Home KRYESORE Rama: Ballkani, në rrezik nacionalizmi

Rama: Ballkani, në rrezik nacionalizmi

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse prespektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

Në një intervistë për “Politico”, Rama ka paralajmëruar se “Europa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së Unionit.

“Rajoni do të kthehet në një zonë gri ku aktorë të tjerë do të jenë më influentë sesa Bashkimi Europian”, ka thënë Rama.

I pyetur nëse do të bëjë një bashkim me Kosovën në mënyrë të njëanshme, Rama është përgjigjur: “Jo, sepse mënyra e vetme për të ruajtur paqen në Ballkan është që shtegu drejt BE-së të jetë i hapur, që perspektiva të jetë e qartë dhe që ndjenjat karshi BE-së të jenë pozitive”.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se bashkimi me Kosovën nuk është dëshira e tij, por një alternativë ndaj mbylljes së dyerve nga Bashkimi Europian.

Rama ka paralajmëruar se, ndalimi i procesit të zgjerimit mund të destabilizojë Europën, duke theksuar se, “kjo alternativë do të ishte një makth për popullin dhe vendet e Europës”.

“Ka mungesë kuptimi dhe vizioni, se ky rajon ka nevojë për Europën, por edhe Europa ka nevojë për të, për një Europë më të sigurtë”, ka thënë Rama.

“Si mund të jetë Unioni më i sigurtë nëse Ballkani çmendet? Si mundet që Bashkimi Europian të lejojë krijimin e një zone gri në zemër të kontinentit, ku aktorë të tjerë mund të kenë më shumë influencë se vetë BE-ja? Kjo është diçka e pakkuptimtë në aspektin e sigurisë”, ka vijuar Rama.

Rama ka shtuar se për momentin nuk e sheh luftën si “skenarin e parë” për Ballkanin, por sipas tij, ruajtja e qetësisë varet nga faktorët ndërkombëtare, BE dhe SHBA.

“Sot në Europë ju keni një brez që nuk e ka parë luftën. Kurse ne në Ballkan i kemi parë luftërat dhe e dimë se ç’do të thotë”, ka pohuar kreu i qeverisë shqiptare.

I pyetur për platformën shqiptare në Maqedoni, e kritikuar nga Shkupi zyrtar, Rama ka theksuar se ai vetëm sa ka lehtësuar një takim mes krerëve të politikës shqiptare në Maqedoni dhe nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të saj.

“Ka një mit të krijuar në Shkup për qëllime politike, se partitë shqiptare po ndjekin një platformë të hartuar në Tiranë. kjo është një gënjeshtër, një mit i krijuar nga qarqe politike negative”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, shqiptarët e Maqedonisë kanë të gjitha të drejtat të kërkojnë barazi me vëllezërit e tyre maqedonas”./ Top Channel

Share: