Home KRYESORE Chrisstina Rossetti! Perktheu Elvis Zaimi

Chrisstina Rossetti! Perktheu Elvis Zaimi

E pafundmja poetike dhe qartësia religjioze në poezinë e Christtina Rossetti
Simon Humphries
Përktheu Elvis Zaimi

Kush e ka parë erën?
As unë, as ti.
Por kur gjethet e varura në degë fishkëllijnë plot fërgëllim
Era mes tyre kalon
Kush e ka parë erën?
As unë, as ti.
Por kur pemët i ulin kokët
Era…, aty pranë po shkon

Këto vargëzime i përkasin dy strofave të njërës prej vjershave të shkruara thjesht dhe vetëm për fëmijët e një çerdheje, “Këndo një këngë”, nga libri “Vjershërime për një Çerdhe të Christinna Rosetti-t.” (1872)-por mjaftojnë sa për të na lënë të kuptojmë madhështinë e vizionit të saj poetik. Mund të thuhet se vjersha është një gjëegjëzë rreth pranisë së dukshme të një force të padukshme, por në të vërtetë duket të jetë më tepër sesa kaq. Gjethet ‘fërgëllijnë” sikur të jenë të frikësuara, ndërsa “pemët i ulin kokët”, sikur të bënin një gjest nënshtrimi apo adhurimi. Kjo, sigurisht, është më shumë sesa përshkrimi i pasojës së jashtme fizike që jep në botën reale vjersha-gjëegjëzë mbi dukjen e erës, por se çfarë është në të vërtetë, kjo mbetet e pashpjeguar. Shumë nga poezia e shkruar nga Christina Rosetti mbetet pamundësisht e pashpjeguar asnjëherë, dhe është pikërisht kjo pashpjegueshmëri ( apo “brendia kuptimore sekrete e saj”), që e bën poezinë e saj kaq joshëse. Poezitë e saj të lënë në fund me dëshirën për t’i rilexuar, me shpresën se nga rileximi do të dëgjojmë atë që nuk e dëgjuam mjaftueshëm , apo se nuk mundën të na e thonin mjaftueshëm me leximin e parë.

Gjithsesi ne i dimë bindjet e krishtera të Rosetti-t të cilat janë themeli mbi të cilin ajo hamendëson vizionin e saj për botën, pra se ky vision merr pamjen e një bote të troshitshme nën pushtetin e fuqive të padukshme, dhe se kjo është një e vërtetë themelore e artit të saj poetik, e vërtetë e cila mund të merret lehtë me mend. Nga ana tjetër, e vërteta që mund të marrim me mend pa e vërtetuar mbi themelet e artit të saj poetik, është pa dyshim njëkohësisht edhe një supozim teologjik.Pasi e kemi kuptuar këtë, ne ndoshta do të nisim të shquajmë se domethënia e frikës të “gjetheve që fërgëllijnë” dhe përulja nderuese “e kokëve të pemëve”, si nënkuptime të figuracioneve të saj poetike, rikumbojnë tingullsisht njëlloj me domethënien e pashfaqur teologjike të “erës”, e cila në Bibël është jo vetëm e përngjasuar, por edhe e njëjtë me fjalën greke të përdorur për “Shpirtin e Shenjtë”.Në simbolizmin teologjik të vjershës, pra, është Krijimi që dridhet në praninë e Shenjtërisë qiellore, dhe përulet përpara hyjnores. Vargjet presupozojnë një vizion për botën ku “e dukshmja” bëhet një ‘simbol” (apo siç e shpreh vetë Rossetti një “tip’) për të padukshmen, materialja për shpirtëroren, e natyrshmja për të mbinatyrshmen.Pasi e kemi pranuar këtë tipar të poezisë së saj nisim edhe të kuptojmë madhështinë e vizionit të saj për botën, brenda të cilit ‘dy botët, e dukshmja dhe e padukshmja” do të jenë “të dyfishta në krah të njëra-tjetrës”, ku “era, uji, zjarri, dielli, një yll, një hardhi, një derë, dhe një qengj,” do të lëshojnë para tyre në poezitë e Rossetit, hije të mistershme kuptimore.

Mundet të jetë edhe ndryshe, pasi e kuptojmë dhe e pranojmë këtë simbolizëm, reagimi ynë ndaj vargjeve ndryshon.Ndoshta, tani ky reagim bëhet më pak i hapur edhe ngashnjyes, sepse poezia e saj përjashton ata lexues që nuk kanë këtë dituri të nevojshme teologjike për ta interpretuar atë, dhe në këtë mënyrë kjo vepër poetike nuk përfaqëson më një gjëegjëzë apo një sekret artistik, por një leksion fetar. Nuk mund të mohoet se ky është një problem, madje problemi kryesor me të cilin përballen lexuesit e veprës së Rossetti-t. Në çfarë marrëdhënie na duhet të vendosim në veprën poetike të Rossettit atë tipar të cilin e mendojmë si “cilësia letrare” e poezisë, me përmbajtjen e saj religjioze? Për disa, poezia është në gjendje dhe e aftë të arrijë hapjen që shkakton tërheqjen ndjellëse për lexuesin- megjithë, d.m.th pavarësisht-ose edhe përkundër-d.m.th edhe duke i bërë rezistencë ngarkesës shtypëse të ideve religjioze në brendine e përmbajtjes së saj. Për të tjerë, shpjegimi I këtyre ideve religjioze është detyra parësore, edhe nëse në fund të saj ajo mund të sjellë mbylljen e natyrës pafundësisht të hapur kuptimore që arrin shprehja përmes artit poetik.

Në rastin e Rossetti, e vërteta është se sa më shumë e lexojmë poezinë e saj. aq më shumë i ndjejmë, dhe aq më të bindur jemi se, gjëegjëzat dhe sekretet poetike që ajo ndryn, janë të pandashme nga qartësia e vërtetësisë së dogmave religjioze. E lindur në 1830, Christina Georgina Rosetti, në vitin e fundit të jetës së saj (1894) kishte disa dekada që konsiderohej gjerësisht jo vetëm si poetja angleze më e madhe e epokës viktoriane, por edhe si një nga poetet më të shkëlqyeshme. Megjithë nënvleftësimin mbrojtës që kishte për vetveten, dhe të ndeshur shpesh në letrat e saj, -duket se asaj i pëlqen ta përultësojë vetveten-në 1850 duket qartësisht se ajo më në fund është e bindur për vokacionin dhe vlerat e saj si poete.

Preokupimi mbizotërues i shkrimeve të Rossetti-t është religjioz; shpresa për jetën e amëshuar, frika nga gjykimi, tundimet e botës, mundshmëria për të harmonizuar dashurinë e kësaj bote me atë qielloren, imitimi i vuajtjeve vetë-sakrifikuese të Krishtit, nevoja për hirin Hyjnor, sakramentet e administruara nga Kisha, fati I jobesimtarëve, paqartësia apo pasiguria e interpretimeve të Biblës, të kuptuarit e historisë në dritën e profecive biblike, përgjimi për riardhjen e dëshiruar të Krishtit.Thuajse gjithçka që ajo shkruan duhet kuptuar brenda një konteksti religjioz, ndaj si pikënisje për të duhet marrë një kontekst ekleziastik. Sipas pikëpamjes së kritikës më më ndikim, ajo mund të shihet plotësisht si produkt i plotë dhe i drejtpërdrejtë i “Lëvizjes së Oxford-it”, pjesë e një tradite poetike të asociuar me levizjen e viteve 1830-1840, për një ringjallje katolike brenda kishës së Anglisë (“e njohur ndryshe edhe si Traktarianizmi”). Ndikimi I kësaj levizjeje duket qartë se ka qenë I thellë në veprën e Rosseti-t, edhe për arsye se kisha ku ajo shkonte rregullisht në vitet e formimit të saj, Kisha e Krishtit në rrugën Albany, ishte në vitet 1840 ndër kishat e Londrës të ndikuara më fuqishëm nga idetë e kësaj lëvizjeje.

Megjithatë angazhimi I Rossetti-t me idetë religjioze është shumë larg ripohimit të të vërtetave të qarta dogmatike të Shkrimeve të Shenjta. Ky angazhim nuk e paaftëson atë si poete, por ndërmjet brendisë religjioze nga njëra anë- edhe ajo në vetvete e paqartë për shkak të errësirës kuptimore dhe kontradiktave që ndeshen në vetë tekstet e Shkrimeve të Shenjta-dhe energjisë imagjinuese poetike nga ana tjetër, ekziston një lidhje intime. Kjo shkrirje e harmonishme ndërmjet brendisë religjioze me imagjinatën poetike është burimi kryesor i arritjeve intelektuale dhe forcës poetike të artit të saj.

Kjo shfaqet kur poezitë e saj janë me motive të tilla si psh: Cila është gjendja e botës pas Rënies të shkaktuar nga mëkati fillestar? A solli kjo rënie vetëm korruptimin e njerëzimit apo edhe të botës mbarë? Përgjigja për këtë pyetje është thellësisht e paqartë brenda vetë teologjisë së krishterë, dhe ca të pakta evidenca mbi të nga Shkrimet e Shenjta janë kontradiktore, ndërkaq është pikërisht preokupimi mbi këtë çështje që e gjejmë të trajtuar brenda poezive të saj më mbresëlënëse (“Një botë e ndershme, edhe pse e rënë”, “Përfytyro mendueshëm trëndafilat në fushë”, “Bota”, “Një mendim i dytë”, “E kyçur jashtë”, “Nga shtëpia në vatër”, “Pazari i Kukudhëve”, “Një shkurnajë e botës së vjetër”).

Ose, çfarë ndodh me shpirtin në kohën ndërmjet vdekjes dhe ringjalljes? Edhe në këtë rast shkrimet e shenjta nuk ofrojnë ndonjë orientim të qartë dhe konsekuent drejt të kuptuarit të një përgjigjeje për të, ndaj përsëri përgjigja për këtë pyetje eskatologjike mbetet e hapur për hetim nga imagjinata e poetes (si ndodh p.sh me poezitë “Tokë e Endrrës”, “Pushim në paqe”, “Jetë e fshehur”, “Kujto”, “Një këngë vaji”, “Lutja e Fantazmës”).
Anjë nga poezitë e Rosseti-t nuk është më e afërt dhe familjare për lexuesin sesa “Kënga” (“Kur të jem e vdekur, i shtrenjti im”), por ta vendosësh këtë poezi në kontekstin e spekulimeve teologjike mbi vazhdueshmërinë e gjendjes së ndërgjegjshme të shpirtit në periudhën kohore ndërmjet dy botëve, kësaj tokësore dhe të përtejshmes qiellore, është ta bësh atë jofamiljare dhe të huaj për lexuesin:

Dhe duke ëndërruar në muzgun
e një dielli që as nuk lind, dhe as nuk perëndon
Ndoshta unë mund të kujtoj
Ndoshta mund të harroj

Paqartësia personale e strofës së parë të poemës, -nëse i dashuri do ta kujtojë atë-, tkurret e zmbrapsur para kësaj paqartësie eskatologjike, cilatdo të jenë ndjenjat e saj për të dashurin në këtë botë, a mundet ndonjëherë kujtimi i tij (saj) të shkëmbehet ndërsjelltazi, në botën e premtuar në qiej që pritet të vijë? Ajo që ka nisur si një lloj I caktuar poezie, shndërrohet, nëpërmjet emocioneve drithëruese, në diçka krejt të ndryshme.

Vizioni poetik i Christina Rossetti-t, zmadhohet pra, dhe nuk ngushtohet, prej teologjisë.

Share: