Home KRYESORE “Askush mbi ligjin”, Britania e Madhe vendos sanksione ndaj individëve shqiptarë në...

“Askush mbi ligjin”, Britania e Madhe vendos sanksione ndaj individëve shqiptarë në lidhje me krimin e korrupsionin

Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe po përdor sanksionet për ndëshkuar  politikanët, biznesmenët dhe zyrtarët e korruptuar shqiptarë.

Sir Stuart Peach, i Dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor njoftoi vendimin e qeverisë:

“Ne si Mbretëri e Bashkuar po intensifikojmë përpjekjet tona për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor. Mbështetur mbi regjimin tonë të Sanksioneve Globale Antikorrupsion ne kemi listuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën”.  

Pa përmendur se cilat janë emrat shqiptarë të sanksionuar, por duke cilësuar se disa personazhe publike mbështeten nga kriminelët, Peach shton:

“Këtë javë, ne ndërmorën veprime ndaluese kundër disa individëve shqiptarë në lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara. Kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”.

Peach, duke cituar OSBE-në për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar, shton se blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri dhe më gjerë në rajon nënkuptojnë se pjesa më e madhe e fondeve publike, të mbledhura nga taksapaguesit e thjeshtë, nuk arrin kurrë te shkollat, spitalet dhe rrugët që u nevojiten qytetarëve”.

I dërguari britanik shton se qeveria britanike është e angazhuar të ndihmojë Shqipërinë në vazhdimin me sukses të reformës në drejtësi.  Vendimin e Mbretërisë së Bashkuar e përshëndeti edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila thotë se ata që kanë abuzuar me besimin e publikut për të pasuruar veten dhe kanë minuar demokracinë duhet të përballen me drejtësinë.

Top Channel

Share: