Home Gjeo-Ekonomia Kritikat pas tensioneve në veri të Kosovës, Kurti: E kemi mbështetjen e...

Kritikat pas tensioneve në veri të Kosovës, Kurti: E kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, pavarësisht kritikave që mori.

“Sa i përket ditës së djeshme ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është që krejt çka kemi synuar ne si Qeveri dhe institucione të Republikës është të mundësojmë që kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhje demokratike të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre, ku duhet t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim feje, etnie e prejardhje. Dhe besoj që për këtë do ta kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë…E kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe mirë po shkon puna”, tha Kurti për RTV Dukagjinin para një takimi me ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe kryetarin e Pejës.

Një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.

Ndërkombëtarët e cilësuan shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.

Por, autoritetet kosovare fajësuan Serbinë dhe “strukturat ilegale dhe bandat kriminale” për situatën e krijuar, teksa thanë se Policia e Kosovës po realizonte detyrën e saj.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se veprime të tilla do të rezultojnë “me pasoja” në raportet dypalëshe me Kosovën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kosovës përshkallëzuan “tensione pa nevojë, duke minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”, tha Blinken.

Top Channel

Share: