Avancimi i gjeopolitikës dhe i gjeostrategjisë ruse në Ballkan po shkon drejt formave gjithnjë e më agresive. Organi proqeveritar rus “eadaily.com” në 22 dhjetor 2018 hedh në qarkullim propozimin e ri për vendosjen e forcave ushtarake ruse në Serbi. Me titullin “Serbisë i duhet kontigjenti ushtarak rus” dhe me nëntitullin “Prania ushtarake ruse në Serbi mund të parandalojë acarimin ushtarak të konfliktit në Kosovë”, drejtori i Qendrës Ballkanike të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Moskë, Viktor Kollbanovskij, parashtron propozimin që “rrugëdalja e vetme për Serbinë është vendosja e një kontigjenti ushtarak rus në Serbinë Qendrore”.
Është hera e parë që një media proqeveritare dhe një drejtues i një Qendre të specializuar ruse për Ballkanin paraqet propozimin që në Serbi duhet të vendoset një kontigjent ushtarak rus.
Kjo duhet marrë si një sinjal paralajmërues i zhvillimeve të pritshme negative në rajonin tonë, ku ambicja e Moskës mund të marrë formën e rrezikshme të vendosjes së trupave ushtarake ruse në rajon. Në artikullin e tij të datës 22 dhjetor drejtori i Qendrës Ballkanike ruse të Bashkëpunimit Ndërkombëtar thekson: ”Fakti që situata në Ballkan u përfshi në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse në 17 dhjetor dëshmon për atë që rajoni në fjalë hyn në fokusin e interesave ruse të sigurisë kombëtare”.
Edhe komunikata presidenciale ruse për mbledhjen e mësipërme të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë së Federatës, që u drejtua nga presidenti Vladimir Putin, thekson se “mbledhja diskutoi në mënyrë të detajuar për gjendjen në Ballkan”, dhe nuk përmend asnjë rajon tjetër të botës, madje as Sirinë. Burime diplomatike lindore bëjnë të ditur se në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse është përqendruar në lëvizjet diplomatike dhe ushtarake të Rusisë për zhvillimet me temën e Kosovës.
Nuk duket rastësi që pikërisht në kulmin e debateve diplomatike rajonale, europiane dhe ndërkombëtare për zgjidhjen e nyjes konfliktuoze midis Serbisë dhe Kosovës, nga Rusia vjen propozimi për vendosjen e forcave të saj ushtarake në Serbi. Që të jemi të qartë, ky është propozim që i drejtohet udhëheqjes së Serbisë, të cilës sipas burimeve diplomatike lindore, i është paraqitur në kanale diplomatike kjo ide ruse. Një ekspert i njohur ushtarak rus, Viktor Litovkin, drejtor i departamentit të editorialeve ushtarake në Agjencinë Shtetërore ruse TASS, shkruante para disa kohësh po në “eadaily.com”, se “mundësia e pranisë ushtarake ruse në Serbi varet para së gjithash nga vullneti dhe inisiativa e udhëheqjes serbe”.
Është një presion dhe shantazh i hapur i Moskës ndaj Beogradit, që Serbia t’i hapë rrugë vendosjes së trupave ruse ne territorin e saj dhe që të mos devijojë nga roli i instrumentit të strategjisë ruse në Ballkan.
Aktualisht Serbia ndodhet në një pozitë të vështirë diplomatike dhe politike. SHBA dhe disa shtete të BE po i kërkojnë asaj që t’i jap fund hezitimit për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, duke nënshkruar marrëvshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe. Kushdo e kupton se realizimi i një marrëveshje përfundimtare, ku Serbia dhe Kosova të njohin reciprokisht njera-tjetrën, do të përbënte kontribut për stabilizimin e rajonit, por edhe një avancim të hapësirës së integrimit euroatlantik në Serbi dhe në Kosovë.
Një perspektivë e tillë euroatlantike don të thotë mbyllje e dyerve për influencën ruse në Serbi dhe në rajon. Këtë skenar të disfavorshëm gjeopolitik Moska kërkon ta parandalojë me çdo mënyrë. Ndaj konstatohet një aktivizim shumë i madh i saj në rajon dhe si rezultat kemi për herë të parë një rol të ri aktiv të Rusisë në rajon pas 15 vitesh. Fakti është se Rusia po arrin të fitojë një rol të ri në tratativat e mbyllura të fuqive të mëdha për t’i dhënë fund kontestit Serbi-Kosovë.
Duhet pranuar se Rusia, me një mënyrë ose tjetër, me konsensusin apo pa konsensin e Perëndimit, po arrin të jetë lojtare e rëndësishme në qarkun e mbyllur të fuqive të mëdha për finalen e dialogut Serbi-Kosovë. Takimi befasues i presidentit rus Vladimir Putin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris në 11 nëntor 2018, dhe kujdesi i protokollit francez për t’i ulur dy presidentët pranë njeri-tjetrit, duhen lexuar si shenjë se Rusia po lejohet të marrë një rol të ri diplomatik në Ballkan.
Por kushdo, që e njeh sado pak metodologjinë dhe strategjinë e diplomacisë ruse, e di se Kremlini nuk do të mjaftohet vetëm me rolin diplomatik në çeshtjen Kosovë-Serbi dhe në rajon. Ai synon diçka më të madhe dhe kjo është prania ushtarake ruse në Ballkan.
Kam mendimin se Rusia po aplikon në Ballkan metodën e saj të suksesshme siriane. Në Siri ajo priti katër vjet derisa Perëndimi të ngatërrohej në përlasjen e interesave me njeri-tjetrin dhe të mos e zgjidhte dot krizën siriane, dhe ahere hyri në valle Rusia. Në fillim diplomatikisht me marrëveshjen me SHBA për largimin e armëve kimike nga Siria, dhe pastaj një vit më vonë Rusia vendosi dislokimin e forcave të saj ushtarake në territorin e Sirisë.
Rusia është aktualisht lojtari kryesor përballë Perëndimit për zgjidhjen e krizës siriane. Skema e saj siriane po rivihet në Ballkan dhe Rusia, pasi është ulur si lojtare në tryezat e mbyllura të fuqive të mëdha për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, pritet të kalojë në fazën tjetër të planeve të saj strategjike, atë të vendosjes së forcave të saj ushtarake në Serbi.
Çfarë bën përshtypje në propozimin e Qendrës Ballkanike ruse të Bashkëpunimit Ndërkombëtar? Së pari, i kërkohet Beogradit që “me vendosmëri të refuzojë çdo lloj marrëveshje të veçantë me shqiptarët e Kosovës dhe t’i drejtohet Rusisë me lutjen për ndihmë ushtarake, përfshirë edhe vendosjen në Serbi të kontigjentit ushtarak rus”.
Së dyti, e kërcënon udhëheqjen e Beogradit që, nëse nuk pranon kërkesën ruse të trupave, Rusia mund t’i ngrejë kundër publikun e brendshëm dhe sidomos kishën ortodokse serbe. Institucionet e specializuara ruse kanë krijuar përvojë dhe rrjete në drejtim të nxitjes së protestave dhe të trazirave sociale e politike në vendet ballkanike dhe dorën e tyre e kemi parë në shumë shtete të Ballkanit, përfshirë edhe vende anëtarë të NATO-s.
Së treti, propozimi për vendosjen e forcave ushtarake ruse në Serbi hidhet në prag të vizitës, që pritet të bëjë në fillim të vitit të ardhshëm në Beograd presidenti rus. Drejtori i Qendrës Ballkanike ruse të Bashkëpunimit Ndërkombëtar i klasifikon si “sfond i papërshtatshëm për realizimin e vizitës së presidentit Putin rrethanat e tanishme të politikës së brendshme të Serbisë”. Kjo formë kërcënimi diplomatik don të thotë që diplomacia ruse para vizitës së Putinit po pret reagimin e Beogradit ndaj kërkesës për vendosjen e kontigjentit ushtarak rus në Serbi dhe për dhënien e statusit diplomatik për ushtarakët rusë të bazës ushtarake ruse në Nish.
Është hera e parë që një institucion rus paraqet në një organ proqeveritar rus kërkesën që Serbia të mos pranojë marrëveshje e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën. Pavarësisht se Kremlini ka deklaruar se Moska do të pranojë çdo marrëveshje dypalëshe, që do të bien dakord Beogradi dhe Prishtina, domethënia e thirrjes së re për refuzim të marrëveshjes, është që Rusia po rrit çmimin e lojës dhe të pazareve të saj në tryezat e mbyllura diplomatike të fuqive të mëdha. Moska po e ngre çmimin edhe për Serbinë, edhe për Kosovën, edhe për Perëndimin, me atutë që ka në dorë për secilin.
Ambicja ruse për vendosjen e forcave të saj ushtarake në Serbi është objektiv i madh gjeopolitik dhe gjeostrategjik rus për Ballkanin. Është e kuptueshme se një Serbi me forca ushtarake ruse në territorin e saj nuk mund të pranohet anëtare e BE, pa le më anëtare e NATO-s. Rusia po fiton kështu një peshë të re në Ballkan, duke u përpjekur të diktojë paritetin e influencës në rajon dhe sanksionimin e pjesës së saj të influencës.
Jemi para një procesi negativ, i cili kërkon një reflektim të artikuluar sidomos nga BE, e cila duhet të kuptojë se roli i saj në Ballkan po spostohet dhe dobësimi i zërit europian shkon në favor të Rusisë. Ky grafik do të përkeqësohett akoma më shumë, nëse diplomacia e BE do të vazhdojë të merret me “seksin e engjëjve” të ushtrisë së Kosovës dhe nuk do të shikojë retë e zeza të pranisë ushtarake ruse, të cilat po vijnë drejt Ballkanit.
Mungesa e kohezionit diplomatik të BE dhe paaftësia e saj për t’i imponuar Serbisë njohjen e Kosovës gjatë shtatë viteve, që udhëhoqi dialogun Serbi-Kosovë në Bruksel, sollën në një situatë, ku BE po shndrrohet përsëri në spektatore dhe jo në arkitekte e zgjidhjes së krizave ballkanike.
Le të shpresojmë se në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera të rëndësishme europiane, si dhe në kryeqytetet ballkanike, po i dëgjojnë tingujt e marshit të vjetër ushtarak rus: “Ja po vjen Ushtria e Kuqe!”./Shqipsot