Home KRYESORE “Vrasësi i Artan Cuku u pa në kafen afër pallatit”

“Vrasësi i Artan Cuku u pa në kafen afër pallatit”

Prokurorët kanë identikitin e vrasësit të ish-Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, i cili u ekzekutua dy ditë më parë në Tiranë.

Gazetarja Klodiana Lala tha në një emision në “News 24” se Prokuroria e Krimeve të rënda po shpreson të arrijë tek vrasësi përmes gjurmëve, apo përmes ndonjë “gabimi” që mund të ketë bërë në momentin kur priste komisarin në hyrje të pallatit, por edhe ditët e tjera kur mund ta ketë ruajtur.

Sipas Lalës, administratorja e pallatit e ka parë vrasësin, jo vetëm në hyrje të pallatit, por edhe në një kafe aty pranë. Madje, administratorja thotë se edhe ka komunikuar me vrasësin.

Gazetarja përshkroi identikitin e autorit të dyshuar të vrasjes dhe përleshjen, ende të pafaktuar, mes Cukut dhe vrasësit.

“Është një djalë rreth 35-vjeç, i hollë, i gjatë, i veshur me të zeza dhe në kokë mbante një kapele. Ky person e ka pritur Cukun kur ka hyrë i vetëm në pallat. Rruga për të shkuar tek pallati ka qenë e pashtruar dhe disi e veçuar nga rruga e Kosovarëve. Kur ka hyrë në pallat ai e ka kuptuar që do qëllohet dhe ka tentuar të shmanget duke thirrur një nga ashensorët. Ka thirrur ashensorin e tretë, në këto momente është qëlluar. Ka dyshime të forta që është përleshur me autorin, madje më herët ka thirrur ashensorin që t’i shpëtojë vrasësit, por kjo mbetet ende për tu vërtetuar”,- tha Lala.

Tre Pistat që po ndiqen rreth ngjarjes:

Një pistë ku po hetohet lidhet me ngjarjet e viteve 2012-2013, kur Cuku ishte drejtues në Drejtorinë e Policisë në Vlorë, ku me iniciativën e tij, ka rihapur dosjen e disa ngjarjeve të rënda, mes tyre edhe atë të ndodhur në vendin e quajtur si “Pusi i Mezinit” mes dy grupeve kriminale në fushën e narkotrafikut që zanafillën e ka në Spanjë.

Sipas prokurorisë, në mesin e pistave të hetimit është edhe ngjarja e vitit 2005 ku viktima, Cuku, mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Komisariatit nr.4 në Tiranë.

Sipas policisë, Agim Daka vrau veten në këtë vit në këtë komisariat. Policia e shqoëroi Dakën, pasi dyshohej se kishte lidhje me arratisjen nga burgu të vëllait të tij. Kjo ngjarje u deklarua e mbyllur nga familja Cuku e Daka, me arsyetimin se ishte ngjarje aksidentale.

Hetimet janë përqendruar edhe për konfliktet e mundshme që ish-drejtuesi Cuku kishte me kompanitë rivale të policive private, me të cilët konkuronte edhe në tendera të ndryshëm si publikë ashtu edhe privatë për ruajtjen e ambienteve, pasi Cuku ishte bashkëpronar në një “polici private”. /LAPSI.AL/

Share: