Home KRYESORE “Kuvendi i Berishës është nul”/ Këshilli Kombëtar i PD miraton rezolutën, ja...

“Kuvendi i Berishës është nul”/ Këshilli Kombëtar i PD miraton rezolutën, ja çfarë parashikohet

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar unanimisht rezolutën, e cila u propozua një ditë më parë nga kryetari i PD-së dhe dënon lëvizjen dhe veprimet të ndërmarra nga ish kryeministri Sali Berisha.

Një ditë pasi Sali Berisha mblodhi Kuvendin, Këshilli Kombëtar e konsideron lëvizjen e Berishës si anti-statutore dhe që ishte një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend.

Në këtë rezolutë, cilësohet si nul Kuvendi i 11 dhjetorit dhe të gjitha vendimet e ndërmarra prej tij, ndërsa rezoluta afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve.

Po ashtu theksohet se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kanë marrë pjesë 290 anëtarë nga rreth 480 që janë gjithsej, ndërsa pas miratimit të rezolutës do të ketë edhe një votim të fshehtë për të shkarkuar emrat që u propozuan një ditë më parë nga kryesia e Partisë Demokratike.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar në mbledhjen e sotme se ka qenë zotimi i tij i parë si kreu i kësaj force politike që nuk do të ketë kurrë përjashtime të propozuara nga ai dhe se nuk mban njerëz me forcë.

Mësohet se Basha ka deklaruar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar se masat e marra mbrëmë nga kryesia dhe masat e propozuar sot, nuk janë masa përjashtimi, por shkarkim nga funksionet. Kjo sipas tij për shkak të dhunimit flagrant të statutit, duke sjellë pasoja për PD.

“Ka qenë zotimi im i parë si kryetar i PD-së që s’do të ketë kurrë përjashtim të propozuar nga unë. As unë e as ju nuk mbajmë njerëz me forcë. Ndaj dhe masat e marra mbrëmë nga kryesia dhe masat e propozuara sot, nuk janë masa përjashtimi por shkarkim nga funksionet për shkak të dhunimit flagrant të statutit me pasoja për PD. Është i paprecedent sulmi dhe presioni që ju bëhet demokratëve. Ka presion dhe kërcënim nga ish zyrtarë të lartë apo zyrtarë që kërcënojnë anëtarë të Këshillimit Kombëtar për të qenë pjesë e mbledhjes. Është e pa pranueshme të mbyllim sytë. Unë e refuzoj këtë dhe ta refuzojë çdokush prej nesh“, është shprehur Basha para demokratëve.

Këto vendime vijnë si një përgjigje për Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, ku nga 4491 delegatë që votuan, 4446 ishin pro shkarkimit të tij, kundër 36 e ndërsa 9 vota të tjera u shpallën të pavlefshme. Gjithashtu, në këtë Kuvend u ndryshua statuti i PD-së, si edhe u miratua edhe ngritja e një Komisioni të quajtur ‘Komisioni i Rithemelimit të PD’ me 29 anëtarë në përbërje që do ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2022 kur do të thirret një Kuvend i ri!

Rezolutë e miratuar e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike:

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur sot në 12 dhjetor 2021 në përmbushje të përgjegjesive të veta politike dhe statutore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve,
-Diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor;
-Konstatoi se thirrja e ketij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik;
-Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;
-Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.
-Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike.
-Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës.
– Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar e mbedhur rreth vetes një grup organizatorësh me agjendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes, lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizatë politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.
-Partia Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA.
-Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11 dhjetorit për shqetesimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me agjendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike.
-Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrrupsionit dhe pandëshkushmërisë në sferat e larta si një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Në ketë luftë vendosja nga SHBA e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend
-Këshilli Kombëtar shpreh vlerësimin dhe e mbështetjen e plotë për ngritjen në një nivel të ri dhe më të ngushtë të marrëdhënive të bashkëpunimit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të partisë me SHBA.
-Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimarrjen e Kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.

Top Channel

Share: