Home KRYESORE Deputetja Qirici i shkruan kryeministrit dhe kryebashkiakut të Korçës, per pushtimin dhe...

Deputetja Qirici i shkruan kryeministrit dhe kryebashkiakut të Korçës, per pushtimin dhe shkatërrimin urban te qytetit

Nga Eleina Qirici*

Ndërtimet shumëkatëshe pushtojnë qendrën e Korçës sipas Planit Urbanistik. Projektuesi i Kullës së Korçës (turpit urban) po gllabëron dhe kafshon zemrën e qytetit, për t’i futur hushta betoni, përbindësha shumëkatësh, me aprovimin e duarve të majta “ngritur” mekanikisht në Këshillin Bashkiak Korçë. Projektues është e njëjta kompani, gjermane për çudi, që ndërtoi Kullën, por “instrument” në duart e zv.kryeministrit dhe përhrah kësaj kompanie “të famshme”, instituti apo organizata IDRA (një prezencë e kudogjendur nëpër projekte donatorësh, shumë dyshues ky fakt).

Një krim i hartuar pa lodhje, me qëllime klienteliste, që iu servir për aprovim dhe u aprovua nga Këshilli Bashkiak Korçë, ishte pikërisht Plani Rregullues apo PPV-ja e Bashkisë Korçë.

Detyrohem t’i bëj një analizë të thellë situatës dhe t’ia dërgoj për lexim të vëmendshëm kryeministrit, zëvendëskryeministrit , kryetarit të Bashkisë Korçë ,dhe të gjithë pasuesve të tyre në Këshillin Bashkiak.

Edhe unë ndaj të njëjtin opinion me qytetarët e Korçës, opinionin që ky Plan Urbanistik, me impakt afro 30-vjeçar për Korçën, është krim.

Dhe për të thënë epilogun në prolog, nuk do të duhet as ta lexojmë e këndojmë dhe as ta dëgjojmë këtë Elegji të shkatërrimit të Korçës. Përgjegjësia është e jona që ta shfyqizojmë. Dhe do ia arrijmë!

***

Zv.kryeministër, Kryetar i Bashkisë Korçë,

Urbanistika në etimologjinë e saj të thjeshtëzuar të fjalës është arti dhe praktika e zbatuar që ka për objekt infrastrukturën, domethënë ndërtimet në qytet (në Bashki). Urbanistika ka lindur historikisht si zbatim i mendimit arkitektonik në shkallën 1:1, në një hapësirë pra më të gjerë se një banesë apo bllok banesash, por edhe si një sektor i spikatur i arkitekturës. Sot, urbanistika dhe sektori i planifikimit urban, nuk mund të dalin nga konturet e elementëve estetikë, që përbëjnë dhe një prej dimensioneve të saj bazë dhe të pacënueshëm, por as nga dhe kushtet që imponon trashëgimia urbane, kulturore, mentaliteti social etj., faktorë që nuk mund të shmangen dhe që kërkojnë domosdoshmërisht ruajtje, mbrojtje, përballë tendencave për zhvillim social-ekonomik.

E pra, urbanistika është arti dhe shkenca që merret me planifikimin, dizenjimin dhe programimin e qyteteve dhe zonave të tjera që i rrethojnë, korridore rezidenciale, zona tregtare, industriale, apo fshatra dhe vendbanime kolektive. Qyteti/Bashkia në vetvete përfshin një kompleks masash ekonomike, sociale dhe administrative që kanë për qëllim të shtrihen mbi një logjike harmonike, për zhvillim human të qyteteve. Dhe është pikërisht urbanistika dhe planifikimi urban që për të arritur qëllimet që sapo përmenda, duhet t’i referohet disa fushave të studiuara shkencore si: e drejta, ekonomia dhe sociologjia.

Për më shumë, planifikimet urbane kushtëzohen nga/dhe kushtëzojnë individin dhe shtetin mes tre orientimeve bazë: Politik/demografik – që do të thotë që shoqëria duhet të gjejë veten mes Planit të hartuar; Teknik/zbatues – që do të thotë përcaktim, definim rregullash; Ligjor – që do të thotë që hartohet një kuadër ligjesh dhe rregullash, për të marrë natyrë të detyrueshme përsa i përket administratës publike dhe qytetarit.
Kush e hartoi Planin Urbanistik të Bashkisë Korçë?

Pyes, sepse dimë të gjithë tashmë që në hartimin e një Plani të tillë me ndikim për dekada të tëra, grupi i punës duhet të kishte specialistë të shëndetit publik, ekonomistë, sociologë, juristë dhe gjeografë etj., pasi kompleksiteti i menaxhimit të qyteteve, hapësirave urbane, por edhe rurale, është i rëndësisë jetike.

“Teknikat bashkëkohore të planifikimit urban dhe rajonal për analizimin, projektimin dhe krijimin e zonave urbane u zhvilluan prej sintezës ndër-disiplinore të këtyre fushave.

Sot, urbanistika mund të përshkruhet si proçesi teknik dhe politik, që ka të bëjë me mirëqenien e popullsisë, kontrollin e përdorimeve të tokës, projektimin e mjedisit urban, përfshirë rrjetet e transportit dhe komunikacionit, mbrojtjen e mjedisit natyror etj.” – do të citonte një profesionist i fushës.

Një Plan Urbanistik duhet të ketë të hartuar në përbërje të tij: 1. Studim planifikim fizik; 2. Studim mbi sistemet e strehimit; 3. Studim mbi planifikimin e transportit; 4. Studim për planifikimin mjedisor; 5. Studim mbi planifikimin Ekonomik; 6. Studim për planifikim në sektorët arsim dhe shëndetsi; 7. Studim mbi planifikimin ndërkombëtar; & 8. Projektim urban.

I drejtohem kryebashkiakut dhe atyre që punuan me këtë Krim Urbanistik:

Jeni juve koshientë të rëndësisë jetike që ka ky Plan Urbanistik për jetën e gjithkujt në Bashkinë Korçë?

I keni realizuar të gjitha këto studime që sipërpërmenda, mes njerëzve profesionistë të duhur para hartimit të Planit Urbanistik? Nëse po mund të na i vini në dispozicion.

Cilat kanë qenë dëgjesat tuaja me publikun? Me kë i ndatë opinionet tuaja dhe nga morët opinione, mendime dhe sugjerime dhe për sa kohë?

Si bashkëpunuat me arkitetë, inxhinierë, restauratorë dhe artistë, për të hartuat një Plan Urbanistik që mbron vlera kulturore, arkitekturore, estetike, për gjithçka kemi trashëguar dhe që na rezulton vlerë e shtuar, krahasuar me qytetet e tjera në Shqipëri?
Pse nuk e keni shtrirë në periferi të qytetit Planin Urbanistik për të ngritur atje godina banimi dhe për të krijuar zona të reja rezidenciale?

(Sigurisht nëse studimi mbi demografinë do ju rezultonte në rritje)

Përse duhet të ndërtoni shumëkatësha në qendër të qytetit të Korçës?

Përse dhe si po guxoni që të ndërtoni shumëkatësha ngjitur me Shkollën e Parë Shqipe, Mësonjëtoren e shqiptarëve, apo përballë me Katedralen, apo përbri me postën, apo prapa godinës së Nobelistit Seferi?

Përse po ndërtoni mbi lulishte dhe po zvogëloni hapësita të gjelbra përbri me godinën e Prefekturës?

Po Planin Urbanistik që aprovuat para 2 vitesh dhe i vendosët edhe firmën e kryeministrit të “Rilindjes Urbane” e anuluat? Nëse po, si e anuluat? Pse e anuluat? (Dikur kompania izraelite nuk ua lejoi këto betone në qendër të Korçës.)

Pse nuk është ky plan online, në faqen zyrtare të Bashkisë Korçë ?
Të gjithë qytetarët e Korçës e dinë dhe po e deklarojnë se jeni duke masakruar qytetin për interesa të dy apo tre personave në Korçë, që fatkeqësisht po na rezultojnë “çifligarët” e qytetit të dijes, penës, kulturës dhe autonomisë. Jeni duke përdhosur qytetin dhe historinë e tij, jeni duke cënuar qytetin dhe qytetarët e tij, jeni duke përdorur pushtetin kundër korçarëve.

Korça peng në duart e padijes, tregtisë, klientelizmit, korrupsionit, po tkurret dhe varfërohet. Korçës po guxojnë t’i ndryshojnë strukturën dhe infrastrukturën , mes këtij Plani Kriminal Urbanistik.

Do të ndjekim të gjitha format dhe mundësitë kolektive/kolegjiale dhe ligjore për anulimin e menjëhershëm të Planit Urbanistik. Ky plan nuk do e shohë kurrë dritën e zbatimit. Ky plan do të anulohet, sepse është në shkelje të plotë me ligjin.

Na ndan një lumë nga ‘duart e majta’ të PS dhe LSI që u ngritën në Këshill Bashkiak për të aprovuar këtë krim. Është lumi i drejtësisë që ndan të ligjshmen nga e paligjshmja.

*Autorja është deputete e partisë demokratike ne Korce

Share: