Home KRYESORE Profili i një Komunisti! Një Komunist mban era myk! Nga Elona Caslli

Profili i një Komunisti! Një Komunist mban era myk! Nga Elona Caslli

Që e vogël mësova t’i njihja komunistët. Në shtëpinë time flitej shpesh për ta. Nga përshkrimi i detajuar, që i bëhej një komunisti, unë arrija ta përfytyroja qënien e tij. Ishte më e lehtë kur përshkrimi i kushtohej një individi të caktuar, të cilin mund ta shihja të nesërmen, pasi kjo më ndihmonte të kuptoja më shumë. Fqinji ynë, që banonte një shkallë më tutje, në katin e pestë, ishte komunist.

Figura e tij më ndihmoi të kuptoja profilin e një komunisti.

Nga e përditshmja kisha kuptuar që Komunistët nuk kërkonin kurrë lekë borxh.

E kisha kuptuar këtë sepse në fund të çdo muaji në derën e shtëpisë sonë shfaqej Baromi, i cili ishte një Kryefamiljar me shumë fëmijë, që trokiste gjithmonë në fundin e muajit për një hua të vogël, të cilën e rikthente pas tri ditësh.
Baromi mirëkuptohej gjithmonë në shtëpinë time, e kjo më linte të kuptoja se ai nuk ishte Komunist.

Në shtëpinë e Komunistëve kishte gjithmonë diçka më tepër.

Një kukull që fliste, një gotë shumëngjyrëshe që nuk e kishe parë më parë, një letër çokollatë e lënë diku.

Pra, kish diçka të pangatërrueshme në mjedisin e tyre, të cilën, e dalloje menjëherë.

Me kalimin e kohës, kuptova se Komunistët, janë ithtarë të një protokolli të ngurtë. Të përpiktë në çdo veprim, në çdo hap dhe madje në çdo përshëndetje. Nuk harrojnë kurrë të të thonë ” Mirëmëngjes” dhe nuk e shquan kurrë humorin e tyre. Janë si një kukull porcelani.
Në mëngjes lexojnë gjithmonë shtypin e ditës, me vëmendjen e një studenti në sezon provimesh.

Në verë do t’i shohësh gjithmonë me një kapele republike, e cila shoqërohet me një këmishë të bardhë. Ndërsa në dimër me një kasketë ngjeshur mbi kokë.

Kanë të gjithë të njëjtin shikim të akullt. Duket se duan të zhbirilojnë gjithçka.

Ditën e votimeve do t’i njohësh sepse janë të parët që votojnë në orët e para të mëngjesit
Të renditur me një rregull të frikshëm porsi skedarët e librave në bibliotekë.

Komunistët lindën të privilegjuar, u riprodhuan të privilegjuar, ua trashëguan fëmijëve të tyre privilegjet dhe do të vdesin të privilegjuar.
Kur isha e vogël në seancat e antikomunizmit dëgjoja shpesh fjalinë – Komunistët dinë mirë se ç’bëjnë.

Post Scriptum – Më ndodh shpesh që një kujtim ta lidh me një aromë. Në gjuhën e artit kjo quhet – Kujtesë emocionale.

Një Komunist mban era myk.

Share: