Home KRYESORE JUSUF VRIONI – KALVARI I INTELEKTUALIT NË TOTALITARIZËM

JUSUF VRIONI – KALVARI I INTELEKTUALIT NË TOTALITARIZËM

Nga Klara Buda

“Odiseja e Jusuf Vrionit ilustron kalvarin e intelektualit në regjimin totalitar shqiptar. Fati i tij është  prova sine qua non se ai regjim ishte para dhe mbi të gjitha, pushteti i mediokres mbi vlerat e mirëfillta, në art, letërsi, shkencë e gjetkë. […] Jusuf Vrioni, do të ishte një dëshmitar okular dhe erudit i të gjithë fazave të proçesit të shterpësimit intelektual të kombit ushtruar në totalitarizmin shqiptar. Analiza që ai i bënte këtij regjimi prej kendveshtrimit të politologut të formuar në perëndim dhe të burgosurit politik është një nga më të thellat dhe më të nuancuarat që kam dëgjuar ndonjëherë!” Klara Buda

Klara Buda

1998 Paris Ceremonia e Urdhërit Chevalier de la Légion d’Honneur

New York, 15 mars, 2016 

Europe Memory – the fate of intellectuals in totalitarian regimes – Jusuf Vrioni – the Calvary of intellectual in totalitarianism

16 mars 2016  – 100 vetori i lindjes !

25 maj 2016 –  15 vjetori i vdekjes!

Më 16 mars 2016 mbushen 100 vjet nga lindja e një figure të shquar të kulturës shqiptare dhe të lidhur ngushtë me historinë e totalitarizmit shqiptar, Jusuf Vrioni, juristi, politologu, shkrimtari dhe përkthyesi i formuar në shkollat më prestigjioze franceze, trashëgimtari i noblesës shqiptare dhe atdhetari i bindur, që i mbijetoi burgut dhe tortures mizore të regjimit totalitar. Në botën frankofone, ai njihet si përkthyesi i Ismail Kadaresë, por për ata, që si unë patën fatin t’a njihnin nga afër, intelektualin poliedrik, burrin me sqimë e elegant, nuk ka dyshim, se aristokrati i letrave shqipe ishte, mirë e bukur, ai vetë!

Ështe e vështirë të përmbledhësh jetën e Jusuf Vrionit në një shkrim të shkurtër pa u treguar e mangët në paraqitjen e vlerave e të dimensionit human e intelektual që ai përfaqësonte. Ndaj do të mjaftohen duke trajtuar mardhënien e tij me totalitarizmin, analizën erudite që ai i bëntë atij dhe rëndësinë në këtë analizë të eksperiencës së tij personale dhe shëmbullore, që është edhe kalvari tipik i intelektualit shqiptar e që e shpreh aq mirë titulli i kujtimeve të tij, botuar në Francë, nga JC Lattes : «  Mondes effacés », botë të fshira, si me gome, shqipëruar Botë të harruara.

Odiseja e Jusuf Vrionit mjafton e vetme për të ilustruar fatin e intelektualit në regjimin totalitar shqiptar. Jusuf Vrioni i mbijetoi diktaturës duke ulur kokën, duke u fshirë dhe më pas duke i fshehur vlerat dhe talentet e tij. Fati i tij është pasqyra më e mirë dhe prova sine qua non se ai regjim ishte para dhe mbi të gjitha, pushteti i mediokres mbi vlerat e mirëfillta, në art, letërsi, shkencë e gjetkë. Pas zhdukjes fizike të pjesës më të madhe të elitës intelektuale të angazhuar gjallërisht në politikë, menjëherë pas luftës, regjimi do të shtrinte kthetrat e tij edhe në pjesën paqësore të intelektit të kombit, për të cilën Vrioni ishte përfaqsuesi më i shquar. Duke përdorur të njëjtën rrugë, metodikisht : akuza të rreme e dënim pa fakte, burgosje, shpronësim për të përfunduar në fshirrje totale nga jeta publike e zërit të ndryshëm, progresist e tolerant.

Më 13 shtator 1947 arrestohet dhe përfundon në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër të Tiranës, në ato, që ai do ti quajë paradhoma të vdekjes. E torturojnë mizorisht dhe gjatë izolimit 27 mujor, ai do të tentojë, të presë pa sukses damarët. I akuzuar si bashkëpuntor i agjenturave të huaja, Vrioni do të pranonte vetëm se kishte pasur kontakte për krijimin e opozitës legale të parashikuar në bazë të Ligjit Elektoral. Fiziku i sportistit do ti vinte në ndihmë për të mbijetuar në këtë kalim pa përgatitje nga një botë luksi mes elitave europiane drejt e në qelitë e Koçi Xoxes. Ja si shkruante Revista franceze Ekspress, pas botimit të kujtimeve të Vrionit në France : « Pas diplomimit në HEC, École des Hautes Études Commerciales, në Paris Jusufi shkon në Zvicër ku lidhet me Coco Chanel, dhe më pas në Romë […] ku do të lidhet me miqësi me fmiljen Agnelli, Magnani, Visconti, Malaparte apo me vajzën e Mussolinit, gruan e Conte Ciano-s. “Tenis, not, i riu shqiptar, një sportist i kompletuar, koleksionon trofetë, ndër të cilët edhe atë të antarit të ekipit kampion të Francës në hockey mbi akull.”

Por në 29 qershor 1950 Vrioni dënohet me 15 vjet burg, si agjent i shërbimeve të huaja sekrete.

Në këto kujtime ai i përshkruan hollësisht torturat në paradhomat e vdekjes, por kur personalisht e kam pyetur, se cili ishte kujtimi më i trishtë i jetës së tij, ai nuk foli për këto tortura por për një kujtim që lidhej me nënën:” njëhërë shquajta nga larg një grua plakë të kërusur e të ngarkuar me dy trasta që ecte e ndalonte, ecte pak e ndalonte sërish, dukej sikur nga momenti në moment do të binte në rrugën e burgut që dukej nga vendi ku ne punonim… shumë nga ne ndaluan punën për të ndjekur atë nënë…Kur u kthyem, në çastin kur zbulova se ajo grua e vjetër ishte nëna ime, ky është kujtimi më i tmershëm i jetës sime!”

Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi. Gjenia e tij ishte që kuptoi se ajo që i kërkonin, ishte të shuhej, të mos ekzistonte intelektualisht. Duke kaluar në të gjitha fazat e kësaj shuarje të programuar, ai, politologu i formuar në shkollat elitare franceze do të analizonte në thelb dhe do të arrinte të kuptonte si rrallëkush, sistemin totalitar shqiptar dhe do të mësojë t’i përshtatet e t’i mbijetojë atij mrekullisht.

Pas torturave dhe burgut individët tërhiqeshin për të mos bërë hije, dhe vinte faza e përdorjes së vlerave të tyre më të mira në shërbim të ndriçimit të individualiteteve mediokre, që ishin zëri i regjimit. Në kategorinë e të shuarve shënohen Kasem Trebeshina, Mitrush Kuteli për të përmendur vetëm dy. Ata që nuk e kuptuan apo nuk deshën të shuheshin, pra të pushonin së egzistuari si individualitete intelektuale apo artistike, u ridënuan dhe u riburgosën, duke u asgjesuar madje edhe fizikisht, ose patën fatin të iknin si Arshi Pipa.

Në personin e tij vetëm, Jusuf Vrioni, do të ishte një dëshmitar okular dhe erudit i të gjithë fazave të precesit të shterpësimit intelektual të ushtruar në totalitarizmin shqiptar. Njohja dhe analiza e thellë që ai i bëntë këtij sistemi, në bisedat me miq të afërt, do të ishte një perlë për trashëgiminë botërore, po të ishte hedhur në letër. Por Jusuf Vrioni, nuk e pati as kohën dhe as mundësinë t’i përkushtohej këtij studimi, pasi ai vdiq i varfër. Në të gjallë ai nuk morri asnjë prej pronave të tij, ai përsëriste shpesh, preferoj më mirë, të punoj se sa të rri pas dyerve për të kërkuar. Fatkeqësisht posti i Ambasadorit të UNESCO-s, nuk mund t’i siguronte atij një të ardhur dinjitoze për Parisin, ku kontaktet e tij të dikurshme u ringjallën menjëherë pas ardhjes më 1997. Jusuf Vrionit, një prej pronarëve më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, iu desh të punonte deri në ditën e fundit të jetës së tij 85 vjeçare.

Por a ndjehej ai i plotsuar prej « karierës » së tij të përkthimit ? Puna e tij e përkthimit ishte një mjet mbijetese, si dikur puna e burgut, ç’ka del prej krahasimi të makinës së tij të shkrimit me lopaten e burgut, në kujtimet e tij : “E shtrenjta makinë e shkrimit, shoqja ime besnike! E ndjej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës Triumph, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra “karrierë” e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë. Burgjet e mia…”

E kam ende të gjallë goditjen e gishtave të tij mbi tastierën e kompjuterit, e që të mrekullonte për nga precizioni dhe shpejtësia, ndërkohë që mjeshtri ankohej se : « … jo, ndjeshmëria e germave ndryshon nga makina ime e shkrimit dhe nuk ecën aq shpejt sa duhet… » Ai duhet të përkthente shpejt, deri në muajin e fundit, ai punoi dhe përktheu çdo tekst që kishte marrë përsipër.

Komuniteti ndërkombëtar i përkthyesve e njohu veprën e tij, më 1994 përmes çmimit prestigjioz “Halperin Kaminski”, ndërsa më 1998, Jusuf Vrioni nderohet nga Republika Franceze për kontributin e tij të çmuar në gjuhën frënge me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur. Ai është padyshim ndër përkthyesit më të medhenj drejt gjuhës frënge, dhe më i madhi nga gjuha shqipe, falë edhe veprës prolifike të shkrimtarit Ismail Kadare.

Më 2006 Ministria e Kulturës së Shqipërisë krijon çmimin Jusuf Vrioni të përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaja.

Ai u nda nga jeta në Paris më 25 maj 2001, duke lënë një kujtim të rrallë tek të gjithë ata që e njohën, për tolerancën, mungesën e urrejtjes dhe atdhedashurinë, por veçanërisht tek një grup artistësh të rinj shqiptarë e francezë me të cilët i kalonte orët e humbura. Eric Faye ishte një prej tyre, ja si do të shkruante laureati i Çmimit të Romanit të Akademisë Franceze : “Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, europianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që ia doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së emës, e cila e kish dashur aq shumë … “. Miku i tij shkrimtari Claude Arnaud, për menyrën e pastër dhe pa helm me të cilën ai e shihte dhe e trajtonte çdo çështje, do ta quante Vrionin: adoleshenti i përjetshëm. Maji i këtij viti shënon 15 vjet nga humbja e Jusuf Vrionit, kësaj figure të çmuar të kulturës shqiptare, të njeriut fisnik të cilin torturat, vuajtjet e mundimet e kishin bërë edhe më fisnik, patriotit që e donte me shpirt Shqipërinë dhe popullin e tij, e të cilat i përfaqsoi me dinjitet, në UNESCO e kudo ku ai shkonte e mbarte me vete Shqipërinë. Shteti shqiptar dhe Presidenti i Republikës këtë vit të 100 vjetorit të lindjes ( 16 mars 2016 – 16 mars 2017) shpresojme dhe urojme se do ta nderojnë atë për kontributin e tij në rezistencën kundrejt rregjimit totalitar dhe shkëlqimin e kulturës dhe të letrave shqipe në botë. Se do ti kthejnë atij drejtësinë për dënimin absurd për bindje politike të ndryshme nga partia në pushtet dhe përpjekjen për krijimin e opozitës legale të parashikuar me ligj.

ZHURNAL , GAZETA SHQIPRADI AND RADISHORTLINKORIGINAL ARTICLE PUBLISHET AT THE ONLINE GAZETTE KLARABUDAPOST,GAZETA SHQIP ,ZHURNAL dhe Klara Buda Post.com

Share: