Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet të premtojë 4 miliardë dollarë për një program të vaksinimit kundër koronavirusit për vendet më të varfra.
Zotimi pritet të bëhet publik në një takim virtual të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet gjatë ditës së sotme.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se SHBA-ja do t’i japë menjëherë dy miliardë dollarë për programin ndërkombëtar COVAX, ndërsa dy miliardët e mbetur do të jepen gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
COVAX është një projekt global për blerjen dhe shpërndarjen vaksinave për së paku 20 për qind të popullatës së rrezikuar në secilin vend.
Plani është hartuar për t’iu mundësuar vendeve të varfra të arrijnë hapin në vaksinim, përballë vendeve të pasura.
Vendet e G7-ës janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Japonia, Britania, Franca, Kanadaja dhe Italia.
Organizata ndërkombëtare kundër varfërisë One Campaign tha në një raport të publikuar të premten, se vendet e pasura janë në rrugë për të pasur mbi një miliard vaksina më shumë, sesa u duhen.
Kjo, sipas organizatës, do të bëjë që kombet e varfra të luftojnë për furnizimet e mbetura.
Organizata, me seli në Uashington, u bëri thirrje vendeve të pasura, të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që t’i shpërndajnë dozat e tepërta.
Koronavirusi ka prekur së paku 110 milionë njerëz në të gjithë botën.
Prej tyre, mbi 2.4 milionë kanë vdekur, ndërsa mbi 62 milionë janë shëruar.
Vaksinimi i rreth 70 për qind të popullatës shihet si mënyrë për mposhtjen e virusit./REL