Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa drejtoi të hënën në Elbasan seminarin “ Ekonomia globale dhe Kina, impakti në ekonominë tonë”. Në diskutimet e tyre përfaqësues të pushtetit vendor, të biznesit, tregtisë, arsimit dhe medias në Elbasan shprehën dëshirën dhe propozime konkrete për shtimin e bashkëpunimit me Kinën.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës kryetari i këtij Unioni, gazetari i njohur Aleksandër Çipa foli për zhvillimin e këtij seminari në disa qytete shqiptare dhe nënvizoi nevojën e shtimit të shkëmbimeve me Kinën në fusha të ndryshme.
Aleksander Cipa
CMG: Cili ishte synimi i seminarit?
Aleksandër Çipa: Unioni i Gazetarëve Shqiptarë mblodhi përfaqësues të sektorëve të ekonomisë, të investimeve, nga fusha e arsimit për atë çka ne e konsiderojmë domosdoshmëri, që komunitetet lokale, operatorët e ekonomisë dhe të biznesit shqiptar duhet të mendojnë në mënyrë globale dhe të njohin politikat ekonomike, tregtare të hapësirës ndërkombëtare dhe kryesisht të vendeve kryesore, në rastin konkret të Kinës, si ekonomia e dytë e botës.
Këtu ofrohet një optikë e dijenisë së munguar dhe e informacionit të shtuar që do të thotë që në këto tryeza të këtij seminari ne kemi për qëllim të ofrojmë informacion për mënyrën si funksionon tregu global, se çfarë kapacitetesh ofrohen nga ekonomia kineze, cilat janë resurset dhe asetet për hapësirat rajonale dhe ekonominë kombëtare.
Në këtë seminar u ngritën ide dhe propozime për inkurajimin e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë të diplomacisë ekonomike për shfrytëzimin e metodologjive kineze në mënyrën e aseteve të shfrytëzuara të ekonomisë së turizmit, ekonomisë së trashëgimisë, ekonomisë së arsimit, të shkëmbimeve tregtare etj.
Gjithashtu u sollën propozime lokale për shtimin e marrëdhënieve bilaterale me operatorë të ekonomisë kineze, me institucione të tregtisë rajonale që janë pika koordinimi me ekonominë e Kinës. Aq më tepër që u soll në vëmendje të auditorit që ekonomia kineze mes portit kryesor shqiptar atij të Durrësit ze vendin e dytë të prurjes së importit të mallrave nga Kina në Shqipëri.
CMG: Ky seminar është zhvilluar së pari në Elbasan dhe a keni patur seminare të tjerë të këtij lloji?
Aleksandër Çipa: Eshtë zhvilluar një seminar i tillë në Tiranë me përfaqësues nga biznesi, profesorati, zëra të jetës dhe opinionbërës të jetës publike. Ky është seminari i dytë që është pjesë e atij të Tiranës që praktikisht plotëson atë që ne e kemi patur si qëllim të rritjes së dijenisë publike për rëndësinë e ekonomisë kineze në arealin ndërkombëtar, impaktet që sjell ajo në ekonominë shqiptare dhe mënyrën se si duhet të reflektohet për ta pragmatizuar edhe më tej interesin shqiptar në qasjen e operatorëve, zërave, por dhe institucioneve ekonomike tonat.
CMG: A do të ketë vijimësi seminari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë dhe në qytete të tjera?
Aleksandër Çipa: Qëllimi ishte ky që ne të vinim në dispozicion të mediave kombëtare dhe lokale këtë lloj informacioni. Do të doja të falenderoja edhe për mesazhin që solli drejtorja e seksionit shqip të Radios së Jashtme të Kinës Qu Ning (Vera), e cila e bëri edhe më të pasur takimin në Elbasan.
CMG: Një prej të pranishmëve në takim tha se në Elbasan ende sot është një zone që quhet “Lagjia e kinezëve” dhe theksoi se ky qytet e ka lidhur Shqipërinë me Kinën. Përfaqësuesit lokalë në seminar shprehën dëshirën, por dhe objektiva të qarta për shkëmbime në arsim, tregti, turizëm dhe media.
Aleksandër Çipa: Qyteti i Elbasanit ka patur një histori të shkëmbimeve dhe lidhjeve midis Shqipërisë dhe Kinës për shkak të impiantit më të rëndësishëm metalurgjik që ka qenë në këtë qytet. Shkëmbimet e ekspertëve shqiptarë me ata kinezë në historinë e 70 viteve të fundit janë një pasuri e njohjes dhe e dijenisë.
Kishim këtu dhe përfaqësues në seminar dhe nga industria e rëndë dhe të import-eksporteve, të cilët e vlerësojnë këtë. Elbasani gjithashtu ka patur një qendër të shkëmbimeve për transmetimet audiovizive në rajon, që ka patur një entitet të konsiderueshëm të kinezëve që kanë jetuar në rrethinat e Elbasanit. Ky është një lloj inkurajimi për ta përforcuar dhe shtrirë në fusha të tjera bashkëpunimin, si në ato me interes ekonomik dhe interesit reciprok në përgjithësi.
Aktiviteti i Unionit te Gazetareve Shqiptare ne Elbasan
CMG: Ju vlerësuat në fjalën tuaj në seminar kontributin e seksionit shqip të Radios së Jashme të Kinës, sa i përket këtyre shkëmbimeve. Mendoni se në vijimësi se seksioni shqip i Radios së Jashtme të Kinës, (sot Grupi Mediatik i Kinës), do të jetë një partner për Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë për shkëmbime të tilla, në dobi të sjelljes së një informacioni të ri për Kinën në Shqipëri?
Aleksandër Çipa: Do të doja të vlerësoja propozimin që bënë dy nga kolegët drejtues të Unionit të Gazetarëve të Elbasanit për të krijuar një rubrikë guide në mediat jo vetëm shqipfolëse, por dhe në mediat kineze, të cilat mund të orientohen me imazhe dhe aspekte të informacionit të shtuar, për adresimin e operatorëve dhe mediave kombëtare dhe lokale shqiptare për hapësirën e turizmit dhe jo vetëm, por dhe të trashëgimisë, kulturës si dhe të ekonomisë prodhuese në Kinë.
Kjo gjë do të bëjë të mundur të orientojë drejt dhe operatorët lokalë të interesit të shkëmbimit financiar për blerjen dhe transferimin e mallrave dhe prodhimeve kineze.
Intervistoi Eda Merepeza/Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN