Home KRYESORE Kalvari i udhëtimit për në Atdhe! Nga Irma Kurti

Kalvari i udhëtimit për në Atdhe! Nga Irma Kurti

GNV – Anije e shpejtë apo e shtrenjtë?

Në tren

Kur fiksova datën e vajtjes në Shqipëri shpresoja se s’do të bëhesha dëshmitare e vonesave të shumta që shoqëruan muajt e verës.

Zgjodha të udhëtoja me traget. Rruga është vërtet e gjatë, por mua më pëlqen të meditoj, të shkruaj apo të lexoj. Orët që zvarriten më përgatitin gradualisht për kthimin në Shqipëri, zbarkimin në Durrës, vajtjen në Tiranë, në apartamentin bosh që vazhdon të më tërheqë dhe të më largojë njëkohësisht.

U nisa të mërkurën, në datën 22 gusht nga Milano me besimin e patundur se s’do të kisha probleme meqë ishte mesjavë.

Treni në fakt s’pati vonesa; nëpër stacione njerëzit që hipnin dhe zbrisnin ishin të rrallë. Përbri meje, deri në Pescara ishte ulur një burrë afro të 70-tave. Më fliste gjithë kohën për situatën ekonomike e politike në Itali, për emigrantët etj. Një herë që e kundërshtova, nuk pushonte më. Desha, s’desha fillova t’i jap të drejtë, derisa mbërriti në stacionin e tij dhe unë mora frymë lirisht.

Pritje pafund

Në Bari Centrale mbërrita rreth orës 19.00 dhe gjeta menjëherë autobuzin për në Port. Në sportel më dhanë kartën e imbarkimit dhe më thanë se trageti s’do të kishte vonesa, do të nisej në orën 24.00.

Zura vend në stolat jashtë. Bënte vapë, nuk frynte as dhe një fllad i lehtë. Deti ishte i qetë, gati i palëvizshëm si një pasqyrë. Përreth, shumë shqiptarë flisnin me zë të lartë, pinin cigare apo hanin patatina. Telefonatat e gjata që disa prej tyre bënin me prindërit më shpërngulnin vite më parë kur flisja dhe unë me të shtrenjtët e mi dhe më dukej se botën e mbaja nëpër duar.

Po errësohej. Deti dukej i frikshëm dhe shumë larg imazhit të tij të ngjyer me ngjyrë blu.

Vura kufjet në vesh dhe fillova të dëgjoj muzikë. Rreth orës 22.30 u ngrita dhe, duke porositur dikë që t’më kishte kujdes bagazhin, shkova të interesohesha se kur do të bëhej hyrja në traget. Në sallë, temperatura ishte aq e ulët saqë më hynë të dridhurat. Njerëzit rrinin në stola të veshur me triko apo të mbuluar me batanije.

“Sot duhet të keni durim. Nuk dihet se kur do të bëhet imbarkimi sepse presim tragetet nga Durrësi. Kur të mbërrijnë, do të zbresin pasagjerët dhe pastaj e keni radhën ju” – m’u përgjigj dikush në sportelin e informacionit.

Ku ta kërkoja durimin? Në ç’pikë të qënies rrinte fshehur?

Mbeta disa çaste pa lëvizur, me dilemën: “Të rri brenda në këtë temperaturë vjeshte apo jashtë ku s’ka as ajër për të marrë frymë?”.

Lodhje, përgjumje e mashtrime

Tërhoqa bagazhin dhe hyra. 23.00, 24.00… Orët kalonin dhe askush nuk na komunikonte ndonjë lajm për udhëtimin. Përreth shikoja fytyra të lodhura, të zbehta e të përgjumura. Fëmijët që pak më parë qanin, tani kishin rënë në gjumë të thellë.

Shkova të pyesja sërish tek sporteli; pyetja ime kishte ndryshuar tashmë: “Kur parashikohet të arrijë GNV (Grande Nave Veloce) – Anija e Madhe e Shpejtë?

Vërtet kisha paguar shumë, por të paktën do të udhëtoja shpejt dhe në kushte optimale. Duhet të them se në vajtje s’kisha gjetur opsion tjetër bilete dhe isha detyruar ta bllokoja të gjithë kabinën me dy shtretër për mua!

Kësaj radhe mora vetëm një tundje koke, pra, dhe ata, si unë nuk dinin asgjë. Doja të thërrisja, të bërtisja, po si, kujt?

Një klasë plot me të rinj italianë që do të udhëtonin për në Durrës nisën të këndonin nën tingujt e kitarës. Sa bukur! Duhet të ishe rini për ta parë botën me optimizëm dhe buzëqeshje edhe kur lodhja dhe mërzitja të pushtojnë çdo qelizë të trupit. Notat e muzikës, të qeshurat e tyre ma hoqën paksa lodhjen dhe dëshpërimin.

Vajti ora një e natës kur na njoftuan se mund të imbarkonin udhëtarët që udhëtonin me Adria Ferries. Pas 15 minutash u erdhi radha pasagjerëve të Ventouris. Kurse ne, të Anijes së Shpejtë duhet të prisnim akoma.

Pashë rreth e rrotull. Grupi i të rinjve ishte larguar dhe e kishte zhveshur sallën nga alegria. Përqark kishte vetëm stola dhe nuk kishim mbetur më shumë se 10-12 pasagjerë. Dikush prej nesh ngriti zërin: “Po ne të GNV kur do imbarkojmë?”.

“Ejani edhe ju!” – na u drejtua punonjësi i veshur me uniformë, dy hapa larg nesh, sikur të ishte zgjuar në atë moment nga gjumi.
Pasi kaluam kontrollin një furgon na shoqëroi deri tek tragetet.

“Trageti juaj është ai atje!”

“Po ky është Ventouris Ferries” e kundërshtova. “Unë do të udhëtoj me Anijen e Madhe të Shpejtë, e kam paguar biletën më shtrenjtë.”

“Zonjë, GNV nuk niset sonte, do të udhëtoni me këtë anije dhe pikë.”

U nisëm pas orës 2.30 të natës. Korridoret ishin të mbushura me njerëz që kishin shtruar batanijen dhe përpiqeshin te flinin.

Nuk më dukej se i kisha hipur tragetit por një breshke uji dhe Atdheu, në vend që të afrohej, largohej nga unë gjithnjë e më tepër.

Share: