Home KRYESORE PRINDI, ALTRUIZMI DHE PETRO ZHEJI

PRINDI, ALTRUIZMI DHE PETRO ZHEJI

Ky tregim është pjesë e librit “Në sirtar, tregime” të autorit Muç Xhepa.

Ndaloj me vështirësi. Akull i zi. Temperatura shënon 9°F, ose – 13°C. Sinjali i kryqëzimit në daljen 33, e cila lidh unazën me avenynë “Konektikat” zgjat më tepër se të tjerët. Afrohet pranë makinës një burrë i vjetër. Ka veshur rroba të grisura, kamuflazh ushtrie. Me mjekër të gjatë, të zbardhur dhe në kokë mban kapele këmbësorie. Dridhet. Në duar ka tabelë kartoni të grisur nga kuti e vjetër ambalazhi. Me gërma dore të mëdha shkruhet, VETERAN, me ngjyrë të zezë. Poshtë saj:
“Nëna është sëmurë, ndihmomë të paguaj spitalin”! – Shkruar me të kuqe, gjaku.
Ul xhamin ngadalë. Më kapin emocione të forta. Më dridhen duart, nxjerr me zor nga kuleta një bankënotë pesëdollarëshe. Ai e shikon i mallëngjyer. Afrohet. S’po u beson syve. Zgjat dorën, e merr, e vendos pranë zemrës.

  • May the love of God always shine in your life – Ju ndristë jetën përherë dashuria e Perëndisë!
    Lotët nuk më lënë ta shoh qartë fytyrën e dhimbshme. Gëlltis me vështirësi dëshpërimin që më ka mbërthyer grykën.
  • Zoti të bekoftë ty, miku im! – Uroj me emocion. Veterani ka shkelur mbi pjesën burrërore të ushtarakut, që lufton në front pa u dorëzuar. Dashuria për nënën e ka sjellë këtu në kryqëzim, në ditën më të ftohtë të vitit. Kërkon ndihmë, në një formë tjetër. Hapur. Jo zyrave të burokracisë. E kam provuar vetë. “Fatura” e spitalit është marramendëse. Kur trokita, përgjigja ishte e prerë.
  • Jo, nuk të ndihmojmë dot! Jeni ju garantuesi i shërbimeve shëndetësore të babait.
    Në shkallën e parë të shtëpisë se Zotit, xhamia në qendrën e kryeqytetit, të cilën “Çlirimtarët” e mbajnë të mbyllur me kyç, rri ulur një i ri me këmbë të prerë. Njëra këmbë e pantallonave të dala boje që është e lidhur nyje mbi gjurin e djathtë të krijon trishtim kur kalon pranë tij. Ngjitur, patericë e drunjtë, e bërë vetë. Djali të përshëndet dhe po t’i japësh diçka, të mbulon me urata.
    Afrohet Petro Zheji. Djali s’i flet, e shikon në sy. E njeh zemërgjërsinë e Zhan Valzhanit. Petro nxjerr një trelekëshe letër, djali e kundërshton me dorë.
  • Merre biri im; ta jap me gjithë zemër!
    Petro afron dorën. Djalit i rrjedhin lot.
  • Më thuaj çfarë të mundon biri im?
    Petro ulet në gjunjë.
  • Nëna po më vdes, jo në shtrat, por në dhe. Në baltë.
    Djali ul kokën, fshin lotët me shpinën e dorës.
  • Si në dhe?
    Petro afron veshin ta dëgjojë më mirë.
  • Nuk arrita kurrë t’i bleja shtrat. Më ka bërë kokën. As prej druri nuk ia bëra dot.
    I riu godet këmbën e prerë, sikur t’ia ketë fajin ajo.
  • Më prit këtu, nuk do të vonohem!
    Zhan Valzhani niset menjëherë për në shtëpi. Mëngjes, fillim pranvere, ditë me diell. Në dhomë ka fare pak orendi. Petro Zheji hedh mbi shpinë krevatin e tij. Rrugës në kthim njerëzia ndalojnë, vështrojnë të habitur gjigantin e djersitur që çan përpara. Djali nuk u beson syve, kur Petro shfaqet para tij. Kërcen mbi këmbën e mirë. Kërkon ta rrokë në qafë. Qan me zë.
  • Nëna do të flejë në krevatin e saj sonte, – thotë Petro, ndërsa djali s’pushon së uruari Zhan Valzhanin.
  • Më ler ta mbaj unë, e mbajmë bashkë!
    Lutet dhe përpiqet ta arrijë.
  • Jo, ti e ke bërë të tënden. Shumë bile ke bërë. E ke mbajtur pranë. Atë që këta s’e bëjnë kurrë.
    Petro e kishte fjalën për njeriun e ri, që edukohej te Pallati i Kulturës, me antikulturën e “Çlirimtarëve”.
  • Ke mbajtur gjallë nënën. Këta për “Plehun” e hedhin vetë në gropë nënën e tyre dhe e lënë zbuluar ta hanë qentë.
    Afrohen te rruga që ndan Pallatin e Kulturës me Hotel Tiranën. Një grup turistësh, marksistë-leninistë, shikojnë të habitur. Hamalli me sustën në kurriz është i veshur mirë, me xhaketë, këmishë, pantallona të hekurosura stofi, këpucë me bojë, ndërsa i zoti mallit është zbathur. Kalojnë rrugën. Hoteli madhështor në ballë. Aty pranë pallati modern i poetëve të diktaurës. I veçantë, me hyrje te bollshme luksoze, si në perëndim. Arkitektin e kanë burgosur për ndikim të huaj. Në Spaç, rrethin e fundit të ferrit komunist. Jo poetët, ato i këndojnë me dashuri krimit. Marrin kthesën për nga stacioni i trenit. Pranë i afrohet një Xinfu, automobil kinez që sjell vdekje. Ngadalson shpejtësinë, një kostumgri hap xhamin.
  • Nuk e do ti më shumë se Partia lypsin; po zhduku bashkë me krevatin!
    Gjiganti nuk trembet. E kanë torturuar, por thyer jo. Antikomunisti i vendosur nuk e njeh frikën. Ecën i palëkundur në Via Dolorosa-n komuniste, si biri i Zotit.
    Uashington. Interval pushimi për Petron. Është duke shkruar veprën madhore “Shqipja dhe Sanskritishtja”. Dalim në ballkonin e vogël të shtëpisë sime mbuluar me pjergull rrushi. Është fillim qershori, ditë e këndshme për të pirë kafenë jashtë. Petros i pëlqen ta pijë në ballkon. Flasim për dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Dardania.
  • Është e rëndësishme të dokumentohen gjërat. Ke bërë mirë që ke mbajtur shënime. Tani fillo e hidhi në letër ato.
    Në fakt ishte Petro, që më kishte këshilluar në rininë e hershme të mbaja shënime.
  • Po unë nuk jam shkrimtar, Petro.
    Tund kokën.
  • E vërteta nuk ka nevojë për yndyrë shkrimtari.
    Petro Zheji vlerësonte mjaft romanin historik “Grabiani rrëzë kodrave” të shkrimtarit Lekë Tasi. Leka më ka thënë se Petrua vetë e kishte shtyrë të dokumentonte jetën në fshatin e internimit Grabian. I kishte bërë edhe parathënien librit. U gëzua kur At Zef Pllumi shkroi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”. I përktheu në anglisht librin e parë. La punët e veta mënjanë. E botoi këtu, në Amerikë. Por nuk i erdhi mirë kur At Zefi pranoi çmimin. E mori në telefon.
  • Ç’bëre At? Pranove çmimin e plehrave?!
    I shkroi parathënien veprës monumentale të poetit Uran Kostreci, “Epopeja e Karkalecave”. Në kohë pushimi lexonte vargje me zë dhe kënaqej.
    Kishte lexuar pjesë nga shkrimtari antikomunist Visar Zhiti.
  • Ja Visari. Po ta ngjyejë penën me gjak, jo bojë, nuk më mbetet merak. Ai do ta shkruaj të tërën.
    Visari tregonte si iknin me prindërit në shpinë shqiptarët e Dardanisë. Cili komb e kishte bërë këtë? Jepte bisedën me një të huaj që ishte prekur thellë, kur kishte parë skena tragjike të tilla. Biblike. Kishte ndryshuar mendimin për shqiptarët. “Dashurinë për prindërit shqiptarët e ruajnë të shenjtë”.- kishte thënë ai.

(Ky tregim është pjesë e librit “Në sirtar, tregime” të autorit Muç Xhepa.)

Muç Xhepa dhe Petro Zheji
Washington, DC

Share: