Nga Dritan Kaba
Erdhi nga SHBA për t’i shërbyer qytetarëve të tij, bashkëkombasve me një rrogë qesharake, u tregua idealist. E morën e plasën në burg, ishin duke i shkatërruar jetën, karrierën, emrin e një humani të madh. Pa asnjë fakt e arrestuan. E përdorën për “luftën” rilindase kundër korrupsionit. Një njeri të madh, mjek të shkëlqyer, sot megjithë atë e shtunë ai ishte në punë si ditë të fundit. Fatkeqësi për Shkodrën dhe qytetarët e saj dhe mijëra të tjerë të Malësisë së Madhe, Pukës, Dukagjinit dhe Lezhës, por edhe qindra kosovarëve. Shpëtoi qindra jetë, e akuzuan për një tender që nuk ishte as firmëtar. Kërkonte më shumë medikamente për të shëruar më shumë qytetarë.
Sot ai e mbylli punën. Hemodinamika jo vetëm e Shkodrës po e po, por e Shqipërisë humbi shumë. Për çfarë? Për fasadën rilindase të luftës kundër korrupsionit. Shqipëria humbi një profesionist dhe humanist të madh.
Përpara kemi dy tablo. Atë të mjekut të shkëlqyer Luan Dragusha, që e futën tre ditë në burg për një faj që as ekziston dhe Damianin dhe Afrimin, bashkë me Edi Ramën, që pa u dridhur qerpiku rrëmbyen 30 milionë euro me letra fallco.
Kjo është drejtësia e re rilindase. Arreston me akuza qesharake një mjek, intelektual të klasit të parë, një qytetar model dhe Damianin, Afrimin dhe Edi Ramën flenë të qetë në krevatet e tyre. Kemi një drejtësi rilindase ku Damiani sjell Gurun, Afrimi del e mashtron pa asnjë skuqje të fytyrës dhe një Edi Rame që bën karagjozin me akuza direkte për korrupsion.
Kemi një polici që arreston mjekun dhe shefat e policisë të lidhur me krimin e organizuar kanë një vit që jetojnë të qetë megjithëse në kemrim për akuza për krim të organizuar. Kemi një polici dhe Prokurori kur bosët e kokainës të Maminasit, heroinës së Hasit, kokainës së Xibrakës shëtisin të lirë dhe asnjëherë nuk kapen. Kemi një Prokurori ku administratori i firmës fantazmë që gllabëroi 30 milion euro ikën me lule e dafina nga Murriqani e nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë, përkundrazi ja shtrojnë rrugën me tapet të kuq.
Vetëm për këtë qytetarë bashkohuni me studentët. Revoltohuni!
Ju të gjithë jeni qytetarë të dorës së dytë. Për ju ka një kut tjetër matës, ndryshe nga rilindasit që shpëtojnë gjithmonë drejtësisë.
Ndryshe bëni gati valixhet, jo tuajat se nënshtrimi nuk ju bën përshtypje, por të fëmijëve tuaj. 79% të tyre duan të largohen.
Bëni gati valixhet e tyre.
Dhe mos qani tek lokali i lagjes më vonë duke u ankuar nuk më mori djali, vajza në telefon. Të porosisni një raki të mbysni trishtimin se ka dy muaj që nuk ju marrin në telefon, se në Skype apo Whatsapp as duan t’ju shohin fytyrën.
Revolta e tyre është edhe ndaj jush sot. Dilni në mbështetje të tyre të shpëtoni shpirtrat tuaj. Dilni në protestë për ta, që të pakësoni lotët tuaj.
Nëse nuk e bëni, shkoni bleni shamia për të fshirë lotët. Ata sot kanë nevojë për ju. Nesër është shumë vonë.
Zgjidhni ose protestën krah tyre, ose lotët e përbashkëta me komshiun për fëmijët që ju janë larguar.