Home KRYESORE Për një udhëheqje nga populli për popullin

Për një udhëheqje nga populli për popullin

Nga Azem Parllaku

Kapja e shtetit nga oligarkët e politikës dhe të biznesit ka krijuar një sistem vicioz në Shqipëri. Gjendja në të cilën ndodhet Shqipëria, është më e rënda, që mund të ketë përjetuar ndonjëherë në dekadat e fundit. Oligarkët e partive qofshin ata në pozitë, apo në opozitë, me të ardhur në pushtet, bashkëpunojnë me pothuajse të njejtët oligarkë në fushën e biznesit, ndaj ndryshimi i pushtetit nga e djathta tek e majta, dhe anasjelltas, nuk ka sjellur ndonjë ndryshim substancial në mënyren e funksionimit të shtetit.

Kryetarët e partive të vjetra PD, PS, LSI, të cilët bazohen gjithnjë në fuqinë e karriges, dhe që nuk sillen si lider të vërtetë, kanë harruar se; Të jesh në pushtet nënkupton të kesh përgjegjësi ndaj atyre që i udhëheq, e jo t’a kuptosh pozitën si mundësi përfitimi në kurriz të qytetarëve.

Kanë harruar se, të jesh në pushtet nënkupton të jesh përgjegjës dhe i përgjegjshëm për të gjithë, pa marrë parasysh a të kanë votuar apo jo, pa marrë parasysh nëse të duan apo të urrejnë, nëse të kritikojnë apo të çojnë në qiell. Të jesh në pushtet nënkupton që të garantosh se, parimi i barazisë duhet të vlejë për të gjithë njësoj.

Të jesh në krye të qeverisë së një vendi nënkupton që, nuk je vetëm kryeministër “i dikujt”, por i të gjithëve. Prandaj edhe përgjegjësia ndaj fjalës dhe veprimeve publike, si dhe përmbushjes së premtimeve, duhet të jetë e madhe, dhe shtetin duhet t’a bësh, e jo t’a përdorësh për vete. Sot në Shqipëri, kur vendin e republikës e ka zënë tirania e krimit dhe korrupsionit, e nesërmja parashikohet e zymtë.

Zgjidhja, forca e re politike ka paralajmëruar dhe u thotë çdo ditë shqiptarëve se; partitë e vjetra PD, PS, LSI, janë njësoj, janë në një konjukturë, vjedhin bashkë në marrëveshje, alternohen me rradhë dhe mbajnë njëra-tjetrën në pushtet e opozitë, e kanë mbyllur tregun, duke uzurpuar zgjedhjet dhe kanë shkatërruar liritë dhe konkurencën në politikë, ekonomi dhe në çdo fushë tjetër.

Në fakt ajo çfarë duhet për t’i ikur kësaj gjendje të pashpresë është që, çdo qytetari të Shqipërisë i duhet të jetë një nga ata luftarë të cilin arsyeja e udhëheqë gjithmonë drejtë qëllimit që i ka vënë vetes, të jetë avokati mbrojtës i dinjitetit dhe armik i përbetuar i çfarëdolloj tiranie dhe çfarëdolloj deformimi të demokracisë.

Çdo qytetar duhet ushqyer me frymën se: demokracia është sistem i udhëhequr duke u bazuar në vlera dhe udhëheqje e popullit, nga populli dhe për popullin. Është fryma parimet e tëcilës janë: sundimi i shumicës me mbrojtje pakicën, pëlqimi i të qeverisurve, qeverisja e kufizuar nga ligji kushtetues, shoqëria e hapur, dinjiteti njerëzor, shenjtëria e individit, si dhe sovraniteti i ligjit.

Në librin e tij të fundit “Çdo hap duhet të jetë një qëllim”, ish-Presidenti i Francës, Zhak Shirak, shkruan se shumë shpesh, ata që flasin për krizën shohin aty një lloj kataklizmi. Është absurde, vazhdon ish-Presidenti. Kriza nuk është një mbytje, por një rirregullim. Nuk është fundi i botës, por origjina e një rregullimi të ri. Pohime si këto, sigurisht, kanë të bëjnë me krizat e mëdha, që mbështjellin herë pas here gjithë botën.

, logjika e tyre vlen edhe për krizat e vogla, sektoriale apo kombëtare që përjetojnë politikat dhe proceset në vende të caktuara. Në thelb, krizat lindin në kufirin midis një gjendjeje që duhet të përfundojë dhe një gjendjeje që duhet të nisë. E nëse i referohemi gjendjes në të cilën, ndodhet sot vendi ynë, duhet pranuar dhe thënë troç; Shqipëria është në kufirin e gjendjes që duhet të përfundojë.

Kjo gjendje duhet të përfundojë, përderisa ka krijuar një situatë në rënie të shpresës për të ardhmen e brezit të ri, i cili në vitet e fundit ka braktisur Shqipërinë me ritme shumë të larta. Një gjendje e re duhet të nisë, përderisa ka një degradim progresiv në rritje të sektorëve kyç të shtetit, siç janë: ekonomia, rendi, arsimi, shëndetësia, etj. Ka vetëm një mënyrë për t’a nxjerrë Shqipërinë nga ky rreth vicioz, dhe ajo është; Ndarja nga e vjetra: mënyra e vjetëruar e të bërit të politikës, duke besuar tek reja dhe ndryshimi.

E re dhe ndryshim do të thotë: njerëz të rinjë, me ide të reja, dhe me të shkuar të pastër. Oligarkët e politikës janë pasurur, duke rritur mirqënien e tyre sociale në kurriz te popullit, e duke mos u kujtuar për gjendjen e vështirë sociale të qytetarve, përveçse nëpërmjet një interpelance banale në Kuvend, e cila aq më tepër është dhe fyese.

Përderisa akoma do të mbetet në pushtet kjo klasë politike, me keqardhje duhet pranuar se: shpresat dhe optimizmi i shqiptarëve do të vijojnë të shuhen edhe më shumë dhe përditë. Shqipërisë i duhet një elitë e re politike, e cila do të sjellë një frymë dhe kulturë të re politike, e aftë t’a vlerësojë dhe përfaqësojë denjësisht qytetarinë shqiptare.

Kemi nevojë për ata politikanë që, e duan Shqipërinë, dinë të vlersojnë shtetin, shoqërinë, mbi të gjitha të njohin dhe të respektojnë standartet përmes të cilave, funksionon demokracia.

Share: