Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për vdekjen e 34-vjeçarit Saimir Sula më 9 maj të vitit të kaluar në Spanjë, teksa trupi i tij është sjellë në Shqipëri në fund të majit pa zemër, fakt që është zbuluar pas dyshimeve të motrës dhe kërkesës së saj për ekzaminim mjeko-ligjor në Tiranë.
Sipas dosjes së siguruar nga “BalkanWeb”, më 9 tetor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Shitblerja e paligjshme e organeve”.
Më 27 maj të vitit të kaluar Salla Operative në Tiranë ka njoftuar për kryerjen e veprimeve pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë për kufomën e të ndjerit, shtetasit Saimir Sula me kërkesë të motrës së viktimës. Nga veprimet hetimore të kryera është bërë këqyrja e kufomës, si dhe është përpiluar vendimi për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor të kufomës.
Nga deklarimet e familjarëve, mësohet se Saimir Sula ka qenë i shtruar në spitalin ‘Hospital Del Mar’ në Barcelonë, Spanjë ku edhe ka ndërruar jetë. Sula kishte shkuar në spital pas dyshimeve për COVID-19, por megjithëse kishte rezultuar negativ e kishin shtruar, ndërkohë që thuhet se kishte qenë dhe përdorues i lëndëve narkotike.
Në dosje sqarohet se Saimiri vuante nga probleme mendore pasi kishte halucinacione dhe një mjeke psikiatre i shkonte një ditë po dhe një ditë jo në shtëpi.
Nga këqyrja e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime në trup përveç prerjeve autoptike dhe ndryshimeve pas vdekjes.
Ndërkohë nga këqyrja e brendshme e organeve dhe të dhënave mikroskopi nga mjeko-ligjorët është konstatuar bronkopneumoni sero-deskuamative, aderanca pelurale në anën e djathtë të gjoksit, hepatit kronik persistent, autolizë e organeve, mungesë e zemrës.
Mjeko-ligjorët shprehen se “në mungesë të ekzaminimit të zemrës, i cili është një organ jetik dhe i rëndësishëm nuk mund të përcaktojmë shkakun e vdekjes së viktimës me saktësi shkencore”.
Po kështu thuhet se në gjakun e viktimës nuk u zbuluan metabolite të medikamentit haloperidol.
Nisur nga këto prova, prokuroria thotë se ndodhemi përpara veprës penale “shitblerja e paligjshme e organeve” dhe se për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me përcaktimin e faktit dhe rrethanave të kryerjes së veprës penale dhe identifikimit të autorëve të veprës penale është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore./balkanWeb.com