Home KRYESORE Meta dekreton 5 ligje për zgjedhjet dhe paralajmëron partitë politike

Meta dekreton 5 ligje për zgjedhjet dhe paralajmëron partitë politike

Ditën e sotme Presidenti Ilir Meta ka dekretuar pesë ligje të miratuara nga Kuvendi, të cilët ishin vlerësuar si të nevojshëm për t’u realizuar mes forcave politike, në kuadër të dakordësisë së arritur në marrëveshjen e 5 qershorit 2020. Ligjet e dekretuar sot nga Meta lidhen me mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.

Meta kërkon nga organet e caktuara me ligj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, ILDKPKI dhe çdo organ tjetër, që ka kompetenca ligjore sipas këtyre ndryshimeve, të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre, me qëllim hartimin akteve nënligjore të nevojshme dhe implementimin objektiv të këtyre ndryshimeve.

Presidenti thotë se çdo fenomen negativ, që vendos në rrezik apo cenon lirinë e votës, apo synon deformimin e vullnetit të sovranit, duhet të ndëshkohet rreptësisht, në funksion të ruajtjes së legjitimitetit të procesit zgjedhor, deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.

Konkretisht, Presidenti ka dekretuar:

– Ligjin nr. 146/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”;

– Ligjin nr. 147/2020 “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995, ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”;

– Ligjin nr. 148/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 97/2016,’Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’”;

– Ligjin nr. 149/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”;

– Ligjin nr. 150/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 60/2016, ‘Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve’”.

Share: