Home KRYESORE Pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh, sekuestrohet pallati tetë katësh në Vlorë

Pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh, sekuestrohet pallati tetë katësh në Vlorë

Një pallat tetë katësh është sekuestruar në Vlorë, pasi dyshohet se objekti është ndërtuar me dokumente të falsifikuara dhe pastrim parash.

Objekti në rrugën “Gjergj Araniti”, lagjja “Pavarësia” është është në pronësi të Hito Muskaj dhe Viktor Muskaj, të cilët janë shpallur në kërkim.

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se janë dy prona truall, një prej të cilave është përfituar me dokumente të falsifikuara. Nga prokuroria, konfirmohet se deri në përfundim të hetimeve është vendosur sekuestro preventive për pallatin që është në ndërtim.

Bektash Petoshati, ndërtues në këtë objekt, thotë se ka një leje të rregullt dhe se falsifikimi i dokumenteve është bërë rreth 20 vite më parë nga dy pronarët.

“Unë nuk kisha asnjë dijeni. Më njoftoi policia që ka një urdhër sekuestro të objektit ku unë po ndërtoj. U njoha me urdhrin e prokurorit.

Unë jam ndërtuesi, jam dhe investitor në masën 80%. Ndërtimi ka gati 11 muaj që ka filluar dhe tani ishim në fazën kryesore. Objekti është i shitur totalisht. Të gjithë personat që kanë kontratë prenotimi goditen, shteti goditet, punëtorët që punojnë këtu goditen. Të gjitha këto nuk janë marrë parasysh nga gjyqtarja.

Verifikimet janë kryer të gjitha, nga kadastra ka dalë që certifikata është e rregullt, problemi është me një falsifikim të kryer 20 vite më parë.

Unë kisha dëgjuar, palën tjetër që pretendon për objektin e kam kontaktuar disa herë. Personave që kanë kontratën me mua, u kam thënë ta zgjidhin këtë problem. Është një veprim që mua nuk më përket, nuk ka lidhje fare me mua.

Këtu janë dy pronarë. Prona e dytë që është një ndërtesë 37.5 metra katrorë, pretendohet që është një dokument i falsifikuar, unë nuk e di. Për mendimin tim, vendimi që ka marrë gjyqtarja është i padrejtë, veprimi nuk ka të bëjë me mua, ka të bëjë me pronarët e tokës. Pjesa e pronarëve të tokës le të bllokohet”.

Në fazën e hetimit paraprak të këtij procedimi penal, ka rezultuar se:

Me vendimin nr.—- dt.–.–.–. Bashkia Vlorë ka vendosur “Kalimin në pronësi të pasurisë që ndodhet në Z.K.8603, nr. 32/149/1 pasuri, me sipërfaqe ndërtimi 37.3 m² dhe truall 150 m² shtetasit H.M.”. Në vijim, rezulton që kjo pasuri të jetë rregjistruar pranë A.SH.K. Vlorë me nr.pasurie 28/605/1 Z.K. 8603 .vol 62 fq.90, pasuri e llojit truall me sip.150 m² dhe ndërtesë 37.3 m². Një prej dokumentave të paraqitura prej shtetasit H.M., që ka shërbyer për marrjen e vendimit është dhe “Leje ndërtimi e meremetimi”, vendim nr.62 dt.27.08.1986. i K.E. të Këshillit të Popullor Vlorë, dokument për të cilin në fazën e hetimit është provuar se është një dokument i falsifikuar në formë dhe përmbajtje.

Në vijim, shtetasit H.M. dhe V.M., në cilësinë tashmë të pronarëve të truallit, me vendimin nr.—- datë —.—.—-. të Bashkisë Vlorë, janë pajisur me leje zhvillimi për pasuritë me nr.–/—- sipërfaqe 416,8 m² si dhe pasurinë me nr.–/—/- me sipërfaqe prej 150 m² me adresë lgj “Pavarësia” Vlorë, (pasuri kjo e fituar mbi bazën e “Lejes së ndërtimit e meremetimit” nr.— datë —.—.—-. e Komitetit Ekzekutiv të Qytetit Vlorë, e dyshuar si e falsifikuar). Me vendim nr.— datë —.—.2020. shtetasit H.M. dhe V.M., në cilësinë e zhvilluesit janë pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Vlorë për objektin godinë banimi dhe shërbimesh 1-3-6-7-8 kate me 1 kat parkimi në tokë në lagjjen “Pavarësia” Vlorë.

Sikurse rezulton, si dokument që vërteton pronësinë mbi truallin, është paraqitur dhe çertifikata për vërtetim pronësie nr.——- për pasurinë nr.—/—/- dt.—.–.—-. lëshuar nga A.SH.K.Vlorë e cila në referencë dhe të K.P.P. është rregjistruar sipas vendimit nr.—, datë —.–.—–., të Bashkisë Vlorë. Dokumenti që vërteton të drejtat pasurore të pronarit/ave që marrin pjesë në një zhvillim, përfshirë marrëveshjet nëpërmjet pronarëve dhe zhvilluesit ose/dhe palëve të treta, përbën një nga kushtet e përcaktuar në nenin 15/ gërma “b” e V.K.M. nr.408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, të ndryshuar.

Në interpretim të kërkesave të ligjit nr.107/2014 “Për planifikimin e territorit” të ndryshuar, si dhe V.K.M.-së nr.408 datë 13.05.2015. “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, parashikimeve të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Vlorë të miratuar me vendimin nr.1 datë 16.10.2017. të K.K.T-së, leja e ndërtimit dhe e zhvillimit për objektin, e nxjerrë mbi bazën e një dokumenti pronësie trualli të përftuar nga dokumenta të falsifikuar, nuk duhet të ishte lëshuar, pasi një pjesë e truallit në fakt është në pronësi ”shtet”.

Top Channel

Share: