Home Gjeo-Ekonomia Nuk na duhet një Kuvend me më shumë se 50 deputetë! Nga...

Nuk na duhet një Kuvend me më shumë se 50 deputetë! Nga Artan Fuga

Kriza e tanishme e Kuvendit të Shqipërisë që tregon degradimin e tij të plotë si institucion të bën të mendosh: Përse ky lloj parazitizmi? Përse të paguajmë një institucion të fryrë kur ai e bën shkel e shko punën e tij, me ligje për ibret nga ana juridike, krejt i shkëputur nga elektorati, me shpenzime kolosale që kanë krijuar një kastë shumë herë më të pasur se qytetari mesatar, ku pra hyzmeqari, deputeti, është më i pasur se padroni i tij, pra se qytetari!

Gjithçka e kthyer me kokë mbrapsht.

Përse të paguajmë një institucion që në vend të na zgjidhë probleme, na krijon probleme?

Prej vitesh deputetët nuk dihet se të kujt kanë qenë, ca të ligjshëm, ca nga listat, kur deputetët e opozitës janë bërë kashtë e koqe, kurse mazhoranca i ka si grup celiku rreth kryeministrit, ndërkohë që ky i fundit deklaroi dje se nuk shkon më në Kuvend!!!

Pse? Sepse opozita nuk paska etikë!!! Po pse ai e zgjedh opozitën??? Mos duhet ta presin me hymnin kombëtar? T’i bëjnë reveranca, t’i shtrojnë qilimin e kuq dhe t’i dejtohen si Mbretit : Madhëri, nëse më lejoni desha të them vetëm dy fjalë për të thurrur lavde fjalës Tuaj sublime!!!

Dhe në këto kushte kur si qytetarë po shohim atje dramën dhe komedinë, tragjizmin shekullor të shtetit të vogël shqiptar, kur jemi bërë për turp në sytë botës, dhe nuk ka defter që quhet gazetë me nder, që e fshin dot këtë turp ngjitës, pyetja që lind është:

Pse na duhen më shumë se 50 deputetë?

Kam bindjen se nuk na duhen.

E para sepse krahasuar me numrin e popullsisë aq kanë përpjestimisht edhe demokracitë e mëdha. Me nja njëmilion e gjysëm votues realë, 140 deputetë, i bie që të kemi një deputet për 1000 banorë. Lluks i madh për ne si popull që varfëria na ka lënë me tuta dhe vetëm me brrekë! Pa sytjena!

E dyta sepse me 50 deputetë, secili prej tyre do të kishte pra një masë më të madhe, tre herë më të madhe se tani, zgjedhësish, pra do të kishte nje sitë më të fortë për të zgjedhur atë që duhet, dhe deputeti do të kishte më shumë legjitimitet.

E treta sepse ka zona ku në lista ka popullsi, por realisht janë të zbrazura, dhe kanë ngel pranë ndonjë sobe të vjetër pesë plakapleq që deputeti u mjel votat dhe u thotë: çiaooo bambini! Cfarë turpi!!!

E katërta, nga disa llogari të miat do të kurseheshin rreth 700 milonë lekë të reja minimumi në vit, me të cilat mund të rriteshin pensionet e pensionistëve që nuk kanë bukë të hanë dhe brrekë të veshin!

Deputetët kanë rroga, privilegje, dhe shijnë në lëmë me paratë e qytetarit të varfër, dhe as pjerdhin për të! (Ndjesë për fjalorin, por është shumë më i mirë se ai që dëgjojmë në seancat e Kuvendit).

E pesta, sepsee dhe tani në fakt, realisht, vetëm nja 10 deputetë janë aktivë, kurse ca të tjerë, ndonjëri tani në fund madje kujton se është edhe specialist për hedhjen e satelitëve, për akademinë e shkencave, për lloj lloj aventurash që nuk i kanë hije! (Por me këtë do të merrem veçanërisht)! Turp!

Cfarë na duhen 140 deputetë që bëjnë 100 ligje në muaj dhe pastaj i prishin dhe i ribëjnë përsëri sikur të ishin komente pisanjose në platforma sociale patronazhistësh!

Jo më shumë se 50 deputetë, dhe ata të zgjidhen ndryshe, jo si këta që gjithë meritën e kanë t’i prishin mendjen kryetarit t’i verë në listë!

Kjo është reforma e vërtetë! Por as ato që e quajnë veten parti të reja nuk ja u mban këtu sepse duan vende për drejtuesit dhe miqtë e tyre në Kuvend.

Dhe meqë jemi këtu, pyes kabinetin e Kuvendit : Sa parà në vit harxhohen për Kuvendin e Shqipërisë në vit?

Share: