Home Gjeo-Ekonomia Urrejtja e qeverisë ndaj biznesit të madh, një “virus” më i rrezikshëm...

Urrejtja e qeverisë ndaj biznesit të madh, një “virus” më i rrezikshëm se Covid-19!

Nga Nikollaq Neranxi

Sot, në këtë kohë të mallkuar pandemie, mendimi i parë është: “Ishalla dalim gjallë nga lufta me këtë armik të cilin nuk po dimë as si ta luftojmë!”. Por duke mos rënë në pesimizëm dhe me shpresën që kjo situatë do të marrë fund shpejt, ne do ta quajmë luftën të fituar, vetëm nëse arrijmë të sigurojmë jetesën për sot dhe për nesër, në një situatë ekonomike e cila padyshim nuk do të jetë e njëjtë pas pandemisë, por duhet të vijojë të frymojë, që të frymojmë edhe ne.

Mirëpo çfarë po ndodh? Politikat ekonomike që po aplikon qeveria Rama, a po e bëjnë të mundur këtë? Unë them aspak! Ju dëgjoni herë pas here për masa lehtësuese për biznesin e vogël, si heqje TVSH apo tatim fitimi, masa këto të dyshimta edhe sepse mund të nxisin evazionin fiskal, por mos harroni, motori i ekonomisë është biznesi i madh, janë ato 22700 biznese të cilat punësojnë njerëz dhe mbushin arkën e shtetit. Mirëpo në këtë kohë pandemie, për biznesin e madh jo vetëm që nuk u ofrua asnjë ndihmë, por u bë edhe ironi duke iu thënë sipërmarrësve të shesin vilat dhe jahtet! Ky është një mentalitet komunist i cili tregon urrejtje për të vetmit njerëz të cilët me talentin, vizionin dhe punën e tyre, i kanë dhënë frymëmarrje ekonomisë.

Se sa urrehet biznesi i madh, unë e shoh dhe e jetoj për ditë. Mund të mos ofronin asgjë, por minimalisht nuk do të silleshin me ne sikur jetojmë një kohë normale dhe jo një epidemi ku nuk dihet kush do gdhihet gjallë nesër, ku fuqia blerëse ka kapur minimunimin dhe ku punonjësit nuk kanë performancën e zakonshme falë stresit që po krijon kjo kohë.

Tre gjëra të thjeshta, por shumë të rëndësishme, mund të bënte kjo qeveri për biznesin e madh:

1.Ne sot na kërkohet të paguajmë tatim fitimin e vitit 2020 çdo muaj, duke marrë si referencë vitin 2019!!! Por a mund të krahasohet sot 2019-ta, me një vit pandemie dhe karantine? Absolutisht jo! Por Tatim taksat nuk duan t’ja dinë, ata sjellin fatura me ato vlera. Dhe jo vetëm kaq, por po e vonove pak pagesën, ke edhe gjobën 10%! Ky është një turp dhe një tregues i një urrejtjeje të madhe që kjo qeveri ka ndaj biznesit të madh.

2.Lehtësimi i biznesit nga pagesat e TVSH-së në dogana për artikujt e importuar, duke e paguar TVSh-në e plotë, në shitje të produktit. Ne vazhdojmë ta paguajmë TVSH-në që në doganë edhe për një mall që nuk dihet nëse do shitet apo jo, sepse e kemi të pamundur të bëjmë parashikime në këto kushte. Kjo është një peshë e papërballueshme financiare në kushte pandemie.

3.Shtyrjen e pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, si dhe taksat që lidhen me pagën.

Këto tre masa të cilat nuk japin asnjë efekt negativ në buxhet, në fakt i krijojnë mundësi biznesit të madh që të marrë frymë dhe t’i zgjatet jeta, bashkë me të edhe të punësuarve të tij.

Humbjet ekonomike nuk zgjidhen as me karantinë dhe as me vaksinë. Efektet e saj shtrihen në vite dhe koha e rikuperimit zgjat më shumë se ajo e shërimit nga Covid.

Falimentimi i sipërmarrjes private, është pandemia më e rrezikshme e një shoqërie. Sipërmarrjet nuk janë të pronarit, vetëm komunistët e thonë këtë. Biznesi është pasuri e një shoqërie, me të lidhen interesat dhe prosperiteti ekonomik i shumë palëve (furnitorë, klientë, punonjës, banka, shtet).

Sot me sektorin privat ushqehen mbi 500 mijë familje shqiptare, (shumica në biznesin e madh), ndërkohë që qeveria mbledh rreth 90% të të ardhurave nga sektori privat.

Kjo qeveri e la biznesin në mëshirë të fatit, duke mos i dhënë dorën as për ato masa elementare që përmenda më lart dhe duke bërë kështu një eksperiment shumë të rrezikshëm. Biznesi është ndërtuar në formë të tillë, që të përballojë humbje apo trauma të cilat janë të njohura për të. Mund të pësohet humbje si pasojë e mosveprimeve apo veprimeve të gabuara, ose nga risqet operacionale dhe financiare. Deri këtu notohet në ujëra të njohura, por ama asnjë biznes nuk mund të parashikojë trauma nga pandemia. Për këtë punë është shteti, dhe për këto ditë paguhen taksat. Në çdo vend normal të botës, sot biznesi i madh që mban në këmbë ekonominë, po subvencionohet nga shteti, ndërsa tek ne po luftohet nga shteti.

Duhet një reflektim për këtë situatë dhe një qasje komplet tjetër ndaj biznesit, para se të jetë shumë vonë për ta shpëtuar atë.

Qeveritarë, hiqni dorë nga urrejtja, mendoni të paktën për ata të punësuar të cilët po i hodhëm ne në rrugë, ju as asistencë sociale nuk i jepni dot! Reflektoni dhe veproni!

Gazeta Panorama, 20 nentor 2020

Share: