Home KRYESORE DY FJALË PËR VAGNERIN

DY FJALË PËR VAGNERIN

Nga Robert Martiko

Më duhet të vë në dukje paraprakisht se Elvis Zajmi bën përkthime nga gjuhë të huaja me vlera shpirtërore, për të zgjeruar horizontin e lexuesit. E njëjta gjë ndodh edhe në këtë përkthim rreth mendimeve të muzikologut anglez Thomas S. Grey për Rikard Vagnerin, ku unë komentoj si më poshtë…

Nuk mund të lëvizësh as pikë as presje në lidhje me sa shkruan Thomas S. Grey, muzikolog në Unversitetin Stanford në Britaninë e Madhe, për Rikard Vagnerin, një nga kolosët e mëdhenj të muzikës botërore. Ndër të tjera Grey shkruan në artikullin e tij: ‘‘…ne zbulojmë një shpirt mohues fisnik, mospërfillës dhe kundërshtues, një energji burrërore me qëndresë që sa vjen e rritet, mu në qendër të lëvizjes, derisa arrin gjendjen e një lufte të hapur ndërmjet dy kundërshtarëve, që e provojnë veten njëlloj të pamposhtshëm, derisa secili prej tyre në fund e pushon betejën.”

Kjo është e vërtetë, megjithatë, duke dashur të shikoj në mënyrë kritike Vagnerin në përgjithësi, nuk mund të mos shtoj vërejtje të bëra nga personalitete të botës perëndimore si më poshtë, të cilat i shikoj veçanërisht të vlefshme, në një kuadër më të gjerë, për ecurinë e qenies njerëzore. Dhe kjo edhe sipas vetë Thomas S. Grey, i cili shkruan: ‘‘Wagneri i viteve 1848, iu përgjigjej energjive revolucionare dhe utopive socialiste, që po përshkonin tej e ndanë Evropën, duke i kanalizuar ato në teoritë e veta mbi artin dhe kulturën moderne.’’

Sa për dijeni, ishte koha e nihilizmit dhe e paradhomës fatale të terroristëve, të cilët në fillim të shekullit tjetër do të shfaqeshin për të përgjakur njerëzimin si kurrë më historinë e tij, nga krijimi i botës.

Giulio Confalonieri, muzikolog i dëgjuar italian, shkruan për Vagnerin se errësimet pafund që spikasin në muzikën e tij, korrespondojnë me një aktivitet të ndërgjegjes sonë, domethënë ato ‘‘janë’’ në ndërgjegjen tonë më parë se të jenë në muzikë. Kjo ka kuptimin se jo gjithçka artistike vepron pozitivisht në shpirtin e njeriut të paformuar. Konfalonieri e thekson më tej këtë dukuri: ‘‘Në punën e mjeshtrit nga Laipzigu dallojmë diçka që duhet pranuar si skllavëri, si një imponim magjik dhe në një farë mënyre i dhunshëm. Kjo shqetëson.’’

Dhe ka të drejtë, për arsye se përreth personaliteteve të fuqishme si Vagneri, përherë do të mblidhen gjithfarë aparatesh ideologjike të errëta, që bëhen shkak spekulimesh e interpretimesh të shumëfishta. Duke shfrytëzuar paditurinë klasike, përparojnë me lehtësi matanë qëllimeve të vetë autorit. Në një farë mënyre përsëritet historia e veprës filozofike të Niçes së shfrytëzuar në një mënyrë aq shumë tragjike nga makina propagandistike naziste, një fatalitet i vërtetë.

Matanë këtij fenomeni, në veprën ‘‘Gesamtkunstwerk’’, Vagneri si shkrimtar bën fjalë për egoizmin njerëzor që do të shkatërrojë komunizmi, diçka që e sjell atë përbri një anarkisti të famshëm si Mihail Bakunin. Siç vërtetoi historia të gjitha këto mendime ranë në koshin e plehrave. Tjetër rrugë ndryshoi botën në Perëndim, dhe kjo ishte ndryshimi i vetvetes.

Kritika nuk ka sqaruar ende atë që Wagneri e quante Shpëtim të Botës, nëse simbolizonte vëllazërinë universale apo vetëm vëllazërinë e popullit gjerman. Kompozitori i famshëm kontribuoi për zhvillimin e racizmit duke shpërndarë idetë filozofit francez Joseph Arthur de Gobineau. Themeloi në nderim të tij Shoqërinë Gobineau. Filozofi racist britanik Houston Stewart Chamberlain, vijimtar i Gobineau u martua me çupën e tij, Eva von Bülow-Wagner.

Wagneri ishte kundër hebrenjve, veçanërisht kur iu afrua fesë luteriane, në vitet e fundit të jetës. Megjithatë në rrethin e Bayreuth pati edhe hebrenj të famshëm si Anton Rubinstein, Karl Tausig, Hermann Levi. Për shkak të ideve, muzika e Wagnerit pësoi një ostrakizëm të fortë nga ana e një pjese të publikut.

Shpirti gjerman ishte gjithçka për Wagnerin, shteti gjerman ishte asgjë. Në Maestri Cantori shkruan: ‘‘Edhe sikur të bëhet hi e pluhur Perandoria e Shenjtë Romake, do të mbetej pas Arti i Shenjtë Gjerman.’’

Krahas Idealizmit të famshëm gjerman në filozofi, pikërisht këto mendime shtynë Gjermaninë të përgjakte dy herë Botën në shekullin e XX, me milionë të vrarë e të vdekur, në emër të nacionalizmit e racizmit.

Share: