Home KRYESORE Kjo qeveri ka ngelur në klasë. Nuk meriton më shumë se notën...

Kjo qeveri ka ngelur në klasë. Nuk meriton më shumë se notën 4

Nga Enriko Ceko

Unë jam mësuar në shkollë që vlerësoj studentët dhe mendojse nëse qeveria do ishte me studentë do ishte shumë më e mirë se kjo qeveria e këtyre me tetëvjeçare dhe unë nuk do e vlerësoja më shumë se nota katër këtë qeveri.

Kur them më shumë se nota katër është një notë pakaluese, por mund të ketë zero, njësh, dysh, tresh dhe katër. Pra, maksimumi që mund të marrë ndonjë nga ministrat e kësaj qeverie është nota katër sepse shumica janë te dyshi. Përse them unë se kjo qeveri nuk merr më shumë se katër, domethënë që kanë ngelur në klasë dhe duhet një qeveri tranzitore. Këta kanë ngelur në klasë sepse nëse marrim parasysh ato që kanë ndodhur këto 2 – 3 muajt e fundit, kuptohet menjëherë fare qartë se këta nuk janë të aftë të realizojnë ato gjëra që i premtuan popullit në zgjedhje dhe të bëjnë ato gjëra që do populli. Këta bëjnë ato gjëra që duan vetë dhe këtu qendron edhe diferenca e madhe dhe ashtu siç tha edhe parafolësi Z. Gjata, vetë ashtu e kanë qendisur Kushtetutën dhe po vetë ashtu e kanë bërë Kodin Zgjedhor.

Si rezultat kemi një gjendje shumë të rëndë në të tëra fushat e jetës, por shqiptarët janë aq të përhumbur në mjerimin dhe varfërinë e tyre sa edhe lajmet më të kobshme nuk u ngjallin asnjë emocion dhe nuk i bëjnë ata të lëvizin nga gjumi i thellë në të cilin kanë vite që kanë rënë. Konkretisht:

1. Gazeta e respektuar austriake Die presse, para disa ditësh ka shkruar se në Shqipëri një pjesë e mirë e ekonomisë është informale dhe se një pjesë e mirë e produktit të përgjithshëm kombëtar vjen nga droga. Bizneset e drogës në Shqipëri kanë arritur që të ndikojnë ekonominë dhe të sjellin pasoja gjeopolitike në rajon. Që droga shqiptare të ndikojë në gjeopolitikën në rajon është një gjë shumë serioze dhe përbën një nga shkaqet kryesore që kjo qeveri të japë dorëheqjen.

2. Sipas të dhënave të fundit, rreth 23.500 të rinj, nxënës shumë të mirë dhe ekselentë të shkollave të mesme në Shqipëri kanë shkuar për të ndjekur studimet jashtë shtetit dhe nuk kthehen në Shqipëri për të kontribuuar për zhvillimin e vendit. Kjo është pjesa më e dhimbshme që të rinjtë ekselentë nuk duan të kthehen në Shqipëri.

3. Në pesë vitet e fundit Shqipërinë e kanë lënë rreth 560.000 qytetarë që kanë kërkuar të sistemohen për të jetuar në vende të tjera, kryesisht të Evropës Perëndimore.

4. Rreth 60% e të rinjve shqiptarë janë analfabetë funksionalë dhe sistemi arsimor ka dështuar që të përgatisë qytetarë të aftë dhe të pajisur me aftësitë që kërkon tregu i punës.

5. Niveli i papunësisë midis të rinjve është shumë i lartë dhe për të rinjtë që sapo mbarojnë studimet është shumë e vështirë që të fillojnë një punë të thjeshtë.

6. Rreth 79% e të rinjve deklarojnë se duan që të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë.

7. Shpenzimet për ushqime zenë rreth 44% të buxhetit të qytetarëve, kur të ardhurat për frymë janë më të ulëtat në Evropë.

8. Rreth 55% e familjeve shqiptare jetojnë me të ardhura 17.000 – 50.000 lekë në muaj, rreth 25 – 30% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 100 lekë në ditë, rreth 25 – 30% e shqiptarëve jetojnë me 300 – 500 lekë në ditë dhe rreth 5 – 10% e shqiptarëve jetojnë me 500 – 700 lekë në ditë.

9. Produktiviteti i punonjësve shqiptarë është në rënie dhe tashmë në një ditë pune produktiviteti është 5 – 10 euro, një shifër shumë e ulët krahasuar me vendet përreth. Kjo ndikon në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qendrueshëm.

10. Niveli i tatimeve dhe taksave në Shqipëri është ndër më të lartët në Ballkan.

11. Shqipëria është ndër vendet e fundit në Ballkan për kushtet e bërjes së biznesit.

12. Çdo vit në Shqipëri mjekët përballen me rreth 7.000 raste të reja kanceresh dhe tumoresh.

13. Buxheti i shtetit ka shumë pak para për arsimin, kulturën, artin, shëndetsinë, bujqësinë dhe ushqimin dhe mbrojtjen, krahasur me vendet e tjera në rajon dhe më gjerë.

14. Kemi revolta popullore, por mediat nuk flasin. Për shembull, para disa ditësh kur pati shira ka patur edhe përmbytje në Shqipëri si në Shën Vlash dhe akset rrugore në jug të vendit, pas të cilave qytetarët janë ngritur në revolta, por asnjë mëdia nuk e ngriti zërin. Sot ka një revoltë në zonën e Shkozës, për të njëjtën situatë dhe me të njëjtat karakteristika si ajo e ASTIR-it.

15. Nuk funksionon Gjykata e Lartë. Nuk funksionon Gjykata Kushtetuese.

16. Parlamenti kalon ligje vetëm me deputetët e maxhorancës në sallë.

Këto sa më lart tregojnë se ne duhet të reagojmë, por qytetarët shqiptarë e kanë jetën e tyre kaq shumë të komplikuar sa që nuk ju bën më përshtypje asgjë. Para rreth një jave në një botim të një institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar theksohej se një nga arsyet kryesore se përse shqiptarët lenë vendin e tyre për një jetë më të mirë diku tjetër është se jeta e tyre ka shumë komplikime.

Kush e ka bërë jetën e shqiptarëve kaq të komplikuar në Shqipëri? E ka bërë kjo qeveri, nën rrugën e shtruar nga qeveritë e mëparshme, sepse njësoj janë, një monedhë janë. Po t’a hedhësh monedhën sido që të bjerë, ose njëra ose tjetra parti do vijë në qeverisje. Njëra do qeverisë e tjetra do jetë në opozitë, se edhe në opozitë nuk është keq, qef është se edhe rrogën e marrin dhe edhe bëjnë sikur dalin nëpër televizione, për të krijuar pak zhurmë, si punë kundërshtimi, sa për të kaluar radhën e për t’u hedhur hi syve popullit.

Pra, nuk është se janë dy monedha të ndryshme. Është vetëm një monedhë. Mos e harroni kurrë këtë. Janë të njëjtët që e kanë sjellë këtë gjendje. Edhe Kushtetutën edhe Kodin Zgjedhor e kanë bërë në atë mënyrë që të qendrojnë së bashku të dy palët, njëri në pozitë dhe tjetri në opozitë dhe bëjnë rotacion. Kjo është logjika e këtyre.

Prandaj deklaroj se duhet një Kod i ri Zgjedhor dhe një Kushtetutë që do të vijnë nga një qeveri tranzitore. Meqënëse Z. Gjata e spjegoi mirë punën e Kushtetutës unë do ndalem te Kodi Zgjedhor. Një Kod i mirë Zgjedhor tregon qartë se kush ka të drejtë të votojë, kush ka të drejtë të votohet, pra të zgjidhet, tregon se si duhet të jetë procesi i votimit, si duhet të numërohet vota, si duhet të dalë rezultati, si bëhet rivotimi për shkak të balotazhit, përcakton numrin e qytetarëve që votojnë për të nxjerrë një deputet apo territorin ose edhe të dyja së bashku, numrin e popullsisë dhe territorin për të nxjerrë një deputet, etj, aspekte që kodi zgjedhor aktual i bën lëmsh këto sa më lart. Kështu që vetëm një qeveri tranzitore mund të garantojë

Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Për sa më lart, e para: nuk është e drejtë që KQZ të formohet nga anëtarë nga tre partitë kryesore, sepse të tëra komisionet nga ato të qendrave të votimit deri te KQZ duhet të jenë të pavarura dhe zgjidhja e vetme është transparencë dhe kontroll nga ana e qytetarisë, kontroll civil në këto zgjedhje, dhe, e dyta: nuk mund të merren kutitë e votimit nga qendrat e votimit për t’u shpënë në një vend tjetër dhe të numërohen atje, sepse numërimi i votave duhet të bëhet atje ku votohet dhe jo në ndonjë vend tjetër.

Këto dy pika i realizon vetëm një qeveri tranzitore, sepse me draft kodin zgjedhor të përgatitur nga dy partitë kryesore, këto dy çështje dhe të tjera çështje nuk garantohen.

Si rezultat i këtyre lojrave ne tashmë e dimë fare mirë rezultatin e zgjedhjeve të mëparshme, që është parlamenti i përbërë nga deputetë që zgjidhen sipas listës që formon kryetari i partisë, i cili, kur i shkrepet të ndryshojë kushtetutën, u kërkon këtyre deputetëve që të votojnë e ngrenë kartonin sipas dëshirës së kryetarit të partisë dhe jo sipas interesave të kombit dhe popullit shqiptar, në një kohë që deputetët që zgjidhen nga populli nuk e ngrenë kollaj dorën për të tilla gjëra.

Unë mendoj se Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor janë dy dokumente shumë të rëndësishme të shtetit që qendrojnë së bashku dhe mbështesin njeri tjetrin. Kur të dyja janë të mira, punët ecin mirë dhe mbështetin të mirën dhe kur të dyja janë të këqija, punët shkojnë keq dhe mbështetin të keqen, kështu që ne duhet të synojmë fort që këtë qeveri t’a shporrim një ditë e më parë, të japë dorëheqjen, t’i japim fund këtij regjimi diktatorial, kësaj klike në pushtet, kësaj organizate kriminale, që kryhen veprime arbitrare, të cilat janë të dënueshme nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Share: