Home Gjeo-Ekonomia Serbia e Kosova, hetime ndaj Radojçiçit: Ende, asnjë kërkesë për ekstradim

Serbia e Kosova, hetime ndaj Radojçiçit: Ende, asnjë kërkesë për ekstradim

Hetime paralele kanë nisur ndaj Milan Radojçiçit lidhur me sulmin e Banjskës. 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është aktualisht në procesin e mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast. Në të njëjtën kohë, hetimet për ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe ngjarjen në veri kanë nisur nga Prokuroria e Serbisë, por nuk është e qartë nëse dy institucionet do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Zëdhënësi i BE-së, Petër Stano deklaroi një ditë më parë se, Kosova ka mandatin të hetojë sulmin e 24 shtatorit dhe se Serbia ka detyrimin të bashkëpunojë me të, pa kushte. Edhe pse Radojçiçi mori përsipër përgjegjësinë e sulmit të armatosur, autoritetet kosovare vazhdojnë të këmbëngulin se pas Radojçiçit qëndron lidershipi serb, ndërsa Beogradi mohon të ketë gisht.

Madje si për ta vulosur këtë në sytë e opinionit publik dhe ndërkombëtareve, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi në një intervistë për CNN se të gjithë ata që morën pjesë në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë “do të japin llogari para institucioneve të Serbisë”.

Radojçiç është në territorin e Serbisë“, u shpreh ai, “dhe prokuroria do të bëjë punën e saj“.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se, deri më tani prokuroria që merret me rastin e sulmit në Banjskës, nuk ka bërë ndonjë kërkesë për ekstradimin e Radojçiçit dhe të tjerëve, nga Serbia në Kosovë.

Në momentin që do të kemi kërkesa për çështje ndërkombëtare apo për çfarëdo bashkëpunimi tjetër, sigurisht që do t’i paraqesim tek institucionet përgjegjëse, në këtë rast te Serbia, pa vonesa“, u shpreh ajo, duke shtuar se megjithatë  vendi fqinj ka refuzuar deri më tani çdo lloj bashkëpunimi me Kosovën ndaj e konsideron se ndërhyrja ndërkombëtare, do të jetë e domosdoshme.

Top Channel

Share: