët; ky është amaneti i brezave dhe vullneti i atyre që ranë për këtë tokë dhe i atyre që do ta gëzojnë edhe pas nesh.

Share: